E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Kerni: “Balerini që donte të bëhej dentist…”

EKSKLUZIVE/ BALERINI I NJOHUR SHQIPTAR FLET PËR GAZETËN “ALBANIA”

Petrika GROSI
E takuam Ilir Kernin në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, ku balerini i njohur zhvillon provat si koreograf i premierës “Kopelia”. Me mirësjelljen dhe thjeshtësinë që e karakterizon, ai pranoi të japë një intervistë ekskluzivisht për gazetën “Albania”. Kerni tregon mbi fillimet e tij me baletin, daljen jashtë Shqipërisë, vështirësitë dhe eksperiencën e tij kroate. Ai është një tip tepër modest. Në sinqeritet e sipër, krejt spontan, Iliri na thotë në një moment jashtë intervistës se ndonjëherë i trembet gjithë vlerësimit dhe jehonës së madhe që i është bërë dhe po i bëhet nga mediat dhe kritika shqiptare. Mes të tjerash, balerini i njohur kujton detaje edhe nga njohja e hershme me bashkëshorten e tij, Dorotean, e cila i ka qëndruar pranë gjatë gjithë kësaj kohe: në sukseset, gëzimet apo edhe në momentet më delikate të jetës së tij. I thamë se ngjan shumë me Paolo Maldinin dhe ai, duke qeshur, na e ktheu se i vetmi ndryshim mes tyre është që Maldini ka milionat në bankë, ndërsa Iliri jo... Balerini Kerni zbulon edhe një fakt tjetër shumë interesant. Nëse rastësia nuk do të kishte bërë që ai t’i hynte rrugës së artit të baletit, ndoshta, sipas të gjitha gjasave, sot Ilir Kerni do të ishte një stomatolog...

Si po e përjeton Ilir Kerni rikthimin në skenën shqiptare?
U bë më shumë se një muaj që jam në Shqipëri dhe mund të them që më duket sikur nuk jam larguar kurrë nga vendi, në një kohë që më duhet të mendoj se puna dhe të gjitha gjërat e tjera më presin atje, në Kroaci. Është një fenomen i çuditshëm. Kur kthehem në Shqipëri, harroj se sot për sot i përkas teatrit kroat dhe jetën e kam ndërtuar në atë vend. Kënaqësia dhe komoditeti shpirtëror që ndiej në vendin tim më bën të harroj se bëj pjesë diku tjetër. Megjithatë, këto janë gjëra që tek artistët ndodhin. Kthimet në botëra të ndryshme janë pjesë e jetës sonë. Jam i bindur që menjëherë pas premierës do të kthehem dhe do të rifilloj punën që kam lënë në Kroaci.
Çfarë pune keni lënë pezull në Kroaci?
Kam lënë punën si baletmaestër tek “Arrëthyesi”. Jemi disa baletmaestro dhe një pjesë e tyre nuk ishin shumë të kënaqur me largimin tim, pasi u mbetej atyre edhe puna ime. Megjithatë, më 17 janar do të marr pjesë në shfaqjen “Dance makabër”, që është një shfaqje moderne me temë biblike, ku kam rolin e Adamit.
Kësaj here vini në Shqipëri si koreograf. ǒdo të thoshit?
Është një projekt që u diskutua gjatë sipas propozimit që m’u bë nga drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, Zhani Ciko. “Kopelia” ishte përzgjedhja më e goditur, që, sipas meje, mund të bëhej në atmosferën e festave të fundvitit. Besoj se do të jetë një spektakël i pëlqyeshëm, argëtues dhe njëkohësisht me kërkesa të larta profesionale për solistët dhe ansamblin. Kemi punuar me pasion të gjithë së bashku. Do të falënderoja trupën dhe bashkëpunëtorët e mi të afërt që janë: koncertmaestrja Enina Lozi dhe baletmaestrja Alisa Gjoni.
Thatë se do të jeni shumë kërkues me solistët dhe balerinët. A shikoni disiplinën e duhur te ta?
Unë kam punuar në shumë vende, në Francë, Kroaci, por edhe me trupa të tjera, portugeze, një trupë të krijuar nga Europa e Mesme, (vendet që lagin Danubin), me të cilat kemi zhvilluar turne nëpër botë. Meqenëse unë vetë jam produkt i teatrit shqiptar, njoh mirë gjithçka në teatër, por njoh mirë edhe atë që ndodh aktualisht nëpër botë. Nëse mund të bëja një diversion të jetës sime, goditja e parë që kam marrë kur dola jashtë Shqipërisë ishte disiplina. Nuk arrija ta kuptoja në fillim se si mundet që kërcimtari të punojë gjithë ditën. Por, me kalimin e kohës, duke vënë dëshirën dhe pasionin në plan të parë, i kalova këto vështirësi që nuk janë të lehta për një njeri: të riedukohet me disiplinë dhe një punë konstante. Megjithatë, nëse ekziston dëshira për punë dhe dashuria për artin, atëherë arrihen të gjitha. Mund të them që ne kemi punuar çdo ditë, paradite e pasdite, pa pasur asnjë lloj tensioni në këtë drejtim, ndonëse artistët shqiptarë nuk e kanë këtë praktikë. Çdo gjë vjen gradualisht.

