Mungesa e parave, investimet e rrugëve kombëtare do të nisin në vitin 2011
Tre projektet gjigante të rrugëve kombëtare, të bëra publike kohët e fundit prej kryeministrit Berisha, do të nisin nga puna vetëm në vitin 2011. Mungesa e fondeve për investime publike ka bërë që këto projekte të shtyhen për fillim vitin tjetër, duke bërë që edhe ky premtim i qeverisë të dalë fiasko. Ministria e Financave ka nisur punën për hartimin e projektbuxhetit 2011, ndonëse buxheti i këtij viti është përfshirë në një proces ndryshimesh që kanë të bëjnë me shkurtimin e shpenzimeve të programuara. MF-ja ka nxjerrë udhëzimin për këtë qëllim, ndërkohë që ka programuar edhe tavanet e fondeve me të cilët do të mund të programojnë shpenzimet të gjitha ministritë e linjës. Parashikimet bazuar në buxhetin e rishikuar të vitit 2010 dhe në kuadrin makroekonomik, si edhe në politikat fiskale dhe përmirësimet administrative që do ndërmerren, të ardhurat e buxhetit të shtetit gjatë periudhës 2011 parashikohen të rriten në mënyrë graduale e të qëndrueshme. Në vitin 2011 të ardhurat parashikohen të jenë rreth 26.8 për qind e PPB-së (ose rreth 365,124 milionë lekë), 26.9 për qind e PBB-së në vitin 2012 (ose 405,069 milionë lekë) dhe 27.1 për qind e PBB-së në vitin 2013 (ose 448,065 milionë lekë). MF-ja synon që për vitin që vjen deficiti buxhetor të arrijë në nivelin e 3 përqindëshit ashtu siç edhe e kërkon procesi i anëtarësimit në BE. Bazuar në nivelin e të ardhurave buxhetore dhe nivelin e burimeve të financimit, shpenzimet e përgjithshme buxhetore parashikohen për vitin 2011 të arrijnë rreth 30 për qind të PBB-së.
Përdorimi i fondeve
Sipas Ministrisë së Financave këto burime do të përdoren kryesisht për reduktimin e deficitit buxhetor në rreth 3.0 për qind të PBB-së, rritjen e diferencuar të pagave, rritjen e pensioneve mesatarisht 11 për qind në vit dhe për mbajtjen e një ritmi të lartë të investimeve prej 5 për qind të PBB-së në vitin 2011, 5.1 për qind në vitin 2012 dhe 5.2 për qind në vitin 2013. Shpenzimet korrente parashikohen përkatësisht në masën 24.1 për qind të PBB-së në vitin 2011, në 23.9 për qind në vitin 2012 dhe 2013-n. Ndjekja e të gjithë procesit të hartimit të kërkesave buxhetore në çdo njësi të qeverisjes qendrore dhe fondet speciale të tyre do të realizohet nën udhëheqjen e nëpunësit autorizues përkatës. Nga ana tjetër MF-ja do të organizojë në ambientet e saj takime me të gjithë këta nëpunës të ministrive të linjës dhe të institucioneve të tjera buxhetore për të diskutuar progresin dhe shqetësimet që mund të lindin gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit. Këto takime do të organizohen në mënyrë periodike deri në formulimin e projektbuxhetit 2011. Ministri Bode në udhëzimin e tij të fundit për hartimin e projektbuxhetit 2011 ngarkon ministritë e linjës të paraqesin në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit, brenda datës 30 të muajit pasardhës të çdo tremujori, informacion të detajuar mbi performancën e produkteve të buxhetit 2010, sipas 3-mujoreve.
Fondet e kompensimit
Për vitin që vjen në favor të kompensimit të ish-pronareve dhe të ish- të përndjekurve politikë, qeveria vë në dispozicion rreth 45 milionë euro, nga të cilat 20 milionë euro janë programuar për ish-pronarët dhe 25 milionë euro për sh- të përndjekurit politikë. Fondi i vitit që vjen për këto kategori mësohet të jetë më i lartë në krahasim me vitet e kaluara. Sipas deklaratave të mëparshme të MF-së, fondet për shtresat në fjalë do të vijnë në rritje nga viti në vit në mënyrë që këto probleme sociale të trashëguara nga e kaluara të mos eksitojnë më.
17 Mars 2010