Gj.Administrative, Subashi: Bëmë më të mirën

Komisioni i Ligjeve
Komisioni i Ligjeve ka miratuar me konsensus, në tërësi projektligjin për Gjykatën Administrative. Duke folur për mediat, relatori i projektligjit, deputeti i PS-së, Armando Subashi, theksoi se ligji sjell përmirësime të dukshme dhe të ndjeshme në raport me draftin paraprak.
Unë besoj se kemi bërë gjënë më të mirë, tha Subashi, për drejtësinë administrative, duke shtuar se, jo vetëm që janë shtuar nene të reja, por shume nëne ekzistuese kanë pësuar ndryshime.
Subashi shprehu kënaqësinë gjithashtu për kriterin seleksionues të gjyqtarëve që do të punojnë në Gjykatën Administrative.
Jam i kënaqur që ndoshta për herë të parë u parashikua, si mundësia vetme për të shkuar në Gjykatën e Administrative, që kriteri bazë do të jetë kriteri i testimit.Përpara se të marrin mandatin, gjyqtarët duhet ti nënshtrohen një testimi selektues. Mandej në bazë të vendimmarrjeve së KLD-së dhe Presidentit kanë rrugën e hapur për të shkuar dhe punuar aty- tha Subashi.
Relatori Subashi, tha se tashmë projektligji është gati për votim në seancën plenare. Projektligji pritet të përfshihet në rendin e ditës, në seancën e javës së ardhshme.
LIGJI I MIRATUAR
1-Veprimtaria e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë si
rregull zhvillohet në selinë e saj. Gjykata mund ta zhvillojë
një pjesë të veprimtarisë edhe jashtë selisë së saj, nëse kjo
vlerësohet e nevojshme, lehtëson eksesin për cilëndo palë,
kursen kohë ose shpenzime procedurale.
2- Gjykatat administrative të shkallës së parë organizohen së
paku në numër dhe për territor të barabartë me atë të
gjykatave të apelit të zakonshëm në momentin e hyrjes në
fuqi të këtij ligji.
3- Gjykatat administrative të apelit organizohen së paku në
Tiranë.
4- Kriteret e emërimit dhe të karrierës së gjyqtarëve, statusi i
tyre, përgjegjësia për shkeljet disiplinore, procedimi disiplinor,
administrimi i shërbimeve në gjykatë, si dhe organizimi
gjyqësor rregullohen sipas dispozitave të ligjit nr. 9877, datë
18.02.2008 për organizimin e pushtetit gjyqësor në
Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të rastit kur në këtë
ligj parashikohet ndryshe.