E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Kumbaro vizitoi Shqipërinë në vitin 2000

Ish-drejtori i SHIK-ut në Tiranë, Ilir Kumbaro, i akuzuar nga prokuroria për rrëmbimin e Remzi Hoxhës, Ziso Kristopulit dhe Avdyl Loshajt, ka vizituar Shqipërinë në vitin 2000. Megjithëse ndaj tij kishte një hetim nga prokuroria dhe SHIK-u në atë kohë, ai ka marrë pjesë në ceremoninë mortore të vdekjes së të atit. Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron se ardhja e tij në këtë vit dhe largimi është kryer në fshehtësi të plotë, megjithëse institucionet e drejtësisë shqiptare kishin nisur një hetim për ngjarjen e tetorit të vitit 1995, në të cilën biznesmeni shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha është rrëmbyer. Që atëherë kishte dëshmi që vërtetonin se personi i fundit që ka kontaktuar me të ka qenë Ilir Kumbaro.

Seanca e djeshme
Dje, në seancën gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda, prokurori Xhevat Hana kishte thirrur dëshmitar xhaxhain e Kumbaros, Ali Kumbaron. Sipas prokurorisë, ky dëshmitar do të pyetej rreth "arratisjes" së eksponentit të SHIK-ut në vitin 1996 drejt Anglisë. Mësohet se Ilir Kumbaro, vetëm pak muaj pas rrëmbimit të Remzi Hoxhës në tetor të vitit 1995, është larguar drejt Mbretërisë së Bashkuar së bashku me familjen. Aty ai ka kërkuar edhe azil politik. Për këtë fakt (sipas prokurorisë) ka pasur dijeni edhe xhaxhai i tij, Ali Kumbaro. Por, ai dje në sallën e gjyqit nuk ka pranuar të rrëfejë asnjë detaj rreth këtyre episodeve. Në fillim të seancës, trupi gjykues i bëri të ditur dëshmitarit se kishte të drejtë, sipas ligjeve, që të mos pranonte të dëshmonte, nëse kishte lidhje gjaku apo krushqie me katër të pandehurit. Pas fjalës së trupit gjykues, dëshmitari tha se të pandehurin Ilir Kumbaro e kishte nip dhe nuk preferonte të dëshmonte asnjë detaj rreth jetës së tij. Ndërkohë, prokurori i çështjes, Xhevat Hana, ndërhyri duke thënë se Ali Kumbaro do të pyetej vetëm rreth dy episodeve. "Dëshmitari ka dijeni rreth largimit të Ilir Kumbaros në shtetin anglez në vitin 1996. Gjithashtu, ai ka parë nipin e tij, Ilirin, në vitin 2000 në Shqipëri", theksoi prokurori. Sipas organit të akuzës, i pandehuri Ilir Kumbaro ka ardhur në vitin 2000 menjëherë pas vdekjes së të atit për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të tij. Pavarësisht heshtjes së Ali Kumbaros, prokurori deklaroi se është në dijeni të këtyre fakteve dhe do t‘ia paraqesë trupit gjykues.

