Ilir Meta: Duhet një president që qëndron mbi partitë dhe interesat e tyre
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një vizite në Kuçovë, është shprehur se vendit i duhet një president që qëndron mbi partitë dhe interesat e tyre. LSI është në shërbim të procesit, që të jetë një proces sa më konstruktiv, sa më transparent dhe kemi nevojë për një figurë që të garantojë funksionimin e institucioneve, modernizimin e pandërprerë të tyre dhe për një figurë që të qëndrojë mbi partitë dhe interesat e tyre, tha Meta.
Ai deklaroi se konsensusi është i nevojshëm, por nuk është një mënyrë për të mbetur pa president. Konsensusi është i nevojshëm dhe natyrisht i mirëpritur, por e theksoj se konsensusi nuk mund të jetë një mënyrë për të mbetur pa president, që do të thotë se në çdo rast do të kemi president të zgjedhur me Kushtetutë, unë do ta dëshiroja me konsensus sa më të gjerë. Shqipëria do të ketë patjetër presidentin në kohen e duhur është një zgjedhje e pashmangshme për shkak dhe të Kushtetutës dhe bazuar mbi Kushtetutën, tha Meta.