Zgjedhjet vendore të vitit 2011, PD-LSI pritet të konfirmojnë koalicionin
Partia më e madhe në vend Partia Demokratike dhe forca tjetër politike në koalicion qeverisës me mazhorancën, lëvizja socialiste për Integrim ri-konfirmoi qëndrimin politik të saj për bashkëpunim me aleaten e saj PD-në, në zgjedhjet e ardhshme lokale të 8 Majit të 2011-ës.
Ky konfirmim ka ardhur nga kreu i LSI-së Ilir Meta, njëkohësisht dhe zëvendëskryeministër i vendit si edhe nga funksionarë të tjerë të kësaj force politike të cilët kanë deklaruar dhe më parë bashkëpunimin në këtë koalicion integrimi me PD-në. Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, njëherazi edhe nënkryetar i LSI-së deklaroi dje zyrtarisht se LSI do jetë në koalicion me PD-në.
“Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë në koalicion me Partinë Demokratike në zgjedhjet vendore të majit 2011-ës”, tha Haxhinasto, në punimet e Kongresit Zgjedhor të LSI-së, në Elbasan.
Gjithashtu ministri i Jashtëm Haxhinasto shprehu bindjen zgjedhjet lokale të 2011-ës janë shumë të rëndësishme për strukturat e LSI-së së Elbasanit dhe se ato do të zhvillohen në përputhje me kërkesat statusore të PD-së. Kreu i diplomacisë Haxhinasto theksoi se “këto zgjedhje janë një moment shumë i rëndësishëm i punës organizative për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme vendore”.
Ai shtoi gjithashtu se “LSI e qarkut të Elbasanit ka një ambicie serioze për të arritur një rezultat të lartë në zgjedhjet e ardhshme vendore”.
Haxhinasto tha gjithashtu se “LSI është në momentin e vlerësimit të çdo njësie administrative dhe sigurisht është bërë e qartë se LSI do të jetë në koalicion me PD”. Edhe përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike janë shprehur të hapur për vijimin e bashkëpunimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim, me qëllim maksimalizimin e fitores në zgjedhjet vendore si dhe konfirmimin e jetëgjatësisë politike të koalicionit të Integrimit.
Ministri i Jashtëm Haxhinasto shprehu bindjen se LSI do të arrijë rezultate akoma më të larta në zgjedhjet e majit të 2011-ës, pasi në Elbasan ka pasur një rezultat në rritje.
“LSI në zgjedhjet e ardhshme vendore do të jetë në koalicion me PD dhe kandidaturat për çdo njësi vendore do të vendosen në përputhje të plotë me PD”- tha ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto.