Ligjet shqyrtojnë sot kërkesën e PS-së për hetimin e zgjedhjeve
Komisioni Parlamentar i Ligjeve do të shqyrtojë sot kërkesën e Partisë Socialiste për ngritjen e komisionit hetimor, në mbledhjen e cila zhvillohet në orët e para të mëngjesit. Opozita në Komisionin e Ligjeve nga njëra anë thotë se deri më tani e ka dhënë fjalën e saj. Në seancën e kaluar, vetëm tre deputetë të PS-së, anëtarë të Komisionit të Ligjeve votuan kundër shtyrjes së ngritjes së komisionit për datën 23 dhjetor, përkatësisht Bashkim Fino, Sajmir Tahiri dhe Dashamir Peza. Gjithsej, kjo kërkesë mori 126 vota pro, 3 kundër, ndërkohë që 4 deputetë nuk morën pjesë në votim.
Pas ridepozitimit që i kanë bërë në Kuvend socialistët projektvendimit për ngritjen e komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve, Komisioni i Ligjeve do të shqyrtojë teknikisht dhe juridikisht kërkesën e PS-së.
Partia Socialiste, pasi kërkoi ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, ka propozuar edhe anëtarët e saj. PS do të kryesojë drejtimin e komisionit, ndonëse mazhoranca do të ketë shumicën e anëtarëve. Partia Socialiste do të ketë 7 anëtarë, ku mes tyre do të jetë edhe vota e kryetarit të komisionit, e barasvlershme me tre vota dhe Partia Demokratike do të ketë 8 anëtarë. Fatmir Xhafaj, Sajmir Tahiri, Ermonela Felaj, Damian Gjiknuri, Armando Subashi, Asllan Dogjani dhe Ilir Beqja. Ndërsa përfaqësues nga mazhoranca do të jenë deputetët: Ilir Rusmaili, Edi Paloka, Aldo Bumçi, Enkelejd Alibeaj, Arenca Trashani, Viktor Gumi.
Pas shqyrtimit nga komisioni i Ligjeve për këtë draft të kërkuar nga partia socialiste, pritet që drafti i selisë rozë, të kalojë më pas për votë në seancën e 23 dhjetorit sipas variantit të modifikuar dypalësh.
Kryetari i këtij komisioni hetimor do të jetë deputeti i partisë socialiste Fatmir Xhafaj. Socialistët kanë sqaruar nëpërmjet deputetit Fatmir Xhafaj, se nenet tek të cilat do të fokusohen për hetimin do të jenë nenet 119 dhe 178.