E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilaçet me TVSH, MSH: Malli në gjendje të shitet pa rritje

SHKRUAN: Jonida Tashi 03-02-2011 12:28

Malli që farmacitë kanë në gjendje duhet të shitet pa rritje çmimi, ndryshe nga sa do të aplikohet për furnizimet e reja që do të tregtohen 10% më shumë, për shkak të TVSH-së. Duke marrë shkas nga kolapsi i krijuar në pjesën më të madhe të farmacive, për mënyrën se si duhet të vepronin, Ministria e Shëndetësisë ka udhëzuar që malli në inventar të shitet pa rritje. Futja për herë të parë e TVSH-së për ilaçet ka ndikuar direkt në rritjen e çmimit të tyre, ose thëne ndryshe në atë çfarë pacienti paguan kur blen ilaçet. Kështu, një pako aspirinash, që sipas farmacistëve tërhiqet shumë nga pacientët, pasi veç dhimbjes së kokës përdoret për hollimin e gjakut dhe një sërë sëmundjesh të tjera, pa TVSH kushtonte 250 lekë, ndërsa me futjen e TVSH ajo kushton 280 lekë, pra 30 lekë më shumë, që për një pensionist do të thotë një gjysmë buke. “Ça të bëjmë neve, ku të vemi të qahemi? Si ta përballoj unë me 100 mijë lekë pension. Të ha apo të blej ilaçe”, - shprehet i irritur një pensionist. “Mua me ilaçet tani më doli një problem, duhet 60 mijë lekë në muaj për mjekim dhe nuk di se si do ta përballoj”, - thotë një tjetër. Receta e një 27-vjeçareje, e cila sapo ka dalë nga materniteti pas lindjes, përmban 7 medikamente si: antibiotik, betadinë hekur, vitaminë C, e të tjera. Pa TVSH, kjo recetë kushton 3100 lekë, ndërsa me TVSH kushton 3.400, pra 300 lekë më shumë. Disa farmaci në kryeqytet, ende nuk kanë filluar të tregtojnë medikamente me TVSH, për ato sasi të cilat i kanë pasur gjendje, me qëllim për të ruajtur klientelën, pasi sipas tyre, shitja me çmim ndryshe nga ai i vënë në pullë u krijon probleme pacientëve. Ndërkohë, pas problemeve të shkaktuara deri më tani, Ministria e Financave ka nxjerrë një udhëzim ku sqaron se medikamentet që janë gjendje do të tregtohen me çmimin që mbajnë në pullë, ndërsa furnizimi i ri do të shitet me 10% TVSH. Sipas udhëzimit të Financave, furnizimi i barnave, shërbimeve shëndetësore nga institucionet shëndetësore, publike dhe private, është furnizim i tatueshëm me shkallën tatimore 10%. “Për furnizimin e barnave aplikohet TVSH-ja 10%. Për barnat e importuara dhe të prodhuara në vend, të pajisura me pullën e kontrollit me çmimin pa TVSH, që rezultojnë gjendje në subjektet farmaceutike deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.10 363, datë 16.12.2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7928, datë 27.4.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, nuk do të aplikohet TVSH-ja”, - përcaktohet në udhëzim. Më tej, në të thuhet se të gjitha pullat e kontrollit të barnave që shiten nga data 1 shkurt 2011, do të kenë të përfshirë TVSH-në në çmimin përfundimtar të shitjes. Për këtë arsye, Qendra e Kontrollit të Barnave duhet të marrë masa që në pullën e kontrollit të barnave të evidentohet çmimi përfundimtar me TVSH. Për të verifikuar gjendjen e mallit në farmaci, në udhëzimin e Financave thuhet se “gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, çdo person juridik apo fizik, importues apo prodhues i barnave, në fund të çdo muaji, do të deklarojë stokun në organin tatimor ku është i regjistruar”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›