E Shtunë, 31 Tetor 2026

Struktura e re e shkollave

SHKRUAN: Jonida Tashi 03-02-2011 12:29

Shtohen mundësitë e arsimit dhe punësimit, falë ndjekjes së shkollave profesionale. Miratohet Diploma Profesionale 2-vjeçare, si dhe certifikatat që do të jepen në përfundim të tre nivele të arsimit profesional

Nëntë vjet pas zbatimit të ligjit në fuqi për arsimin profesional, qeveria ka miratuar dje projektligjin e ri për këtë sistem jo pak të rëndësishëm në arsimin parauniversitar. Projektligji i propozuar për arsimin dhe formimin profesional, jo vetëm që është në përputhje me ligjin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK), por, për herë të parë, ai qartëson të gjitha llojet e kualifikimeve dhe njohjen e diplomave/certifikatave përkatëse, si dhe siguron lëvizjet vertikale dhe horizontale të nxënësve dhe studentëve në sistem, përfshirë këtu edhe të nxënit informal dhe jo-formal. Struktura e re e arsimit profesional bazohet në strukturën e kualifikimeve profesionale, të parashikuara nga Korniza Shqiptare e Kualifikimeve (KSHK), e cila ka si qëllim zhvillimin, njohjen dhe dhënien e kualifikimeve në Republikën e Shqipërisë, bazuar në standardet e njohurive, të shprehive dhe kompetencave, që duhet të arrijnë nxënësit, studentët dhe kursantët. Ndër ndryshimet më të rëndësishme të propozuara të ligjit nr.8872, “Për Arsimin dhe Formimin Profesional në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar janë ato që kanë të bëjnë më strukturën e shkollave profesionale. Për këtë fundit, në projektligj përcaktohet se arsimi profesional vijon mbas arsimit bazë 9-vjeçar dhe synon përgatitjen e nxënësve për përvetësimin e njohurive dhe aftësive profesionale praktike. Ai jo vetëm përgatit specialist të aftë për punë, por edhe nxënës që mund të vazhdojnë arsimimin e lartë. Aktualisht, duke filluar nga viti shkollor 2009-2010 në arsimin profesional zbatohet një strukturë e re arsimore me tri nivele, si dhe ofrohen shkollime profesionale afatgjata, (2, 3 dhe 4-vjeçare). Kjo strukturë është në përputhje me Klasifikimin Ndërkombëtar Standard të Arsimit (ISCED), me Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK) dhe me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (KEK), si më poshtë. Arsimi profesional, publik dhe privat që fillon pas përfundimit të arsimit bazë, ofrohet në shkollat profesionale dhe është me kohëzgjatje 2-4-vjeçare. Sistemi i arsimit profesional ofron nivelet e mëposhtme të arsimimit: arsimi profesional bazë, i nivelit I, i orientuar sipas drejtimeve të gjera profesionale me kohëzgjatje 2 vite shkollore pas përfundimit të arsimit bazë. Ky nivel arsimor përfundon me certifikatë të përgatitjes bazë profesionale dhe lejon kalimin në nivelin II të arsimit profesional ose në tregun e punës; arsim profesional i nivelit II, i orientuar sipas profileve profesionale për çdo drejtim profesional, me kohëzgjatje 1 vit shkollor pas përfundimit të arsimit profesional bazë. Ky nivel arsimor përfundon me certifikatë të përgatitjes profesionale dhe lejon kalimin në nivelin III të arsimit profesional ose në tregun e punës; arsim i mesëm profesional, teknik/menaxherial, i nivelit III, i orientuar sipas profileve profesionale me kohëzgjatje 1 vit shkollor pas përfundimit të nivelit II (struktura 2+1+1), ose 2 vite shkollore pas përfundimit të nivelit I (struktura 2+2), të arsimit profesional. Në raste të veçanta ka kohëzgjatje 4 vite, pas përfundimit të arsimit bazë. Ky nivel arsimor përfundon me certifikatën e teknikut/menaxherit në profesionin përkatës si dhe diploma e Maturës Shtetërore Profesionale, që lejon kalimin në tregun e punës dhe në arsimin tretësor; arsimi profesional pas të mesmes (jouniversitar), publik dhe jopublik me kohëzgjatje 1-2 vite shkollore, fillon pas përfundimit të arsimit të mesëm profesional (nivelit III) ose të arsimit të mesëm të përgjithshëm. Në përfundim të tij ofrohet certifikatë e kualifikimit profesional në profesionin përkatës dhe mundësohet kalimi në tregun e punës. Kur zgjat dy vite shkollore dhe grumbullon 120 kredite europiane (ECTS), përfundon me marrjen e diplomës “Diplomë profesionale...” në fushën e arsimimit të kryer. Kjo diplomë mundëson kalimin në tregun e punës si dhe transferimin e krediteve në studimet universitare të ciklit të parë në fushën e arsimit profesional përkatës; formimi profesional, publik dhe privat, fillon pas përfundimit të arsimit bazë, ofrohet në qendrat e formimit profesional dhe zgjat deri në 2 vite shkollore. Realizohet nëpërmjet kurseve të formimit, të riformimit si dhe kurseve urë të riaftësimit profesional, në mbështetje të ri-hyrjes dhe të kalimit nga një profesion në një tjetër. Formimi profesional ofron certifikata të kualifikimit profesional; arsim dhe formim profesional në formë duale, e cila kombinon arsimin dhe formimin profesional në shkollë/qendër (për pjesën teorike) me punën dhe aftësitë praktike në shoqëri (për pjesën praktike), nëpërmjet përcaktimeve të një marrëveshjeje midis pjesëmarrësit, institucionit të AFP dhe shoqërisë.

