E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja e karburantit, pikat e tregtimit manipulojnë në pompat e furnizimit



Ervin KOCI

Të gjithë drejtuesit e automjeteve duhet të tregohen mjaftë të kujdesshëm kur shkojnë dhe furnizojnë automjetin e tyre me karburant. Pikat e tregtimit me pakicë të karburanteve janë kthyer në “foleza” grabitjesh të cilat vjedhin dhe abuzojnë jo vetëm tek ccmimi dhe cilësia e karburanteve, por edhe tek sasia që shesin. Nga një kontroll i ditëve të fundit bërë në shumë pika karburanti përgjat disa akseve nacionale që lidhin kryeqytetin me qytetet kryesore nga Drejtoria e Përgjithshme e Kalibrimit dhe nga Policia Tatimore, rezultoi se tregtuesit abuzonin dhe me sasinë. Në shumë pika të shitjes me pakicë, specialistët e kalibrimit konstatuan vetëm në sajë të disa matjeve “primitive” (me bidonë plastik ku ishte shënuar sasia e litrave), se tregtuesit e karburantit në një furnizim që mund t’i bënin një automjeti, arrinin të vidhnin nga 1- 2.5 litra karburant. Kjo bëhej e mundur në sajë të manipulimeve që ata u kishin bërë pistoletave të furnizimit dhe kontaktorëve që tregonin sasinë e litrave për lekë. Edhe pse kontaktorët tregonin me shifra sasinë e saktë të litrave që hidheshin në bazë të parave, në një serbator makine, pompa furnizuese mbante 1- 2 litra në tubat e gomës brenda aparaturave, që në jo pak raste pronarët e stacioneve të karburantit i kishin zgjatur qëllimisht duke i fshehur brena aparaturave. Kjo gjë pas konstatimit ka bërë që Policia Tatimore të vendosë një mori gjobash për shumë subjekte private.

CCmimi i karburanteve
Çmimi i karburanteve në pikat e pakicës në kryeqytet dje ka arritur në nivele që janë shënuar vetëm kur "ari i zi" ka kapur majat në bursat ndërkombëtare, dy vjet më parë. Në pikat e tregtimit të karburantit në Tiranë, një litër naftë shitej dje duke luhatur nga 130 -137 lekë, ndërsa një litër benzinë pa plumb arriti në 140 lekë. Për ta konkretizuar shtrenjtimin e këtij malli, mund të bëhet një llogaritje e thjeshtë. Zakonisht, qytetarët e thjeshtë me të ardhura më të pakta, përdorin 1000-lekëshin për të mbushur paksa serbatorin e veturës së tyre për përdorimin e përditshëm. Para pak ditësh, me këto para mund të kishin në dispozicion 7.5 litra benzinë, ndërkohë që me të njëjtën shifër ata mund të blejnë, nga dje, vetëm 7.1 litra. Ose, në 10.000 lekë blerje karburanti ata humbasin tani 4 litra. Kjo rritje e çmimit të karburanteve pritet të shoqërohet me rritjen zinxhir të një serë artikujsh të tjerë të konsumit të gjerë, duke rënduar "shportën" e konsumatorit shqiptar.

Tregjet
Në tregjet kryesore ndërkombëtare, falë rritjes së vlerës së dollarit kohët e fundit është arritur që një fuçi naftë bruto (169 litra, njësia matëse universale), të tregtohet me më pak se 80 dollarë amerikanë. Megjithatë, kuota të tilla shitjeje në tregun e pakicës janë shënuar vetëm në ato raste kur në tregjet ndërkombëtare vlera e naftës kalonte 140 USD. Sipas statistikave zyrtare të INSTAT-it, në janar 2010, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 3.4 miliardë lekë. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara vazhdojnë gjithnjë ta zënë nënproduktet e naftës (66.8 për qind). Pavarësisht nga zhvillimi i dukshëm i industrisë së nxjerrjes dhe përpunimit të naftës në vend vitet e fundit, në Shqipëri vazhdon të importohet 2/3 e sasisë së lëndës së lëngshme djegëse që nevojitet. Ndonëse prej kohësh janë vendosur kuota për rezerva të konsiderueshme të grosistëve, kryesisht për të mbrojtur çmimin nga luhatje të fuqishme, shoqëritë ndërkombëtare do të vazhdojnë ta përcaktojnë çmimin e pakicës për sa kohë ruhet një raport kaq i madh i importeve ndaj prodhimit në vend.

Kostoja
Rritja e taksës së akcizës, masë që sipas qeverisë u bë për të përafruar taksat me BE-në, ka ndikuar së tepërmi në një rritje të çmimit të karburantin mbi mesataren. Po kështu, edhe penalitetet e gjobat, detyrimet fiskale e teknike të vendosura me reformat e fundit, kanë rritur koston për grosistë e tregtarë të pakicës. Kjo rritje do të gjejë pasqyrim në rritjen e inflacionit gjatë muajit mars.

Doganat nisin kontrollin ndaj grosistëve të karburanteve

Dogana shqiptare kreu dje një aksion të befasishëm në Portin e Durrësit dhe Porto Romanos, me pikësynim depozitat e karburanteve. Për tregtarët importues, situata është bërë e padurueshme, pasi aksioni i djeshëm pasonte dy të tjerët, zhvilluar brenda një harku kohor të shkurtër. Rënia e të ardhurave nga zhdoganimi i karburanteve i ka detyruar autoritetet të nisin aksione kuturu, pa një plan konkret, pasi rezultati i deritanishëm ka qenë zero. Burime konfidenciale pranë Drejtorisë së Përgjithshme konfirmon një detaj të aksionit, i cili kishte për qëllim verifikimin e sasive në depozitat e karburanteve në portet, si dhe në magazinat doganore. Rënia e të ardhurave në dogana është ndikuar kryesisht nga niveli i ulët i zhdoganimit të karburantit, dhe kjo për disa arsye, që lidhen pikësëpari me çmimin e tij në bursa, uljen e kërkesës në treg, si dhe për shkak të prodhimit të brendshëm, i cili po mbyt tregun në mënyrë të habitshme.

17 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›