Ilir Meta e Fatos Nano konfirmojnë njëri tjetrin si boshti i së majtës

Edvini dhe aleatët e tij kanë refuzuar ftesën e Ilir Metës për një tryezë që synon bashkëpunimin e së majtës, duke lënë binomin Nano-Meta si një binom historik që synon trashëgiminë e së majtës në sigla jashtë PS-së
Koalicioni opozitar i drejtuar nga Partia Socialiste i është përgjigjur në bllok negativisht përgjigje të ftesës publike të Ilir Metës për një tryezë të përbashkët sot në mesditë në Hotel “Tirana International”, ku do të mund të viheshin piketat e një bashkëpunimi të ri të së majtës. I vetmi që ka pranuar ftesën e Ilir Metës, ka qenë ish-kreu i PS-ës, dhe ish-kryeministri Fatos Nano. “Do të jem i pranishëm në këtë takim, pavarësisht se nuk e kam marrë ftesën, por kam ndjekur prononcimin e zotit Meta. Do t’i përgjigjem pozitivisht ftesës sic do t’i përgjigjesha çdo ftesë që ka për qëllim bashkimin e se majtës. Asnjëherë nuk është vonë për tu bashkuar”, është shprehur dje Fatos Nano. Ndërkohë, 48 orë nga kjo ftesë, selia rozë ka reaguar me cinizëm dhe mospërfillje ndaj kësaj nisme. Duke akuzuar kreu i LSI-së se deri tani ka qenë pjesë e politikës së vjetër se bashku me kryeministrin Berisha, anëtari i kryesisë socialiste, Saimir Tahiri, tha se e vetmja formulë bashkëpunimi mes dy forcave politike është që simpatizantët e LSI të votojnë masivisht PS-në në 28 qershor. Refuzues ndaj kësaj ftesë kanë qenë edhe aleatët e Ramës, Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo. Kundër janë shprehur edhe figura jo aq aktive ne jetën politike të së majtës por që konsiderohet shpesh si “të urtët” e saj. Një ndër ata është edhe ish-kryeparlamentari Servet Pëllumbi. Në një kohë që edhe ish-presidenti Rexhep Meidani, ndonëse nuk ka dhënë ndonjë përgjigje të prerë nuk konfirmoi pjesëmarrjen në takimin e sotëm. I kontaktuar nga mediat ai tha dje se nuk kishte dijeni për një ftesë të tillë, ndërsa burime të sigurta pranë tij konfirmojnë se ai nuk ka në plan t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së liderit të LSI-së, Ilir Meta. Ndërkohë Lëvizja Socialiste për Integrim për Integrim ka insistuar dje për zhvillimin e një tryeze të përbashkët mes faktorëve të majtë si një “garanci për fitoren e së majtës progresiste”. Duke reaguar ndaj deklaratave skeptike të Partinë Socialiste dhe aleatëve të saj, Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Luan Rama, deklaroi dje se “thirrja e kësaj tryezë nuk është e vonuar”, ndërsa shprehu besimin në reagimin pozitiv të selisë rozë.
...