Reforma Zgjedhore, Berisha firmos draftin e të vegjëlve

Nga tryeza e partive per reformen zgjedhore
Dy organizatorët e tryezës së partive të vogla për reformën zgjedhore kanë mundur të marrin mbështetjen e Sali Berishës dhe Edi Ramës për përmirësimet në Kodin Zgjedhor.
Paskal Milo nga e majta dhe Arjan Madhi nga e djathta kanë bindur më në fund krerët e dy partive të mëdha, që prej më shumë se pesë muajsh po merren me termat e rinj të reformës zgjedhore, bazuar kryesisht në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Berisha, Rama, Meta dhe 23 kryetarë të tjerë partish angazhohen se do të kërkojnë dhe mbështesin deri në realizim ndryshimin e formulës së përllogaritjes dhe shpërndarjes së mandateve duke e plotësuar atë me korrektim të votave në shkallë kombëtare, ose nëpërmjet gjetjes së zgjidhjeve që mbështesin ndarjen e mandateve në bazë të votave që kanë marrë konkurruesit dhe në proporcion të drejtë me to. Firmëtarët kanë rënë dakord që të mbështesin në Komisionin e Reformës Zgjedhore uljen e pragut elektoral, si për partitë politike që konkurrojnë më vete, ashtu edhe për koalicionet zgjedhore, duke marrë në konsideratë si sistemin aktual zgjedhor me ndryshimet e mundshme të formulës së përllogaritjes dhe shpërndarjes së mandateve, ashtu dhe respektimin e trendit të peshës politike të partive të vogla. Pritet që dy partitë e mëdha ta përfshijnë draftin e firmosur nga 26 kryetarët e partive politike në axhendën e punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore, ndërsa në diskutimin e tij në këtë Komision do të jenë të pranishme dhe partitë e vogla bashkë me ekspertët e tyre. Është hera e parë që prej nisjes së pluralizmit shqiptar në 1990-n, që të gjitha partitë politike garuese në zgjedhjet e fundit të ulen në një tryezë të gjerë për të nisur një dialog për përmirësimin e Kodit Zgjedhor dhe të firmosin një draft të tillë.
Tryeza
Tryeza e së hënës e organizuar nga dy partitë, PR dhe PDS, nuk doli në një material të përfunduar dhe të strukturuar për të ardhmen e propozimeve dhe shqetësimeve që ngritën partitë e vogla. Edi Rama në emër të PS dhe Ilir Rusmali në emër të PD shprehën gatishmëri të punojnë për të përmirësuar kuadrin ligjor lidhur me një korrektim të mundshëm në përllogaritjen e mandateve. Por në përfundim të tryezës nuk u arrit të hartohej një projekt përfundimtar, që do të materializonte vullnetin e dy partive të mëdha. Pasi dy partitë organizatore riformuluan draftin, duke e kthyer atë në një angazhim parimor të palëve dhe më pak teknik, nisi puna për marrjen e firmave nga partitë pjesëmarrëse në tryezë. I fundit që firmosi ishte kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili ndodhet dhe për vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Milo dhe Madhi sapo kanë marrë dhe firmën e Berishës, i janë drejtuar Kryesisë së Kuvendit për ta depozituar draftin pranë Komisionit të Reformës Zgjedhore. Kreu i PDS-së, Paskal Milo, tha se firmosja e draftit edhe nga krerët e partive të mëdha, PD e PS, është një garanci më shumë për shqyrtimin me seriozitet të draftit nga Komisioni. Fakti që u firmos nga Rama dhe Berisha, është një fakt që propozimet tona do të shqyrtohen me seriozitet nga Komisioni i Reformës Zgjedhore dhe shpresojmë që të japë një produkt serioz, që do të garantojë barazinë e votës dhe përfaqësimin e të gjitha forcave politike që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, tha Milo pas dorëzimit të draftit në Kuvend. Lidhur me afatet e shqyrtimit të propozimeve nga ana e Komisionit, Milo shpreson që të merren sa më shpejt në shqyrtim, pasi ditët në vijim shënojnë dhe përfundimin e punës së Reformës.