Miratohet ligji i ri për arsimin profesional

Këshilli i Ministrave miraton ndryshimet në ligjin “Për arsimin dhe formimin profesional”. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e qeverisë, ku janë miratuar edhe ndryshimet në ligjin “Për arsimin dhe formimin Profesional”, të cilat janë orientuar në tre drejtime dhe i hapin rrugën modernizimit të legjislacionit në fushën e arsimit dhe formimit profesional, ngritjen dhe funksionimin e Këshilli Kombëtar të Arsimit dhe Formimit Profesional si dhe Agjencisë përkatëse. Në projektligj i është kushtuar një rëndësi e veçantë krijimit të hapësirave të nevojshme të bashkëpunimit me partnerët socialë dhe komunitetin e biznesit. Ky bashkëpunim është i domosdoshëm për të pasur një arsim dhe formim profesional efektiv dhe sa më pranë kushteve reale të punës. Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe mbështetjen që qeveria do t’u japë bizneseve që bashkëpunojnë dhe mbështesin zhvillimin e arsimit dhe formimit profesional në vend. Rëndësi e veçantë i është kushtuar Këshillit Kombëtar të Arsimit dhe Formimit Profesional, organizimit dhe funksionimit të tij. Në projektligjin e ri është përfshirë edhe Agjencia Kombëtare e Arsimit dhe Formimit Profesional, si një institucion shumë i rëndësishëm që ofron shërbime, si në fushën e arsimit, ashtu edhe të formimit profesional. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8872, datë 29.3.2002 “Për Arsimin dhe Formimin Profesional në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ka si qëllim përmirësimin e ligjit ekzistues, përshtatjen e tij me gjendjen dhe të ardhmen e sistemit të arsimit dhe formimit profesional (AFP), si dhe harmonizimin e tij me kërkesat dhe standardet europiane. Sipas hartuesve të këtij projektligji, periudha 9-vjeçare e zbatimit të ligjit aktual, mund të konsiderohet si një periudhë e reformimit të thellë të sistemit të arsimit parauniversitar dhe në veçanti të arsimit profesional, përsa i përket decentralizimit, modernizimit të sistemit arsimor, ndryshimeve në strukturë dhe përmbajtje, reformës kurrikulare, zhvillimit të arsimit pas të mesëm, etj. Sipas argumentimit të ekspertëve, sistemi i AFP ka pësuar ndryshime thelbësore. Ai përbëhet nga arsimi profesional i mesëm me disa nivele shkollimi, arsimi profesional pas të mesëm (post sekondar), formimi profesional si dhe arsimimi i të rriturve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›