E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Harshovasjell shqipMartin Luter Kingun

TIRANE- Ilir Harshova në bashkëpunim me shtëpinë botuese "Toena", i ofron lexuesit shqiptar filozofinë e Martin Luter Kingut. Në parathënien e tij, Harshova shkruan se Martin Luter Kingu do të mbahet mend jo vetëm si personi që u vu në krye të protestave pa dhunë për të drejta civile dhe që arriti fitore me to, por edhe për predikimet dhe fjalimet e tij të shquara, jo vetëm për nga bukuria dhe nga emocionet që të ngjallnin, por sidomos nga morali dhe nga të vërtetat që përçonin. "Ai pati aftësinë e rrallë që në predikimet e tij të universalizonte tregimet e Biblës dhe moralin e tyre dhe me to të shpjegonte e të krahasonte veprimet e sotme. Dikur, gjatë kohës së komunizmit, dikush më pat thënë se në doganat shqiptare, doganierët kishin urdhër të prerë të kontrollonin me kujdes se mos gjenin në sendet që sillnin udhëtarët nga jashtë armë dhe libra dhe, ndër librat, veçanërisht - Biblën", - kujton ai. Nga një bisedë që ka pasur një herë me një doganier, Harshova do të merrte vesh se televizorët që vinin nga jashtë i hapnin të gjithë dhe i hapnin për të parë se mos brenda tyre ishte futur ndonjë Bibël, madje 'kishte qëlluar edhe që kishin gjetur. "Nga këto që dëgjoja, Bibla në mendjen time merrte kuptimin e armikut më të rrezikshëm të komunizmit dhe kjo më ngjallte kureshtjen për ta lexuar e studiuar me rastin më të parë. Një shoku im, me të cilin mund të bisedoja hapur, më tha një herë se i kishte ardhur një kushëri i afërm nga Amerika dhe se ai kishte mundur të sillte edhe një Bibël", - tregon autori. Kur pas rënies së komunizmit u hapën institucionet fetare, ai shkruan se çdo të diel shkonte në Kishën Katolike tek rruga e Kavajës, "madje merrja me vete edhe fëmijët e mi të vegjël. Një herë qëlloi që erdhën aty misionarë të huaj, të cilët shpërndanë bibla të përkthyera shqip. Biblën që mora aty e lexova dhe e rilexova me shpejtësi. Të them të drejtën, u zhgënjeva me të dhe pyeta veten: Këtij libri i trembej aq shumë komunizmi?". E siç kujton, jo vetëm që nuk kuptoi në të ndonjë gjë kundër komunizmit, por nuk iu duk se kishte edhe ndonjë vlerë tjetër kushedi se çfarë. "Shumica e pjesëve të saj m'u dukën si përralla. I pamësuar që në vogëli me kulturë fetare, ai libër nuk m'u duk i përshtatshëm për një njeri të shekullit të njëzetë e aq më tepër për një njeri të shkencës siç e mbaja veten unë", - thotë ai. Por, kur ka lexuar për Martin Luter Kingun, kur dëgjoi dhe lexoi predikimet e tij, kur mësoi se sa me vend i lidhte ai problemet e kohës së sotme me ato të kohës së Biblës, Harshova ka ndërruar mendje dhe ka kuptuar se Bibla kishte vlera, por duhej dikush t'i vinte në dukje ato, t'i interpretonte ashtu siç duhej e t'i vinte në planin e sotshëm kohor. Bibla është një libër me interpretime të shumëfishta, me një kod "të fshehtë", i cili duhet zbuluar. "Kur e zbulon atë, mund të vësh re se Bibla është një libër jo vetëm kundër komunizmit, por edhe kundër racizmit, edhe kundër kolonializmit, edhe kundër kapitalizmit, edhe kundër çdo sistemi shtypës", - përfundon ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›