Skizofrenia europiane ndaj luftës në Libi
Katër muaj pas fillimeve të operacioneve ushtarake kundër kolonel Gedafit, qeveritë e Francës dhe Britanisë së Madhe nuk kanë arritur ende në një politikë koherente në Libi dhe faji është vetëm i tyre
Nga Adrian Hamilton (The Indipendent)
Të martën e kaluar, ministri i Jashtëm britanik William Hague ka ndjekur gjurmët e kolegut të tij francez, Alain Juppe (së bashku me të në skenën e Parisit), duke pranuar mundësinë se Gedafi dhe familjarët e tij të mund të qëndrojnë në Libi. Këtë e deklaroi pas disa muajsh që ai dhe Juppe kishin konfirmuar të kundërtën, duke pretenduar largimin e familjes Gedafi nga Tripoli. Dje Haga ndoqi përsëri Francën, duke deklaruar njohjen britanike të opozitës libiane dhe dëbimin e diplomatëve të regjimit të Gedafit nga Londra.
Kjo është demagogji e llojit më të keq për të treguar se pavarësisht pranimit se nuk po arrijnë të lirohen prej Gedafit, Britania e Madhe vazhdon të mbështesë një ndryshim të regjimit. Në të vërtetë, nuk është asgjë më shumë se të marrësh parasysh realitetin.
Britania e Madhe ka shfrytëzuar fuqinë e saj ajrore për të ndihmuar opozitën libiane, me bindjen e thellë se kjo do të kishte modifikuar ekuilibrat ushtarakë dhe do i jepte mundësi rebelëve për të fituar luftën, por nuk ndodhi kështu. Përkundrazi, u krijua një bllokim që mund të zgjasë gjatë gjithë stinës së verës.
Deklarimi se Gedafi mund të qëndrojë në Libi me kusht që të braktisë komandën e vendit, është frymë e harxhuar kot. Thelbi është se udhëheqësi libian nuk do ta lerë kurrë pushtetin derisa të besojë se ka forcën e duhur ushtarake për të vazhduar të dominojë mbi të paktën një pjesë të vendit dhe në fakt duket se e ka këtë aftësi.
Më e mira ёshtё të bindësh rebelët që të ndalojnë zjarrin. Ne mund të parashikojmë se Gedafi në të ardhmen do të largohet nga presionet ekonomike dhe nga humbja e të ardhurave si pasojë e shitjes së naftës. Në afatin shkurtër, politika më e mirë e Perëndimit nuk mund të bëjë reklamën e asaj që koloneli mundet ose jo të bëjë, por të bindë opozitën të deklarojë një armëpushim dhe t’i hapë rrugë kështu negociatave ndërmjet dy palëve, nën patronazhin e OKB-së, BE-së ose Bashkimit Afrikan.
Problemi i vërtetë i politikanëve perëndimorë – dhe i të gjithë politikanëve në përgjithësi – është ai “i posedimit”. Nëse paraqitet një ngjarje e dobishme si Pranvera Arabe, të gjithë do të kërkojnë një pjesë. Nëse ngjarja merr një kthesë të shëmtuar, si në Jemen apo Bahrein, ata largohen sa më parë.
Pranvera Arabe nuk është diçka që mund “të posedohet” në këtë mënyrë. Do të ishte e jashtëzakonshme nëse lëvizjet e mëdha shoqërore, si kryengritjet në Lindjen e Mesme, mund të zhvillohen në mënyrë paqësore, në një atmosferë të qartë e të qetë. Në të vërtetë, kjo ka të bëjë me luftën për pushtet, e influencuar nga faktorë të çdo lloji, pjesa më e madhe e të cilëve me karakter shumë lokal.
Ndërhyrja e Perëndimit, nuk mund të ketë sukses nëse nuk shkohet deri në fund, apo në qoftë se pushtohet një vend për t’u gjetur më pas në një mal me probleme që i kemi parë tashmë në Afganistan e Irak. Në lidhje me këtë, politika më e mirë që mund të zbatojë Perëndimi është ajo e vëzhgimit të ngjarjeve me kujdes e maturi.
Një rilindje ekonomike – Kjo nuk do të thotë se duhet të rrimë të qetë këmbë përmbi këmbë, por përkundrazi se armët më të mira në dispozicionin tonë, mjete tona më efikase të bindjes, janë ato ekonomike. Njohja e Këshillit kombëtar të tranzicionit të Libisë nuk do të hyjë shumë në punë. Në përmbledhje, duhet të jenë libianët ata që duhet të zgjedhin e të formojnë të ardhmen e tyre politike. Nga ana jonë, ne mund t’u ofrojmë atyre një të ardhme në të cilën ndihmat ekonomike, tregjet e hapura dhe lëvizja e lirë do të ofrojnë një jetë më të mirë se ajo që kanë jetuar në vitet e regjimit autokratik të Gedafit dhe të korrupsionit të tij.
Natyrisht që kufijtë e hapur dhe emigracioni janë gjëja e fundit që klasa politike europiane është e gatshme të pranojë. Ashtu si në këto kohëra të ashpra, është pak e prirur të ofrojë një ndihmë të konsiderueshme për sa i përket qasjes në tregje ose ndihmës së drejtpërdrejt ekonomike. Bëjmë pra një hap mbrapa dhe reflektojmë: Pranvera Arabe mund të jetë më e mirë se ajo që ka ndodhur në Europë gjatë dekadave të fundit. Në fakt, ka hapur skenarë të rinj për një politikë të re në të tërë pellgun e Mesdheut, por edhe për një rilindje ekonomike nga e cila do të përfitonte si Europa Jugore ashtu edhe Afrika e Veriut. Në vend të sofizmave, ka ardhur momenti për përgjigje serioze dhe konkrete ndaj pyetjeve mbi të ardhmen e kolonel Gedafit, pavarësisht se mund të jenë të pakëndshme.