E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimi, PD: Transporti publik në Tiranë, jashtë çdo standardi, qytetarëve s’u ofrohen as kushtet më minimale

18-04-2011 / Gazeta 55

Një situate e tillë, me automjete të shkatërruara dhe të papërshtatshme për udhëtim, e bën transportin publik, një mjet të papërshtatshëm për sigurinë e shëndetit dhe situatën e udhëtimit, krejtësisht të pasuportueshme. Prandaj, Tirana ka nevojë për një kryebashkiak që është i fokusuar te politikat për qytetin dhe qytetarin Partia


Demokratike denoncon skamjen dhe katrahurën që ka krijuar Bashkia e Tiranës me shërbimin e transportit publik në kryeqytet. Përmes një deklarate për shtryp, deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, u shpreh se shumica e mjeteve të transportit janë në kushte mizerable, automjete të amortizuara dhe të papërshtatshme për këtë funksion, jo vetëm që nuk lahen çdo ditë, por për pastrimin e tyre nuk përdoren as detergjentë dhe as iu vihen në dispozicion personelit të tyre as mjetet më elementare të pastrimit. Sipas deputetit demokrat, një situatë e tillë e bën transportin publik të udhëtarëve një mjet të papërshtatshëm për sigurinë e shëndetit dhe situatën e udhëtimit, krejtësisht të pasuportueshme. “Në Tiranë çdo ditë përdorin transportin urban minimalisht 225.000 persona me status paguesi të biletës apo abone, të cilët udhëtojnë në kushte krejtësisht të papërshtashme. Në katër vitet e fundit bashkia e Tiranës nuk ka hapur asnjë linjë të re autobusi. Linjat e transportit urban në Tiranë mbivendosen duke vështirësuar trafikun. Ka mbivendosje të linjave ku dy linja operojnë 50-60% të itinerarit se bashku. Sipas një studimi të Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorëve për transportin urban të udhëtarëve në Tiranë, rezulton se gjendja fizike teknike e mjeteve të transportit është shumë e keqe. Përveç disa autobusëve të rinj, shumica e mjeteve janë të amortizuara, çka demonstron se janë blerë me çmim shumë të ulët. Kushtet e higjienës dhe pastërtia (vend-uljet, mbajtëset në të cilat mbahen pasagjerët) janë në gjendje skandaloze. Automjetet jo vetëm që nuk lahen çdo ditë, por për pastrimin e tyre nuk përdoren as detergjentë dhe as iu vihen në dispozicion personelit të tyre as mjetet më elementare të pastrimit. Frekuenca e ndalesave në stacione është jashtë çdo norme dhe parashikimi kontraktor. Shërbimi i ajrimit dhe kondicionimi i temperaturës së ajrit është jashtë funksionit. Këto e bëjnë mjetin e transportit të udhëtarëve një mjet të papërshtatshëm për sigurinë e shëndetit publik dhe situatën e udhëtimit, krejtësisht të pasuportueshme”- u shpreh Bogdani. Ai iu referua të dhënave të studimit të ZMK-së, ku shtoi se, nëse do të përmirësohej cilësia e shërbimit urban në Tiranë, do të mund të rritej me 50% numri i udhëtarëve duke kapur shifrën prej mbi 310.000 personash me status paguesi. “Kjo rritje prej 50% e numrit të udhëtarëve do të sillte edhe një rritje të normës së fitimit në nivele jashtëzakonisht të larta. Numri i paktë i linjave, shtrirja e tyre në pjesët më të populluara, infrastruktura e papërshtatshme e udhëtimit, trafiku i rënduar, vonesat e gjata nëpër stacione, bëjnë që kushtet e udhëtimit me autobusët urbanë të jenë jashtë standardeve. Për të përmirësuar jetën tonë të përditshme duhet të zgjedhim një kryebashkiak që të merret me të gjitha problemet tona, jo një kryebashkiak që është fokusuar vetëm tek politika kombëtare. Kemi nevojë për një kryebashkiak për Tiranën”- deklaroi më tej, deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›