Përgënjeshtrohet lajmi, Lopez dhe Antoni nuk janë në krizë
Zëdhënësi i këngëtares Xhenifer Lopez dhe Mark Antonit ka reaguar pas thashethemeve se martesa e çiftit është në krizë. Ai deklaroi se të gjitha sa shkruhen janë gënjeshtra të sajuara, që nuk kanë asnjë bazë. “Ata vazhdojnë të jenë bashkë dhe janë shumë të lidhur”, - tha zëdhënësi. Shtypi amerikan publikoi para dy ditësh lajmin se çifti ndodhej në krizë, duke marrë shkas nga mungesa e unazave të marteses te të dy partnerët. “US Weekly” i referohej një burimi, sipas të cilit Xhenifer Lopez dëshiron t’i shpëtojë kontrollit të të shoqit dhe t’i kthehet jetës së vjetër. Sipas shtypit të dy ditëve më parë, Xhenifer Lopez ndihej e lodhur nga pampersat, biberonat dhe ushqimi që përgatit çdo ditë. Roli si mbretëreshë e familjes e ka lodhur dhe mërzitur aq shumë, sa prej kohësh ka hequr edhe unazën e martesës, simbol i dashurisë së përjetshme për bashkëshortin Mark Antoni. “Lopez duket e lodhur nga roli si “shtëpiake e dëshpëruar” dhe kujton me mall kohën kur konsiderohej seksi para se të mbetej shtatzënë”, - shkruhej në gazeta. Por çifti nuk ngurroi të përgënjeshtronte lajmin duke bërë të ditur se asnjë gjë nuk është e vërtetë, jeta e tyre rrjedh për mrekulli ashtu si më parë dhe nuk do të ndahen.
Madona do t’i kalojë Krishtlindjet pa fëmijët
Shpresat e Madonës për t’i kaluar Krishtlindjet në paqe janë shuar pasi ish-bashkëshorti nuk e ka lejuar atë të qëndrojë në shtëpinë që dikur ndanin së bashku. Këngëtarja kishte ëndërruar një festë normale për tre fëmijët, por Gaj Riçi nuk ka pranuar që ajo të qëndrojë në Ashkomb Haus në Ualtshajër. Një burim pranë regjisorit britanik tha se ai priste me padurim të shihte fëmijët dhe t’i kalonte me ta Krishtlindjet, por është shumë për të që mund të pranojë në shtëpi edhe Madonën. “Do të zgjohej në mëngjes dhe do ta shihte atë në kuzhinë, kështu do t’i zgjoheshin kujtimet e trishtuara”, - u shpreh burimi. Shtëpia i kaloi Riçit pas marrëveshjes për divorcin. Madona nuk e pëlqen shtëpinë, por preferoi të kalonte Krishtlindjet atje për të mirën e fëmijëve. Regjisori ka kërkuar që këngëtarja të kthehet në Nju Jork, por ajo refuzon të ndryshojë planet.
20 Dhjetor 2008