Çfarë i mungon sot baletit shqiptar?
Me kohë, gjërat besoj se do të vihen në vend. Pikësynimi që duhet arritur është të ketë një repertor konstant vjetor. Në këtë mënyrë, artistët qëndrojnë në skenë e mund të jenë të gatshëm që t’i bëjnë ballë asaj duke pasur një repertor të gjerë, në të njëjtën kohë edhe publiku do të afrohej më shumë me këtë gjini. Mendoj se në Shqipëri mbizotëron ana e spektaklit televiziv. Por, natyrisht, njerëzit do të ngopen me këtë bombardim dhe do të jenë të detyruar t’i kthehen shijes së hollë, asaj që mund të përftohet vetëm nga kontakti i drejtpërdrejtë me teatrin.

A nuk ju duket si problem jo vetëm shqiptar?
Është e vërtetë deri në një farë pike, por mund të them që në shumë vende ekziston një traditë e madhe në këtë drejtim dhe publiku i teatrit është tepër besnik. Jam i bindur që teatrin ata nuk e ndërrojnë me asgjë.

A e ka kulturën e duhur teatrore publiku shqiptar?
Informacion ka mjaft, por tjetër është informacioni dhe tjetër është kërkimi për të shijuar vlera të vërteta artistike. Në këtë drejtim do të thoja që me kohën do të vijë momenti kur dyert e teatrit do të jenë shumë të frekuentueshme.

Nëse do të ktheheshim pas në kohë, si e kujtoni fëmijërinë?
Nga fëmijëria nuk mbaj mend ndonjë gjë të veçantë, përveç fillimeve të mia në këtë destinacion që ishte arti i baletit. Rastësisht kam hyrë në këtë profesion. Fare rastësisht, atëherë kur përzgjedhja e elementëve bëhej nëpër shkolla. Në ndryshim nga sot, atë kohë nuk përzgjidheshin elementë të patalentuar apo me mik. Përveç kësaj mund të them se ishte fillimi i dashurisë që jepnin të gjithë ata që kishin mbaruar në Rusi për të krijuar gjeneratat e para të kërcimtarëve. Kjo është një meritë e profesorëve tanë që vazhdon deri në ditët e sotme. E sotmja është sepse kanë qenë ata dje që sollën traditën e baletit të parët në Shqipëri. Natyrisht, me hapjen e vendit u realizua edhe ëndrra e shumë kërcimtarëve për t’u kulturuar më tej me artin bashkëkohor. Sot janë shumë kërcimtarë shqiptarë që e kanë gjetur veten jashtë shtetit. Kjo është një pasuri e madhe sepse ata kulturohen në profesionin e tyre dhe një ditë mund të shërbejnë për të ndihmuar sadopak shkollën tonë të baletit.

Çfarë mendonit të bëheshit para se të hynit në botën e baletit?
Kur kam qenë i vogël në familje ishim pesë fëmijë. Më kujtohet se im atë punonte fshehurazi si dentist në shtëpinë tonë dhe kam ndjekur procesin e punës së tij. Ndoshta, po të mos i kisha hyrë kësaj rruge, sot do të isha stomatolog ose dentist.

Stomatologjia ishte pasioni juaj?
Ndoshta mund të ishte rrjedhojë logjike nëse nuk do të vinte baleti, por edhe futbollin e kam dashur shumë. Me të u divorcova qëkur hyra në shkollën e baletit dhe nuk luajta më. Arriti puna deri aty sa tani nuk mund të shikoj asnjë ndeshje futbolli, me përjashtim kur ka ndonjë eveniment me përmasa të botërorit ose europianit, për të cilat mund të shfaq interes.

Megjithatë, ngjani shumë me kapitenin e Milanit, Paolo Maldinin...
Nuk jeni i pari që ma thoni. Mund t’ju them se shumë veta ma kanë thënë, deri në Japoni më ka ndodhur kjo. Ishin disa kërcimtarë italianë që kontaktuan për herë të parë me mua dhe kur hyra në sallën e baletit thanë: “Non e possibile!...” Menduan se mos Maldini do të kërcente… Po, është e vërtetë që ngjajmë shumë. Me një ndryshim të vogël: Maldini është milioner, ndërsa unë...

Si ndodhi që përfunduat në Teatrin Kombëtar të Kroacisë?
Pasi u largova nga opera shqiptare, shkova me bursë të UNESCO-s për specializim në Operën e Parisit dhe atë të Strasburgut. Atje u njoha me një drejtor, i cili më propozoi që të kaloja në Kroaci. Vajta në Kroaci dhe mund të them se ka qenë një shans në shumë kuptime. E para, aty është një teatër me traditë prej 140 vjetësh. E dyta, sepse teatri kroat është nga kompanitë e rralla që mbajnë repertorin klasik dhe atë kontemporan njëkohësisht. E treta, sepse ndihem mirë në atë vend, ku jam edhe nënshtetas. Duke qenë shtetas me pasaportën kroate, kam pasur mundësinë të lëviz lirshëm nëpër botë, gjë që e kisha të vështirë ta bëja me nënshtetësinë shqiptare.

