E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali: Dhurimi i pasurisë tatohet më shtrenjt se shitja

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Ftesë
Të nderuar lexues: Dërgoni pyetjet tuaja në këtë adresë, të cilat na ndihmojnë për të prekur ato probleme që ju konstatoni në lidhje me këtë problematikë.
denisakona@hotmail.com

Për kontratat e dhurimit paguhet 0.5-3% e vlerës së pronës

Një ditë prej ditësh, i moshuari do ta lërë këtë botë. Por në atë tjetrën ku do të shkojë, nuk do ta marrë shtëpinë dhe asnjë pronë tjetër me vete. Do t i dhurojë, po si? Të gjitha mund t i falë pa asnjë telash, por kur të vendosë të dhurojë pronat e patundshme fëmijëve, nipave apo të afërmve të tjerë, duhet të dijë se, duhet t i bëjë ca dhurata “të vogla” edhe shtetit: “dhurata” për dhurimin e tokës, “dhurata” për dhurimin e dyqanit, madje, edhe të dhomës së tij brenda apartamentit ku ka jetuar me të afërmit. Për çdo pronë të dhuruar, do të tatohet sipas Hipotekës 0.5- 3% të vlerës që ka shtëpia, ndërsa sipas disa noterëve, që nuk e kanë zbërthyer njësoj udhëzimin e Ministrisë së Financave, 10% mbi fitimin (diferencën e çmimit të shitjes me çmimin e blerjes). Jo pa qëllim kemi sjellë në vëmendje një pjesë të udhëzimit, i cili e ka kanalizuar pagesën për dhurimin në një interpretim tjetër: jo si tatim mbi fitimin, por si pagesë për një shërbim rregjistrimi të pronës në hipotekë (që duke e konsideruar si të tillë, është edhe më paradoksale duke krahasuar koston e punës së rregjistrimit të një prone, me milionat e paguara).

