Spartak Ngjela zyrtarizon Partinë Ligj dhe Drejtësi
Zyrtarizohet partia e deputetit Spartak Ngjela. Ligj dhe Drejtësi do të jetë rivalja e ardhshme e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit, pas regjistrimit zyrtarisht si forcë politike në gjykatë. Programi i paraqitur prej dyshes Spartak Ngjela dhe Gilman Bakalli e pozicion Partinë për Ligj dhe Drejtësi, si një grupim politik i qendrës së djathtë. Krijimi i kësaj partie erdhi pas një pune të gjatë të dy deputetëve të larguar nga Partia Demokratike në legjislaturën e fundit. "Ne jemi parti e ligjit dhe drejtësisë dhe nuk pranojmë shkeljen e Kushtetutës. Ne respektojmë institucionet nëse ato e zbatojnë ligjin", u shpreh avokati dhe deputeti Spartak Ngjela, që do të mbajë edhe postin e kryetarit të kësaj partie. Sipas tij, në Shqipëri funksionon vetëm 17 për qind e zbatimit të ligjit dhe Partia për Ligj dhe Drejtësi ka kapur kontradiktat thelbësore, ku një ndër to është mosrespektimi i ligjit. Deputeti Gilman Bakalli, në rolin e sekretarit të përgjithshëm, sqaron nga ana tjetër se, ish të përndjekurit dhe ish-pronarët do të jenë mbështetësit e partisë më të re të Kuvendit. Sipas tij, kjo kategori që deri dje ka qëndruar larg kutive të votimit do të orientohet drejt zgjedhjes më të re që mban emrin Ligj dhe Drejtësi. PDK, LZHK dhe Ligj dhe Drejtësi kanë rënë dakord për krijimin e koalicionit të Polit të Lirisë, si një alternativë brenda qendrës së djathtë.