E Shtunë, 31 Tetor 2026

Surpriza e Topit rrëzon Laskajn nga rikandidimi në Inspektoratin e Pasurive

Presidenti i propozon Kuvendit emrat e Bashkim Dedjes dhe Adriatik Llallës. Shuhen shpresat e Laskajt për t’u rizgjedhur në krye të ILDKP-së

Shaban Sulçe

Fatmira Laskaj i jep lamtumirën drejtimit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka prerë dje çdo shpresë të Laskajt për t’u rizgjedhur në krye të këtij institucioni, pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të saj. Kreu i shtetit i ka propozuar Kuvendit dy emra të rinj në postin drejtues të ILDKP-së, të cilët janë Adriatik Llalla dhe Bashkim Dedja. Presidenti Topi duket se është mjaftuar vetëm me dekorimin me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë të dhënë një javë më parë për inspektoren e Përgjithshme Fatmira Laskaj, por duket se ky dekorim ka shënuar fundin e karrierës së saj në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Sepse Laskaj nuk do të rikandidojë më për të drejtuar këtë institucion.
Laskaj
Vendimi i presidentit Topi është pritur në heshtje nga ana e kryeinspektores Fatmira Laskaj. Nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e saj për këtë vendim, por ajo që mund të thuhet me siguri është se ajo ka mbetur e zhgënjyer. Jo vetëm për shkak se një javë më parë, në ceremoninë e 5-vjetorit të themelimit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ajo mori vlerësime nga ana e presidentit Topi dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli. Por edhe sepse Laskaj ka pasur shpresa të mëdha për t’u rizgjedhur në krye të këtij institucioni, i cili duhet theksuar se gjatë 5 viteve të funksionimit të tij shënoi disa rezultate të suksesshme.
Dekorimi
Më 10 korrik 2008 Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mori pjesë në ceremoninë zyrtare të 5-vjetorit të krijimit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Në këtë ceremoni, presidenti Topi dekoroi Inspektorin e Përgjithshëm, Fatmira Laska me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në krijimin dhe funksionimin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, si institucion i rëndësishëm për ndërtimin e një shteti demokratik, mbi baza ligjore”. Fatmira Laskaj u zgjodh në krye të ILDKP-së më 10 korrik 2003, me propozim të Presidentit të Republikës (Alfred Moisiu) dhe me Vendimin Nr. 80, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Kandidaturat
Institucioni i Presidentit të Republikës ka bërë dje të ditur emrat e dy kandidaturave të reja për inspektor të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Presidenti Topi i ka propozuar Kuvendit emrat e Bashkim Dedjes dhe Adriatik Llallës. Të dy kandidaturat vijnë nga sistemi gjyqësor. Bashkim Dedja ka qenë një prej kandidaturave që aplikoi për tu zgjedhur anëtar të Gjykatës së Lartë kohët e fundit. Por emri i tij nuk u përzgjodh nga Presidenti Topi, i cili mesa duket ka patur në plan emrin e tij për ta propozuar në krye të ILDKP-së. Bashkim Dedja ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për tre vjet. Prej 10 vjetësh ai është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës. Kandidatura tjetër është ajo e ish-zëvendësprokurorit të Tiranës, Adriatik Llalla. Ai është gjithashtu edhe anëtar në Këshillin e Prokurorëve.

Presidenti Topi: “Zyrtarë të korruptuar, me llogari bankare jashtë Shqipërisë”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar se shumë zyrtarë të korruptuar i shmangen kontrollit të pasurisë në Shqipëri, duke i depozituar paratë e tyre në llogari bankare jashtë shtetit. Topi, i cili ka qenë i pranishëm gjatë ceremonisë festive të 5-vjetorit të themelimit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, tha se nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të investiguar rreth pasurive të depozituara të zyrtarëve të korruptuar. “T’i themi gjërat hapur, ne jemi vend i vogël. Shumë gjëra i marrim vesh edhe nëpërmjet bisedave të përditshme e natyrshëm edhe nëpërmjet një bisede në kafene. Ka ardhur momenti që Shqipëria dhe institucionet e saj, institucioni juaj, të bëhen pjesë shumë e rëndësishme e një infrastrukture kontrolli me partnerët ndërkombëtarë, qoftë edhe për të hequr ato dyshime që në mjaft raste ekzistojnë dhe ne i dëgjojmë që një pjesë e pasurive, qoftë e zyrtarëve, të cilët janë të detyruar t’i deklarojnë, por edhe të një pjese tjetër, që nuk konsiderohen zyrtarë të administratës, një pjesë e pasurive të tyre mund të jenë edhe jashtë Shqipërisë”, - deklaroi presidenti i Republikës, Bamir Topi.

Bilanci
62 kallëzime në prokurori, 150 raste të zgjidhura të konflikteve të interesit dhe më shumë se 230 ndëshkime me masën administrative gjobë. Ky është bilanci 5-vjeçar i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për zyrtarët që kanë refuzuar të deklarojnë pasuritë apo t’i manipulojnë ato.

15 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›