Ilir Meta: Me Serbinë, një kapitull i ri bashkëpunimi
Zëvendëskryeministri Ilir Meta deklaroi nga Beogradi përmes një interviste për mediat shqiptare se midis shqiptarëve dhe serbëve duhet hapur një kapitull i ri bashkëpunimi, në interes të dy popujve dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.
Zëvendëskryeministri Ilir Meta, gjatë qëndrimit në Beograd në kuadër të pjesëmarrjes në Kongresin e XIV të Partisë Demokratike të presidentit Tadiç, u prit në takime të veçanta nga kryeministri i Serbisë Cvetkoviç, ministër i Integrimit Evropian Xheliç dhe ministri i Brendshëm, Daçiç.
Gjatë këtyre takimeve, u diskutua për çështje të bashkëpunimit dypalësh, koordinimin në kuadër rajonal në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit ndërkombëtar, si dhe një theks i veçantë u evidentua te rruga dhe përpjekjet e dy vendeve në drejtim të integrimit evropian. Meta theksoi se midis dy vendeve ka hapësira të pashfrytëzuara bashkëpunimi në fusha me interes reciprok, veçanërisht ato ekonomike dhe infrastrukture, çka i shërben klimës së bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal dhe veçanërisht rritjes së mirëqenies të qytetarëve të dy vendeve, e ardhmja e përbashkët e të cilëve është Bashkimi Evropian.
U theksua gjithashtu se i rëndësishëm është fakti që mes dy vendeve është hequr në mënyrë reciproke regjimi i vizave, çka do të ndikojë pozitivisht në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe njerëzore.
Cili është qëllimi i kësaj vizite dhe si ishin bisedat me zyrtarët e lartë Serb?
Unë jam në Beograd me ftesë të Presidentit Tadiç i cili është njëkohësisht dhe Kryetari i Partisë Demokratike për të marrë pjesë në kongresin e kësaj partie por natyrisht dhe për t’u takuar me përfaqësues të tjerë të kësaj force politike por edhe të qeverise dhe të shtetit. Gjatë këtyre dy ditëve jam takuar me Presidentin Tadiç, jam takuar me Kryeministrin Cvetkoviç me zëvendëskryeministrat Djeliç dhe Datiç dhe kemi zhvilluar takime pikërisht në frymën e bashkëpunimit gjithnjë e më të gjerë midis Shqipërisë dhe Serbisë dhe për të forcuar akoma më tej sidomos bashkëpunimin në kuadrin e integrimit Europian.
Në dallim nga vizita juaj në muajin Mars si duket Serbia dhe qëndrimet politike karshi shqiptarëve të Shqipërisë?
Besoj se zhvillime pozitive kanë ndodhur që nga vizita e fundit, pra që nga muaji Mars. Shqipëria hoqi vizat për qytetarët e Serbisë pak jave më parë edhe Serbia hoqi vizat për qytetarët e Shqipërisë. Njëkohësisht gjatë kësaj kohe është krijuar Këshilli për pakicat e shqiptarëve në Serbi. Vizita të ndryshme janë shkëmbyer midis ministrave të ndryshëm nga Serbia në Shqipëri apo nga Shqipëria në Serbi. Shpresojmë që shumë shpejt edhe 11 marrëveshje që janë në proces të nënshkruhen dhe bashkëpunimi të jetë gjithnjë e më i hapur.
Cila mund të jetë një pikë e kontaktit ose e bashkëpunimit në të ardhmen, ka shumë në aspektin ekonomik, politik, ndërmjetësimit në Kosovën apo si i shihni marrëdhëniet?
Bashkëpunimi duhet të jetë i gjithanshëm jo vetëm në nivel politik por edhe ekonomik dhe tregtar jo vetëm në fushën e ekonomisë dhe tregtisë por edhe në të arsimit , të kulturës të sportit ,etj. Pra mundësitë janë të gjithanshme dhe kësaj do t’i shërbej besoj dhe përmbyllja finalizimi i këtyre 11 marrëveshjeve që janë në proces që do të mund të realizojnë një kuadër të plotë legal të marrëdhënieve të të dyja vendeve. Ndërsa përsa i takon çështjes së qëndrimit për të ardhmen e Kosovës, qëndrimi i Shqipërisë është i pa ekuivok, Kosova si një shtet i ri dhe i pavarur i njohur në mënyrë jashtëzakonisht të konsiderueshme pothuajse nga shumica dërrmuese e vendeve të Bashkimit Europian dhe të NATO-s natyrisht që duhet të eci përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe në këtë drejtim ne shpresojmë që edhe dialogu midis Serbisë dhe Kosovës të zhvillohet në këtë frymë në mënyrë që edhe Serbia edhe Kosova të kenë vendin e tyre në Bashkimin Europian.