E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama, vizitë në Francë

Kryeprokurorja Ina Rama po zhvillon prej tri ditësh një vizitë zyrtarë në Francë, ku ka zhvilluar disa takime me drejtësinë vendase, për një bashkëpunim të frytshëm. Burime zyrtare nga akuza qendrore thanë se Rama është nisur të dielën pasdite dhe të hënën ka zhvilluar takimet e para. Mësohet se tematikat e bisedave me homologët e saj francezë kanë qenë bashkëpunimi dypalësh kundër krimit ekonomiko-financiar, si dhe bandat kriminale të përbashkëta, të cilat ushtrojnë aktivitete në Francë dhe investojnë në Shqipëri. Pa përmendur ndonjë rast të veçantë, kryeprokurorja shqiptare ka marrë premtimin se bashkëpunimi i ndërsjellët do të sjellë frytet e para në shkatërrimin e këtyre organizatave kriminale. Në qendër të takimeve do të jetë edhe krimi elektronik, i cili rrezikon një sërë vendesh evropiane, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Prokurorja ka kërkuar që hetues francezë të instruktojnë homologët e tyre shqiptarë në këtë sfidë të vështirë.
Disa javë më parë, një grup hetuesish shqiptarë kanë zhvilluar për disa ditë me radhë takime në Shqipëri, ku epiqendra kanë qenë elementët kriminalë shqiptarë që veprojnë në të dyja shtetet. Sipas burimeve nga prokuroria, hetuesit francezë kanë pyetur edhe për një çështje konkrete, ku një i dyshuar shqiptar ka transferuar shuma të mëdha në shtetin francez. Për këtë rast ka filluar një hetim i dyanshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›