Ilir Meta, i ftuar i Bundestagut gjerman

Dje në Bundestag
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mori dje pjesë si i ftuar i veçantë në Konferencën Ekonomike të Burimeve Natyrore të organizuar në Bundestag, Parlamentin gjerman. Ky fakt bëhet me dije nga zyra e shtypit pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku thuhet se ky aktivitet ka pasur në fokus të veçantë sigurinë e burimeve natyrore për Gjermaninë dhe për Bashkimin Europian, gjithashtu hartimin e një vizioni dhe politikat e qarta nga Bashkimi Europian për forcimin e partneritetit me vende ne zhvillim që ofrojnë burime natyrore dhe lëndë të para. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ndodhet në Berlin, ku merr pjesë si i ftuar i veçantë në Konferencën Ekonomike të Burimeve Natyrore te organizuar në Bundestag, Parlamentin gjerman. Konferencën e përshëndeti edhe Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila u përqendrua në fjalën e saj në hapjen e tregut gjerman për vendet me burime natyrore, me qëllim ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm për të siguruar rritjen ekonomike për të dyja palët. Në këtë kuadër, ajo përshëndeti iniciativën e Bashkimit Europian për burimet natyrore dhe theksoi se Gjermania është e interesuar që BE të funksionojë si një bllok i bashkuar për të operuar me efikasitet në një situatë të re konkurrueshmërie në botë. Në konferencë morën pjesë edhe personalitete të tjera politike, si Antonio Tajani, zv. President i Komisionit Europian, si dhe shumë parlamentarë e përfaqësues të biznesit në Gjermani, thuhet në njoftimin e LSI-së.