Keni një shtëpi që nëse do ta shisnit, mund të nxirrnit prej saj 8 milionë lekë. E keni blerë disa vjet përpara 6 milionë, por tani keni ndër mend t ia dhuroni një vëllai. Në shtëpinë tuaj do të vijë një komision i ngritur nga zyra e rregjistrimit të pasurive të paluajtshme e qytetit tuaj. Komisionerët do të llogarisin se sa do të kushtonte kjo shtëpi me këtë kubaturë, në këtë zonë apo qytet (në rastet e qyteteve që nuk kanë zona për çmimet referuese) dhe kur të vendosin çmimin, janë të detyruar të mos zbresin nën çmimet minimale fiskale (referuese) ashtu sikurse përcakton udhëzimi i Ministrisë së Financave. Por ama, sipër këtij çmimi dysheme, komisionerët mund të vendosin çdo çmim tjetër. P.sh. nëse sipas Udhëzimit, shtëpia juaj mban çmimin e tatueshëm 7 600 000 lekë, (që do të thotë se nuk mund të zbritet nën këtë çmim), ju do të tatoheshit më e pakta 3% mbi këtë çmim. Mirëpo komisionerët kanë dorë të lirë të vendosin një çmim tjetër me atributin e ekspertëve për këtë punë: P.sh. shtëpia sipas llogarive të tyre kushton jo 7.6 milionë por 8.6 milionë. Ju këtë vlerësim nuk mund ta zhbëni, edhe sikur të mos jetë real.
Dhe do të paguanit tatim për dhurimin 3% të vlerës sipas aktit të vlerësimit, (3% është pagesa në hipotekë për pronat me vlerë mbi 6 milionë lekë), pra do të paguanit, 258 mijë lekë të reja. Kjo do të ishte më tepër sesa në rast se do ta shisnit pronën. Kështu, nëse do ta shisnit me çmimin e detyrueshëm të referencës 7.6 milionë, do të paguanit tatim 160 mijë lekë të reja (10% të diferencës së çmimit të shitjes me çmimin e blerjes). Sa më tepër ta vlerësojë komisioni shtëpinë tuaj, aq më tepër paguani ju. Por supozojmë se komisionerët vendosin minimumin e çmimit që është çmimi referencë (fiskal) dhe ju do të paguanit më pak, por edhe në këtë rast, më tepër se në rastin kur do ta deklaronit si blerje: 3% të 7.6 milionëve, ose 228 mijë lekë. Për këtë arsye, jo rrallë në vend të akteve të dhurimit qytetarët preferojnë aktet “e shitjes”.
Çfarë nuk ka llogaritur udhëzimi
“Dhurimi i pronave tatohet, por tatimi i një kontrate dhurimi llogaritet ndryshe nga rasti i kontratave të shitjes (shih tabelën). Jo tatim 10% mbi fitimin, por tatim mbi vlerën e pronës, e cila vendoset nga një komision vlerësimi.” Kështu thotë në hipotekën e Tiranës, përgjegjësi i marrëdhënieve me publikun, Zef Lleshi. Ai shpjegon se tatimi i një prone që dhurohet, është në të njëjtat përqindje, sikurse ka qenë tatimi mbi shitjet para daljes së udhëzimit të Ministrisë së Financave në shkurt të këtij viti.
Por, ndërkaq, risia është se vlera që cakton komisioni i vlerësimit nuk mund të jetë më pak se çmimi minimal fiskal i përcaktuar në shtojcën e udhëzimit të Ministrisë. Duket se në këtë moment ka një nonsens, sepse udhëzimi nuk njeh të vlefshëm në çdo rast vlerësimin që i bën një apartamenti, eksperti, dhe, një kontratë me vlerë nën çmimet fiskale, nuk mund të nënshkruhet, të marr fuqi ligjore nga noteria dhe të rregjistrohet nga hipoteka. Përshembull, udhëzimi thotë se një apartament në zonën 1/1 sipas hartës së çmimeve referencë, ka çmim fiskal 79 300 lekë m/2, ndërkohë që apartamenti mund të jetë i amortizuar dhe eksperti në terren mat shkallën e amortizimit, duke e zbritur atë. Por, këto zbritje nuk janë parashikuar nga akti i nxjerrë për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë.

Dhurim për tokë bujqësore 0.5% e vlerës sipas aktit të vlerësimit

Dhurim trualli ose ndërtese (sipas aktit të vlerësimit)

0.5% për vlerë deri në 2 milionë
1% për vlerë nga 2-4 milionë
2% për vlerë nga 4-6 milionë
3% për vlerë mbi 6 milionë lekë

Heqje dorë nga pronësia tokë bujqësore 0.5% e vlerës sipas aktit të vlerësimit

Heqje dorë nga pronësia, trualli dhe/ose ndërtesa

0.5% e vlerës sipas akt-vlerësimit për vlerësim deri në 2 milionë lekë
1% e vlerës sipas akt-vlerësimit për vlerësim nga 2-4 milionë lekë
2% e vlerës sipas akt-vlerësimit për vlerësim nga 4-6 milionë lekë
3% e vlerës sipas akt-vlerësimit për vlerësim mbi 6 milionë lekë