Momenti më i vështirë për ju?
Po flas sinqerisht, më besoni kur them se gjithë kohën jam në momente të vështira. Edhe tani që jap këtë intervistë ndodhem në një moment të vështirë, pasi jam para premierës.

A ka ndodhur që një rol, të cilin e kishit për zemër, t’jua kenë marrë pa të drejtë?
Në përgjithësi, kurrë nuk kam kërkuar të zhvas asgjë në jetë. Nuk jam unë që kërkoj të vij në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë për të vënë “Kopelia”-n, por është TOB-i që më fton. Nuk kërkoj unë që të bëhem baletmaestër në Kroaci, por ata që më kanë bërë. Nuk kërkoj as që ta jap këtë intervistë me ju... E pra, nëse të gjitha këto vijnë si rezultat i një vlerësimi objektiv, atëherë “welcome”. Kjo është natyra ime. Më intereson të jap më të mirën e mundshme dhe gjithçka e bëj në radhë të parë për të nxjerrë në pah ato që quhen “vlera të vërteta”. Nëse dikush do të më japë diçka, do ta bëjë këtë vetëm se e meritoj. Nëse jo, sukses me çdo çmim nuk kërkoj. Kjo nuk do të ishte aspak normale. Ju siguroj se gjërat që kam bërë janë rezultat i punës sime dhe i vlerësimit që të tjerët shfaqin për mua.

Pavarësisht talentit, sa mendoni se duhet fati që të bëhesh dikush?
Natyrisht, duhet të jesh në momentin e duhur në vendin e duhur dhe kjo pa diskutim që është e rëndësishme. Megjithatë, nëse prapa talentit ekziston një punë dhe seriozitet i madh, atëherë është e pamundur që një herë të mos dalësh në dritë.

Si i gjykoni ata shqiptarë, artistë ose jo, që arrijnë deri në mohimin e kombësisë?
Për vete nuk do ta bëja kurrë një gjë të tillë. Unë e kam marrë shumë shpejt nënshtetësinë kroate me kërkesë të Ministrisë së Kulturës të Kroacisë, në bazë të nenit 12 të kushtetutës së tyre, që “nënshtetësia jepet për nevojat e shtetit”. Duke qenë i futur në këtë nen, nuk je i detyruar që ta heqësh nënshtetësinë tënde. Pra, jam automatikisht me dy nënshtetësi, kroate dhe shqiptare. Edhe bashkëshortja ime, Dorotea, për rrjedhojë ka dy nënshtetësi. Pyetja që më bëtë ju, për natyrën time as që diskutohet. Nuk do ta mohoja kurrë kombësinë shqiptare. Fundja, mirë apo keq, nuk e kemi zgjedhur ne atë se çfarë lindim.

Ndonëse ishit artist, a keni ndier diskriminim kur u larguat nga Shqipëria?
Po të thoja se nuk kam ndier diskriminim, atëherë do të gënjeja. Mund të pohoj se nuk kam ndier diskriminim në punën me kolegët e mi, por kjo ndoshta edhe për karakterin tim, që nuk lejoj të më shkelë njeri në kallo. Përveç asaj, talenti bën punën e vet dhe është mposhtës ndaj çdo lloj dashakeqësie.

Le të kalojmë te familja, si jeni njohur me bashkëshorten?
Me Dorotean kemi qenë fqinjë. Në atë kohë isha i ri dhe fillova të bëhem i njohur si balerin. Nuk arrija ta kuptoja se si kishte mundësi që një vajzë e thjeshtë, si Dorotea, të cilën unë e pëlqeja aq shumë, të mos ma fërshëllente fare, të paktën ajo ashtu hiqej...

Pse, çfarë ndodhi më vonë?
Duke u interesuar për këtë vajzë, e ngacmoj një mbrëmje vere, teksa ecte rrugës, pa shpresën se ajo do të ndalonte. Ndodhi ajo që nuk e prisja: Dorotea ndali dhe unë u hutova, mbeta si i bllokuar. Shpejt dola nga situata, por edhe ajo reagoi me shumë edukatë. Më tej gjërat ecën para mes nesh dhe edhe sot e kësaj dite jemi bashkë.

Ndërsa tani me siguri është ambientuar me profesionin dhe famën tuaj, a bëhej xheloze në fillim Dorotea për ju?
Ajo është një tip shumë krenar për t’u shfaqur e tillë. Nuk dorëzohet kollaj.

Ju mbetet shpesh kohë e lirë dhe si e kaloni?
Kohë të lirë nuk është se kam shumë, por, gjithsesi, atë kohë që mund ta quaj se më mbetet e tillë e shfrytëzoj për të dalë jashtë Zagrebit. Shkoj në bregdet ose bëj turizëm fshati.

Së fundi, mosha bën të vetën. A keni nisur të ndieni nostalgji ndoshta për numra të cilët sot nuk mund t’i realizoni si dikur?
Absolutisht jo. E para, në kërcim quhem i realizuar dhe, së dyti, e përjetoj me të njëjtin pasion e emocion kohën kur punoj me të tjerët.

20 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›