Mbrojtja e Kumbaros
Një seancë më parë, Ilir Kumbaro ka preferuar të mbrohet me avokat në procesin gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku po akuzohet për rrëmbim të trefishtë. Trupi gjykues lejoi dy avokatët Bledar Fejzo dhe Vojo Bregu që të mbrojnë interesat e tij. Deri tani ai ishte përfaqësuar në procesin penal nga një avokat i caktuar kryesisht, pasi prokuroria dhe gjykata nuk kishin asnjë informacion se ku ndodhej i akuzuari. Veprimi i familjarëve të Kumbaros vjen pas vendimit të një gjykate në Londër, e cila vendosi që ish-shefi i SHIK-ut në Tiranë, në vitin 1995, të ekstradohet në Shqipëri. Para këtij vendimi, Kumbaro ishte paraqitur dhe kishte këmbëngulur për identitetin e tij si shtetas kosovar, me emrin Shaqa Shatri. Por, pas verifikimeve në Kosovë dhe Shqipëri, rezultoi se ai ishte pikërisht Kumbaro, i akuzuari nga prokuroria shqiptare për rrëmbim të trefishtë. Tashmë pritet vetëm ekzekutimi i ekstradimit të tij, duke i dhënë fund kështu procesit në favor të shtetit shqiptar. Për momentin, për Kumbaron pritet që pas ekstradimit nga Anglia të përballet me drejtësinë shqiptare jo vetëm për çështjen "Hoxha". Pasi humbi të gjitha gjyqet në Londër, duke pretenduar identitet tjetër, tashmë ai ka marrë të gjitha masat që të luftojë nëpërmjet dy avokatëve me provat e prokurorisë shqiptare, edhe pse një javë më parë nuk pranonte se ishte Kumbaro. Mbrojtja e tij po analizon të gjithë dosjen dhe më pas do të vendosë për strategjinë në gjyq.
Krahas xhaxhait të Kumbaros, dje dy ish-roje të bazës së SHIK-ut, Mehill Pjetri dhe Llesh Cali, thanë se shpesh kishin parë punonjës të SHIK-ut që vinin dhe largoheshin nga baza, por që sipas tyre nuk e kishin identifikuar ndonjëherë Remzi Hoxhën. Ndërkohë, nënoficeri roje i SHIK-ut të Tiranës, në vitet 1993-2006, Hysen Fino, pranoi përpara trupit gjykues se e kishin vënë në dijeni që një i ri ishte hedhur nga kati i tretë i godinës së SHIK-ut. Fino pranoi gjithashtu se ishte takuar me Ilir Kumbaron dhe kishte dëgjuar prej tij se do të largohej nga Shqipëria.

Arratisja

Largimi i ish-drejtorit të SHIK-ut në Angli

Kumbaro u arrestua në Londër për llogari të drejtësisë shqiptare, i akuzuar për rrëmbim të trefishtë. Pas largimit nga Shqipëria, në fund të vitit 1996, Ilir Kumbaro ka zgjedhur si vend fshehje kryeqytetin anglez, njësoj si shumë kolegë të tjerë të SHIK-ut. Por Kumbaro është treguar shumë i kujdesshëm në zgjedhjen e identitetit që do të përdorte. Ish-oficeri i SHIK-ut, i arrestuar vitin e kaluar në Londër, gjatë 12 viteve fshehje në Angli, ka përdorur një sërë identitetesh të rreme. Kjo, për t‘i shpëtuar prangosjes pas shpalljes në kërkim në vitin 2000 nga Interpol Tirana. Kumbaro kishte kërkuar azil pranë Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe si shtetas kosovar. Por në dokumente, emri i përdorur prej tij ishte Shaqa Shatri. Po me këtë identitet ai është paraqitur në gjykatë, gjatë seancës së parë gjyqësore të ekstradimit. Kumbaro, në mënyrë mjeshtërore ka mundur të bindë autoritetet britanike se ai ishte shtetas çek që persekutohej në vendin e origjinës. Mospasja e shenjave të gishtërinjve ka qenë avantazhi i përdorur nga ish-kryespiuni shqiptar para autoriteteve britanike të emigracionit. Ministria e Brendshme, pa e ditur se Kumbaro ishte një prej shtetasve më të kërkuar shqiptarë nga Interpoli, e ka pranuar kërkesën e tij për azil. Më 7 nëntor 1998, po kjo ministri i ka garantuar atij leje qëndrimi përgjithmonë në Britaninë e Madhe. Dokumenti për pranimin e azilit është pjesë e dosjes së ekstradimit. Gjatë kontrollit të banesës, në momentin kur ai është arrestuar janë gjetur një seri dokumentesh identifikuese të falsifikuara, që përdoreshin prej tij. Për 54-vjeçarin Kumbaro, njeriun që di të vërtetën për zhdukjen misterioze të biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha 13 vjet më parë, tashmë pritet vetëm ekstradimi. Nëse bindet nga hetuesit të bashkëpunojë, ai mund të tregojë detaje nga rrëmbimi i Remzi Hoxhës, por ndoshta edhe vendin ku është varrosur, siç pretendojnë familjarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›