E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta: Jo ndryshimeve kushtetuese, PS të bëhet pjesë e reformës elektorale

30-07-2011 / Gazeta 55

Analiza e 8 majit, LSI mbledh Komitetin Drejtues, çel fushatën e zgjedhjeve në parti nga 10 shtatori deri më 20 nëntor 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaroi dje se reformimi i Kodit Zgjedhor, është një nevojë urgjente për përgatitjen në tërësi të kuadrit ligjor të zgjedhjeve. Duke vlerësuar procesin elektoral të 8 majit, si zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë, kreu i LSI-së i kushtoi një vëmendje të posaçme ndryshimeve Kushtetuese të kërkuara nga opozita, ku tha se në asnjë mënyrë apo tjetër nuk do të ketë ndryshime të kushtetutës, duke ia faturuar këtë përgjegjësi dhe faj’ të Edi Ramës 3 vite më parë, i cili edhe ishte krye-iniciatori i ndryshimit të ligjit themeltar.
“Tashmë kapitulli i zgjedhjeve të 8 majit është mbyllur dhe me këtë rast unë dua të vlerësojë edhe një herë zgjedhjet e 8 majit, pikërisht si zgjedhjet më të pastra dhe më transparente që janë zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, sikurse janë shprehur edhe partnerët tanë ndërkombëtar. Dhe me këtë rast përgëzoj edhe përfaqësuesit e LSI-së në të gjitha nivelet e administrimit të këtij procesi zgjedhor ku ne morëm pjesë për kontributin e tyre të shkëlqyer për mbarëvajtjen e këtij procesi shumë të rëndësishëm. Koha për reformën zgjedhore absolutisht që ka kaluar në kuptimin e nisjes së saj. Sepse reforma zgjedhore sikurse LSI insistoi duhet të ishte zhvilluar menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2009. Pengesa ka qenë lidershipi i opozitës dhe kjo është për ta ardhur keq. Është e rëndësishme që reforma zgjedhore dhe ndryshimet të cilat kërkohen edhe nga partnerët ndërkombëtarë të mos mbetet përsëri për minutat e fundit, ata që duan forcimin dhe përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve të lira të ndershme dhe evropiane në Shqipëri, duhet të tregojnë vullnetin e tyre për ta nisur që tani reformën zgjedhore dhe pa asnjë kusht. Sepse në fund të fundit kjo është një interesin e shenjtërimit të votës së çdo qytetari shqiptar pavarësisht nga përkatësia partiake. Së dyti, reforma zgjedhore nuk mund të kushtëzohet me ndryshime kushtetuese apo ndryshime të tjera. Këto janë dy çështje krejt të ndryshme. Sepse për sa i takon reformës zgjedhore ka një urgjencë dhe urgjenca ka të bëjë pikërisht me faktin që zgjedhjet e tjera të qershorit të 2013-s janë afër, nuk janë aspak larg. Dhe ne e dimë shumë mirë se si ikën koha dhe në këtë drejtim duhet që ndryshimet në kodin zgjedhor të bëhen në mënyrë të studiuar, transparente, gjithëpërfshirëse e të pjekur pra jo në mënyrë të nxituar. Ndërsa, për sa i takon çështjes së ndryshimeve kushtetuese, është pozitiv fakti që pranohet sot edhe nga autorët e këtyre ndryshimeve të natës së errët të 21 prillit të tre viteve më parë, që ishin të nxituara, ishin të gabuara, por kjo nuk do të thotë që të gabojmë përsëri me ndryshime të nxituar dhe të gabuara. Sepse kushtetuta është ligj themeltar i një shtetit dhe kushtetuta nuk mund të ndryshohet sa herë që ndryshon pozicion politik i një individi apo qoftë edhe i një force politike apo disa të tjerave. Apo qoftë edhe gjithë forcat politike. Kushtetuta është e të gjithë qytetarëve shqiptarë, është bërë me referendum dhe natyrisht çdo proces rishikimi duhet bërë në mënyrë transparente, duhet të ketë kohën e tij dhe nuk duhet të realizohet nën presionet politike të interesave të çastit”, u shpreh Meta.
