E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Kumbaro: “Më siguroni azil, të tregoj për Remzi Hoxhën”

Autori i Lajmit: red.
Ish-shikasi në kohën e zhdukjes së biznesmenit Remzi Hozha dhe një prej të dyshuarve në këtë çështje, ka pranuar të bashkëpunonjë me drejtësinë. Në këmbim të dhënies së gjithë informacionit në lidhje me rrëmbimin, torturimin dhe më pas zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Ilir Kumbaro ka kërkuar mundësimin e azilit politik në Britaninë e Madhe. Tratativat për zbardhjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës dhe në këmbim të statusit të dëshmitarit të drejtësisë ish-shikasi mësohet t i ketë realizar në Londër gjatë dy ditëve të fundit. Nuk bëhet e ditur ende nëse Prokuroria do t i ofrojë garancinë e kërkuar Kumbaros, por në rrugë shumë konfidenciale mësohen pretendimet e tij. Bisedimit mes grupit të Prokurorisë dhe Ilir Kumbaros nuk janë zyrtarizuar nga organi i akuzës dhe i mbetet kohës për të parë rrugën që do të zgjedhin përfaqësuesit e Prokurorisë për të zbardhur ngjarjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve.
Kërkesa
I shumëkërkuari nga policia, Ilir Kumbaro, duket se do të zgjedhë rrugën me më pak kosto për të larë hesapet me drejtësinë shqiptare. Pak pas arrestimit si i dyshuar për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, ish-shikasi ka kërkuar bashkëpunimin. Zbardhjen e gjithë skemës së krimit, ku 13 vjet më parë është zhdukur në rrethana misterioze biznesmeni shqiptaro-maqedonas, Kumbaro peretendon ta këmbejë me azilin politik në Angli, ku dhe është vënë në pranga. Nga burime konfidenciale mësohet se në Mbretërinë e Bashkuar, Kryeprokurorja shqiptare, Ina Rama, së bashku me drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela, "kanë marrë" një propozim të papritur nga Ilir Kumbaro, i akuzuar në Shqipëri si një nga personat që ka rrëmbyer dhe më pas zhdukur Hoxhën. Sipas burimeve tepër konfidenciale, ai ka pranuar të tregojë të gjithë historinë e rrëmbimit dhe torturimit të biznesmenit shqiptaro-maqedonas, por me një kusht: të mos ekstradohet në Shqipëri, si dhe të fitojë azilin politik në Angli, duke përfituar njëkohësisht të gjitha privilegjet që i jep ligji një "të penduari”. Pas propozimit bërë delegacionit shqiptar, menjëherë kanë filluar konsultimet. Meqenëse në ekipin e lartë që ndodhet në Londër është edhe drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela, dikur një nga prokurorët që ka hetuar dosjen në fjalë, çështja është diskutuar në detaje, dhe parimisht është rënë dakord që Ilir Kumbaro të fitojë statusin e të penduarit.
Hetimi
Sipas disa burimeve, dyshohet se tre të pandehurit e tjerë të këtij procesi, Ilir Kumbaro, ish-kryetar dege në Drejtorinë e SHISH-it Tiranë; Avni Koldashi ish-shef i bazës së vëzhgimit të Drejtorisë së SHISH-it; Budjon Meçe ish-inspektor në Drejtorinë e SHISH, që të mos jenë në vendin tonë. Pikërisht nëpërmjet këtij urdhri të nxjerrë organi i Prokurorisë kërkon që ky i fundit të jetë i pranishëm në seancat gjyqësore, në mënyrë që të japë edhe shpjegime kur të pyetet për veprat penale që rëndojnë mbi të, akuza për të cilat do të rigjykohet për të dytën herë. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë bërë të ditur se katër të pandehurit nuk janë me masë sigurie, pasi këta të fundit e kanë kryer paraburgimin kohë më parë. Dosja hetimore, e cila u rihap në vitin 2006 për rrëmbimin e biznesmenit Hoxha, ka në brendësi të saj dëshmi të pafundme të dëshmitarëve. Midis tyre janë edhe dy nga dëshmitë kyç të këtij procesi.
Zhdukja e Hoxhës
Dosja e vjetër e zhdukjes së biznesmenit maqedonas Remzi Hoxha, që daton në vitin 1995, është rihapur nga Prokuroria. Ndërsa tashmë janë sërish nën hetim dhe krerë të SHISH-it, si të dyshuar në zhdukjen e mistershme të këtij biznesmeni. Deri tani janë katër ish-punonjës të SHIK-ut, të cilët dyshohen si të implikuar në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha në vitin 95. Të pandehur për këtë çështje janë Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Budjon Meçe dhe Ilir Kumbaro. Budjon Meçe ndodhet në spital, për shkak të një sëmundjeje, ndërsa Ilir Kumbaro është në kërkim ndërkombëtar. Më 4 maj Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në mungesë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të pandehurit Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, të cilët dyshohet se janë implikuar në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Katër ditë pas kësaj, Gjykata e Krimeve të Rënda i komunikoi Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit këtë masë sigurie, ndërsa mungonte sërish Budjon Meçe. Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Tatimeve, e cilësoi të padrejtë vendimin e prokurorit, pasi, sipas tij, “pretendimet e tij (prokurorit) janë të pavërteta”.

Remzi Hoxha”, kapet në Londër Ilir Kumbaro
Është vënë në pranga ish-oficeri i SHIK-ut, Ilir Kumbaro, i cili është një ndër të akuzuarit e zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha. Burimet konfirmojnë se prangosja e Kumbaros erdhi pas një kërkimi ndërkombëtar nga Interpoli. Ai është ruajtur dhe përgjuar për një kohë të gjatë deri në finalizmin e aksionit policor. Për të fshirë gjurmët, Kumbaro ka bërë disa herë manovra duke ndryshuar adresë nëpër lagjet londineze. Dosja “Remzi Hoxha”, ka në bankën e të akuzuarve 4 të pandehur, të gjithë ish-punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar. Gjatë seancave të deritanishme gjyqësore kanë qenë vetëm Avni Koldashi dhe Arben Sefgjini. Ky i fundit aktualisht drejtor i Tatimeve. Kanë munguar në seanca gjyqësore Budjon Meçe, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe Ilir Kumbaro që ishte në arrati. Por tani pritet që edhe Kumbaro të jetë para trupit gjykues pas ekstradimit nga Anglia. Ende nuk dihet se sa kohë mund të zgjasë ekstradimi i tij.

Ky lajm është publikuar: 23/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›