Noterët në një mendje: Ata që dhurojnë, tatohen më rëndë
Ata që dhurojnë, tatohen edhe më rëndë, sepse nuk u merret për bazë çmimi referencë i zonës ku ndodhet prona. Në këto raste ngrihet një komison që e vlerëson dhe ka të ngjarë, që vlerësimi del edhe më i lartë se çmimi minimal fiskal. Atëherë shtrohet pyetja: Pse ngrihet komision për të vlerësuar një pronë, që dhurohet dhe jo një pronë që shitet? Pse njërës i llogaritet çmimi fiskal i metrit katror për zonën ku përfshihet, kurse tjetrës jo? Dy qytetarë në një zonë, madje në një lagjje, madje në një rrugë edhe në një pallat, nga të cilët njëri shet dhe tjetri dhuron dhe kanë të dy të njëjtin model apartamenti, të themi 1+1, nuk trajtohen njëlloj nga ligji: Madje, ai që dhuron tatohet edhe më rëndë. Ai që e shet, tatohet mbi një çmim fiks dysheme, kurse rasti i atij që e dhuron, kërkon komision vlerësimi.(!) Ky fiktivitet, përligjet në emër të falsitetit se “për rastin e parë, ne e dimë se sa e ka shitur qytetari (ngaqë i kemi vënë çmim të detyruar, ndërsa në rastin e dytë, bëjmë të paditurin për çmimin dhe shkojmë ta verifikojmë!...Antilogjikë. Pa llogaritur faktin, që, ai që dhuron, nuk merr asgjë, dhe në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me marrje- dhënie parash, një aktivitet që shteti e taton. Këto opinione noterët e kryeqytetit i dhanë për “Ballkan” duke qenë të gjithë në një mendje se dhurimi nuk duhet të tatohet fare.
Qytetarët, jo vetëm që nuk fitojmë nga dhurimi i pronave, por për këtë akt bujarie edhe “gjobiten”. Kjo i ka shtyrë ata që, të bëjnë “shitje” fiktive të pronave, me vlera simbolike. Por, me daljen e udhëzimit të ri, nuk do të mund ta bëjnë “shitjen” simbolike, pasi një komision i posaçëm i ngritur për të vlerësuar këto raste, do t u caktojë çmimin e pronës së dhuruar, qoftë kjo edhe një dhomë me një çerek banje e korridori.

Rast në noteri
Një grua e moshuar ia “ka shitur” apartamentin e saj të birit. Kjo ka ndodhur, pasi noterja e ka sqaruar se, për këtë akt-dhurimi do të tatohej më rëndë, pasi vlera e apartamentit të saj do të përcaktohej nga një komision i posaçëm për të çmuar këto raste. Në këto kushte, qytetarja ka preferuar më mirë “të mashtrojë”, duke ia “shitur” apartamentin të birit, më mirë sesa t ia dhurojë. Absurditeti i Udhëzimit të Ministrisë së Financave finalizohet pikërisht në pikën 5 të tij, ku parashikon tatim edhe për rastet e dhurimit të pasurisë së palujtshme: Pra, edhe pse një qytetar nuk e shet, por e dhuron pronën e tij, (p.sh. shtëpinë) ai përsëri do të tatohet njësoj sikur të kishte fitim. Ndoshta ky moment në udhëzim kërkon t i dalë përpara së keqes, rasteve fiktive të deklaruara si akte-dhurimi të cilat mund të zëvendësonin aktet e shit-blerjes me qëllim për t i shpëtuar tatimit. Por, sidoqoftë, gjetja e specialistëve është një dështim i pamundësisë për të realizuar zbatimin e udhëzimit në rrugë të tjera, pa penalizuar padrejtësisht qytetarët që nuk marrin asnjë lek nga dhurimi i pjesës së apartamentit apo pronave të tjera.

Pjesë nga udhëzimi Nr.9 , Datë 26/ 02/2008
“Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së paluajtshme”

9. Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë nëpërmjet dhurimit, transaksioni konsiderohet i tatueshëm dhe për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor do të veprohet si në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë, tokë dhe ndërtesë, nëpërmjet aktit të shitjes.
Në rastet e shitjes njëkohësisht të tokës truall dhe të ndërtesës “njolle” brenda këtij trualli, për përllogaritjen e detyrimit tatimor do të merren në konsideratë të dy elementet: vlera e shitjes së ndërtesës dhe vlera e shitjes së truallit. Vlerat e shitjes së ndërtesës dhe të truallit nuk duhet të jenë më të vogla se çmimet minimale përkatëse të përcaktuara në këtë Udhëzim.

Ky lajm është publikuar: 23/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›