Duke analizuar 8 majin, Meta tha se LSI arriti një rezultat tepër pozitiv, sepse LSI zhvilloi një fushatë me këmbë në tokë një fushatë pranë qytetarëve një fushatë e cila natyrisht do të sillte një rezultat tepër pozitiv.
“Por kjo nuk do të thotë se kudo LSI performoi në mënyrë tepër pozitive. Kemi rezultate të ndryshme, kemi tregues të ndryshëm. Në 90 njësi vendore LSI ka dalë forcë e parë politike në komunat apo bashkitë përkatëse. Pra në gati ¼ e njësive vendore LSI ka dalë forcë e parë. Kjo tregon se atje ku është punuar, atje ku është besuar te fitorja, atje rezultati ka qenë spektakolar, ashtu sikurse ka njësi të caktuara ku ne jemi jo të kënaqur me rezultate dhe ku natyrisht na duhet të ndërtojmë një punë ndryshe në të ardhmen. Për mua dhe për të gjithë ju është e rëndësishme, që kjo përvojë e freskët e një sfide të tillë e cila ishte tepër e rëndësishme për ne, sikurse ishin zgjedhjet e 8 majit, të shërbejë për forcimin e mëtejshëm të LSI-së, të shërbejë si një stacion drejt rezultateve më të larta drejt sfidave që na presin dhe natyrisht ne në këtë mënyrë të përfitojmë sa më shumë për të forcuar strukturat tona, sepse tashmë rezultate janë të shkruara janë në letër, rezultate janë të vulosura një herë e përgjithmonë”, deklaroi Meta.
Kreu i LSI-së Ilir Meta apeloi për bashkëpunim politik në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës, për miratimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian.
“Mendoj se çdo gjë është e lidhur me të ardhmen evropiane të Shqipërisë, ndaj edhe çdo forcë politike e cila është e interesuar për këtë të ardhme duhet të kontribuojë në përmbushjen e detyrave të saj. Qoftë në mazhorancë qoftë në opozitë. Është e vërtetë që Shqipëria ka ende detyrime prioritete që duhet të përmbushen për të fituar statusin e vendit kandidat, por është po kaq e vërtetë se çdo detyrim që ka mbetur pa u përmbushur ka të bëjë me mungesën e vullnetit të deritanishëm nga ana e lidershipit të opozitës shqiptare për të votuar ligjet e rëndësishme, të cilat kërkojnë një shumicë të cilësuar në parlament. Ndaj edhe deklaratat që vijnë nga deputetë të veçantë socialistë, sikurse ka qenë edhe një ide do të thosha tepër e përgjegjshme dhe pozitive, që gjatë muajit gusht a ka mundësi që parlamenti të mos pushojë por të mblidhet të votojë të gjitha ata ligje të cilat janë gati, të cilat presin të votohen dhe të cilat janë i vetmi kusht që kërkohet në mënyrë që Shqipëria të fitojë statusin e vendit kandidat. Pra, të gjithë ata të cilët vërtet dëshirojnë të kontribuojnë në përshpejtimin e këtyre proceseve integruese të vendit e kanë mundësinë që ta bëjnë këtë gjë dhe ta bëjnë tani, e jo të derdhin lot krokodili disa muaj më vonë për mosarritjen e këtyre objektivave të rëndësishme kombëtare dhe jo thjesht partiake”, tha Meta.
Gjithashtu kreu i LSI kërkoi gjithashtu vëmendje të posaçme të qeverisë dhe faktorëve politik tek problemi më i rëndësishëm që kanë qytetarët shqiptarë është situata e tyre ekonomike dhe sociale.
Në mbledhjen e djeshme të Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, përfaqësuesit e të gjithë qarqeve të deleguar për mbarëvajtjen dhe koordinimin e strukturave të partisë në këto zgjedhje bënë një përmbledhje te rezultateve duke theksuar dhe nevojshmërinë për një organizim më të mirë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në 2013.  Në përfundim të rendit të ditës, Komiteti Drejtues Kombëtar në mënyrë unanime vendosi që për t’u paraprirë fushatës elektorale të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, LSI-ja që nga 10 shtatori deri në 20 nëntor do të futet në një proces zgjedhor për zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese. Ky proces do të finalizohet me zhvillimin e Konventës Zgjedhore Kombëtarë brenda këtij viti.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›