Ilir Meta: “Vonesat me kartat e identitetit
Kryetari i LSI-së dhe njëkohësisht kreu i Komisionit Parlamentar për Integrimin, Ilir Meta, i ka bërë thirrje qeverisë që të mos e vonojë më procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit. Meta tha se zgjedhjet e vitit 2009 mund të rrezikoheshin seriozisht në rast se qeveria nuk do ta plotësonte këtë detyrim. “Jemi tepër vonë me të gjitha afatet e realizimit të këtij procesi përpara zgjedhjeve të vitit 2009. Gjë që sigurisht do të cenonte integritetin e procesit zgjedhor, që është jetik si për vijimin e integrimit europian të vendit, por edhe për stabilitetin e vendit dhe institucioneve demokratike në Shqipëri. Shpresoj që shqetësimet tona të dëgjohen nga ana e qeverisë dhe të ketë një impenjim shumë më serioz se deri tani, pasi duket qartë se vonesat janë tërësisht të pajustifikueshme”, - tha Meta. Kryetari i LSI-së deklaroi se kostoja prej 9 eurosh për një kartë identiteti është e papërballueshme për shumë familje shqiptare që jetojnë në varfëri ekstreme. Për këtë arsye ai kërkoi nga qeveria që të mbulojë koston financiare për kartat e identitetit për këto familje. I pyetur nëse vonesat për kartat e identitetit ishin të lidhura me ndonjë plan të qeverisë për të shtyrë zgjedhjet e vitit 2009, kryetari i LSI-së u shpreh: “Nuk mund të jap ndonjë përgjigje për këtë ndërhyrje që ju bëtë, sepse sipas kësaj logjike na duhet të nxitemi për të besuar se një nga arsyet që z. Berisha i vonon qëllimisht kartat e identitetit është që të shtyhen zgjedhjet përtej 2009-s. Ndaj më duhet të theksoj se vonesat janë të pajustifikueshme, të patolerueshme. Fakti që ende nuk është nënshkruar kontrata me kompaninë fituese, tregon se sa larg jemi në konkretizimin e këtij premtimi madhor, që është bërë nga qeveria shqiptare, që është bërë nga shteti shqiptar, jo vetëm për qytetarët tanë, por edhe për institucionet e Bashkimit Europian, apo edhe për NATO. Në rast se ne nuk realizojmë kartat e identitetit para zgjedhjeve të ardhshme dhe nëse qytetarët shqiptarë të kenë mundësinë që me këto karta të marrin pjesë në procesin zgjedhor, atëherë sigurisht ne nuk kemi plotësuar një nga kërkesat dhe standardet për t’i vlerësuar zgjedhjet e ardhshme si zgjedhje të standardeve europiane”, - tha Meta.
15 Korrik 2008