Drafti politik i firmosur nga partitë politike
. Partitë politike bien dakord të angazhohen, të kërkojnë dhe mbështesin deri në realizim:1-Përfshirjen si pjesë të rëndësishme dhe të domosdoshme të reformës zgjedhore, ndryshimin e formulës së përllogaritjes dhe shpërndarjes së mandateve duke e plotësuar atë me korrektimin e votave në shkallë kombëtare, ose nëpërmjet gjetjes së zgjidhjeve që mbështesin ndarjen e mandateve në bazë të votave që
kanë marrë konkurruesit dhe në proporcion të drejtë me to.2-Uljen e pragut elektoral, si për partitë politike që konkurrojnë më vete, ashtu edhe për koalicionet zgjedhore, duke marrë në konsideratë si sistemin aktual zgjedhor me ndryshimet e mundshme të formulës së përllogaritjes dhe shpërndarjes së mandateve, ashtu dhe respektimin e trendit të peshës politike të partive të vogla.
3-Sanksionimin e aksesit të plotë për vëzhgimin e procesit zgjedhor nga të gjitha subjektet konkurruese.
. Për të gjitha sa më sipër, shprehim edhe një herë angazhimin tonë për të kontribuar në procesin e reformës zgjedhore, gatishmërinë për të bashkëpunuar në vazhdimësi, për të koordinuar qëndrimet dhe veprimet tona të mëtejshme, me bindjen se në thelb të procesit dhe vënies në zbatim me sukses të tij është vullneti politik dhe besimi i ndërsjellë i shumicës së faktorit politik.
Ngjela, i vetmi opozitar që nuk firmos draftin e partive të vogla

Spartak Ngjela
Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, nuk ka firmosur draftin e pranuar dhe të mbështetur nga 26 parti politike, përfshirë këtu dhe dy partitë e mëdha, PS dhe PD. Në tryezën e zhvilluar nga partitë e vogla për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, Ngjela ishte mosbesues me propozimet, madje akuzoi se tryeza mund të ishte dhe lojë e Sali Berishës. E para kemi bërë një gabim që kemi ardhur, sepse nuk është ndonjë gjë kaq e rëndësishme. Ju kemi respektuar, tani doni të na futni dhe në shtrungë; po vidhen zgjedhjet në mes të ditës, ka 300 mijë karta false që qarkullojnë; Ju diskutoni për gjëra që dihen. Projekti juaj është obskur, i paqartë dhe e vetmja gjë e qartë është se në Shqipëri janë vjedhur votat. Unë kam ardhur këtu për të rregulluar këtë Kryeministër që vjedh votat. Unë skam ardhur këtu për të lypur dy deputetë. Unë ju shoh si një lojë që e ka krijuar Saliu më duket, për të na krijuar ne tallavi, u shpreh Ngjela. Aleati i Partisë Socialiste u kërkoi dhe partive të djathta, gjatë tryezës të së hënës, që të punojnë për rrëzimin e qeverisë së Sali Berishës. Problemi sot është shumë i saktë, manipuluesin e votave nuk e kemi këtu prezent, që do të thotë se rri në shteg që të vjedhë vota prapë. Edhe për partitë e djathta kam një propozim si të rregullohet kjo punë. Republikanët, LSI, tërhiquni nga qeveria dhe rrëzojeni Saliun, i bëni dhe mirë se është në disekuilibër të plotë, u shpreh Ngjela.
Takimi me Ramën
Kreu i Demokracisë Sociale, Paskal Milo, arriti dy ditë më parë të siguronte të gjitha firmat e kryetarëve të grupimit të majtë, përfshirë edhe atë të Edi Ramës, pas një takimi të zhvilluar në selinë rozë në shoqërinë e Skënder Gjinushit, Nard Ndokës dhe Petro Koçit. Një ditë pas tryezës, aleatët kanë bindur Edi Ramën për domosdoshmërinë e nisjes së dialogut për Kodin Zgjedhor, ku PS të bëhet këmbëngulëse për propozimet e të vegjëlve në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
ARISTIR LUMEZI