E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një shqiptar mes kampionëve në turneun "WSOP"

Edhe pokeri ka njohur një shqiptar si protagonist. 45-vjeçari Sazan "Sonny" Lusha, ka hyrë mes profesionistëve të këtij sporti, duke qenë jo vetëm pjesëmarrës, por edhe duke siguruar vendin e tretë në turneun e zhvilluar në Atlantik Siti dy ditë më parë, të vlefshëm për "World Series Of Poker", kampionatin më të famshëm në botë. Kanë qenë 901 pjesëmarrës në turneun me rregullat "No limit Hold‘em", ku secili prej tyre ka depozituar 300 dollarë për t‘u regjistruar në garë. Shqiptari Lusha ka arritur deri në tavolinën finale, duke eliminuar disa prej pretendentëve, ndonëse ka qenë një prej lojtarëve me më pak fisha të siguruara gjatë eliminatoreve. Në fund, ai është dashur të dorëzohet para rumunit Mircea Jonesku, fitues i këtij turneu dhe profesionist prej shumë vitesh. Pokeristi shqiptar ka fituar 21624 dollarë në këtë turne, duke shënuar edhe arritjen më të madhe të tij si lojtar profesionist. Ai ka marrë pjesë shpesh në turne të rëndësishëm në SHBA, duke qenë një i pasionuar pas këtij sporti, ndonëse puna e tij e zakonshme është biznesi i ndërtimit në Nju-Jork. Duket se viti 2007 ka qenë i suksesshëm për shqiptarin Lusha, i cili 6 muaj më parë ishte renditur i 7-i në një tjetër turne profesionist. Loja e pokerit është shumë e njohur në Shqipëri, por deri tani asnjë shqiptar nuk kishte arritur të shpërthente në turnetë madhorë të këtij sporti në botë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›