E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk kishte lekë për bukë, gruaja e ve gjobit fqinjin

Policia e Kukësit është përballur dje me një denoncim të çuditshëm, që i ka habitur të gjithë. Një familje ka denoncuar pikërisht fqinjën e vet për një letër kërcënuese, me anë të së cilës kërkonte një sasi parash. Burime të Policisë së Kukësit, pas njohjes me letrën kërcënuese, thanë se bëhet fjalë për një grua të ve 40 vjeçe, nënë e katër fëmijëve me inicialet A.Z., banuese në qytet, e cila siç mësohet, kishte shkruar edhe më herët një letër të tillë në adresë të dikujt tjetër. I njëjti burim tregon se pas denoncimit, policia kishte shoqëruar gjobëvënësen, e cila siç dëshmuan policët, jetonte në mjerim të thellë me katër fëmijë, ndërsa pas shqyrtimit të fakteve organet kompetente kanë vendosur ta ndjekin në gjendje të lirë. Përmbajtja e letrës dhe identiteti i gruas nuk bëhen publike, por mësohet se gruaja ka thënë se e kishte bërë këtë veprim "nga halli", ndërsa familja e adresuar ishte kërcënuar me vrasje të personave të dashur, nëse nuk paguante shumën e caktuar. Në të shkuarën ka pasur raste kërcënimesh dhe gjobëvënie nga persona anonimë, kryesisht elementë kriminalë, drejtuar biznesmenëve, por që një grua të zgjedhë si mbijetesë për familjen gjobëvënien, ky është rasti parë në Kukës, thanë burimet e policisë.

Sipas zëdhënëses së policisë, gruaja gjobëvënëse nuk kishte burime të mjaftueshme të ardhurash për të jetuar dhe se në dëshpërim e sipër kishte dashur edhe të vriste veten. "Kam dashtë të mbytem moj motër, por kush mi rritë fëmijët? Edhe kështu e gjallë dhe e shëndoshë nuk po mundem t‘i rris, duan të hanë, me çfarë t‘i ushqej?" - i ka thënë gruaja zëdhënëses së Policisë së Kukësit gjatë një takimi të shkurtër në komisariat. Ndër të tjera, ajo i ishte lutur që këtë "histori" ta mbante larg fëmijëve të saj, duke iu lutur të mos bëhet publike. "Edhe fikja edhe turpi nuk mbahen të dyja", kishte thënë nëna e katër fëmijëve, e cila kishte menduar se në raport me vetëvrasjen do të kishte qenë më mirë të kërkonte lekë tek të tjerët, qoftë edhe me presion, me kërcënim.

Nga burime të tjera mësohet se administrata vendore i kishte ofruar një punë, të cilën gruaja e ka kryer, por siç duket rroga nuk i ka mjaftuar për të mbajtur gjallë pesë frymë. Në polici ajo ka thënë edhe këtë frazë: "A mbahet familja me 150 mijë lekë të vjetra?" Një burim konfidencial në polici pohoi se efektivët e shoqërimit që kishin këqyrur edhe banesën e të akuzuarës kishin mbetur të prekur nga gjendja ekonomike e familjes.

Historia

Varfëria e detyroi të kërkonte mënyra të paligjshme për të mbijetuar

Gruaja e dëshpëruar "gjobiti"

më parë edhe një biznesmen

Qoftë policia, qoftë njerëz të afërt me gruan e akuzuar tregohen shumë të rezervuar të tregojnë të shkuarën e saj, pasi mbrojnë në këtë rast fëmijët e pafajshëm, një djalë e tre vajza, më i madhi 13 vjeç. Sidoqoftë, mësohet se i shoqi kishte vdekur në një incident me armë disa vite me parë, duke e lënë gruan të ve me katër fëmijë. Për njëfarë kohe asaj i kishin ardhur në ndihmë të afërmit, por me kalimin e viteve ndihma ishte zbehur. Fillimisht ajo kishte nisur të hynte në borxhe për të vijuar jetesën normale të fëmijëve dhe të sajën. Gjobëvënia nuk kishte qenë në natyrën e saj më herët. Letra e parë gjobëvënese, sipas burimeve të policisë, kishte ndodhur dy-tre muaj më parë, kur gruaja kishte kërcënuar një familje të kamur për një shumë të caktuar lekësh. Përmbajtja e asaj letre asnjëherë nuk u mor vesh, pasi vetë i kërcënuari kishte vendosur për t‘i vënë kapak kësaj pune nga frika se publikimi do të shkaktonte reagime të pakontrolluara nga njeriu i dëshpëruar, siç e kishin cilësuar atëherë gruan. Nuk jepen të dhëna as për fatin e mëtejshëm të kërkesës ultimative. Letra e dytë, për të cilën tregon një burim zyrtar i policisë, i është drejtuar një familje të të njëjtit pallat ku jeton edhe vetë gruaja. Kjo letër ka frikësuar familjen e shkallës, e cila gjithashtu nuk ka dashur të bëhet objekt mediatik, por ka denoncuar në polici. Policia, nga ana e saj, ka shoqëruar gjobëvënësen në komisariat, ku pas marrjes në pyetje dhe pas konsultimit me ekspertë ligjorë është lëshuar, për t‘u hetuar në gjendje të lirë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›