"Ilir Kumbaro", Britania nuk e pohon ekstradimin
Britania e Madhe nuk do ta ekstradojë Ilir Kumbaron derisa të mbarojë gjyqi për llogari të atjeshme. Më pas, do të shihet statusi i tij dhe do të vendoset nëse do të ekstradohet apo jo. Kjo është deklaruar nga ministri i Shtetit për Policinë, e Mbretërisë së Bashkuar, Vernon Coaker, i cili pohoi se është njohur gjerësisht me çështjen e Kumbaros. I pandehuri i çështjes "Remzi Hoxha", Ilir Kumbaro, nuk do të ekstradohet në Shqipëria nga Britania, për sa kohë që drejtësia angleze e ka atë nën një proces gjyqësor. Kjo u bë e ditur nga ministri i Shtetit për Policinë, Krimin, Sigurinë dhe Çështjet e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Vernon Coaker, pas një konference për shtyp që pati në ambientet e konsullatës angleze në Tiranë. Coaker, i cili ndodhet në Tiranë prej ditës së djeshme, komentoi çështjen e ekstradimeve dhe bashkëpunimin e gjerë që ka pasur me policinë shqiptare. Ai tha se "Tirana ka kërkuar një sërë ekstradimesh dhe ne, vetëm gjatë vitit 2008, për llogari të drejtësisë shqiptare kemi ekstraduar shtatë persona. Ekstradimet u kryen sipas ligjeve britanike". I pyetur rreth Ilir Kumbaros, i cili aktualisht është në burgun anglez, ministri britanik pohoi se është njohur gjerësisht me çështjen e Kumbaros. Por, ai shtoi se Kumbaro është nën një proces gjyqësor në Britani dhe se nuk ka çfarë të shtojë më për këtë çështje. Në këtë kuadër, ai tha se autoritetet britanike po rishikojnë të gjitha rastet e azilantëve me identitet të rremë. Kështu, ai ka dhënë një shpresë për drejtësinë shqiptare se shumë shqiptarë që fshihen me identitete të rreme, mund të identifikohen dhe nëse janë të kërkuar nga vendi ynë, atëherë do t‘i nënshtrohen procesit të ekstradimit. Megjithatë, të njëjtin fat pritet të ketë edhe Ilir Kumbaro, pasi aktualisht ai akuzohet për vepra penale edhe në Britaninë e Madhe. Ish-oficeri i lartë i Shërbimit Sekret, Ilir Kumbaro, që është nën akuzë për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit, Remzi Hoxha, u arrestua në Londër, në muajin tetor, pas një kërkimi ndërkombëtar nga Interpol, pasi kishte qenë për një kohë të gjatë në survejim. Burime të Scotland Yard në Londër bënë të ditur se Kumbaro kishte ndërruar disa herë adresën e banimit në kryeqytetin britanik për të mos rënë në gjurmët e policisë. Gjatë kësaj kohe, Kumbaro është mbajtur nën vëzhgim për të konfirmuar faktin nëse ai ishte në të vërtetë personi që kërkohej nga drejtësia shqiptare apo nëse kishin të bënin me një person tjetër. Autoritetet britanike, më datën 6 tetor, zhvilluan një gjyq, që ka pasur si palë Ilir Kumbaron, i cili duhet të paraqiste dokumentet pranë Gjykatës Britanike që të vërtetonte se ishte personi që identifikohej e jo një tjetër.