E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekoron “Mjeshtër i Madh” sportistin R. Ramaj

Dekorata i’u dha djalit të Rexhepit, Agim Ramaj, në emër të Presidentit gjatë një ceremonie të organizuar sot. Ramaj ka qënë Sekretar i Federatës në Komitetin Shtetëror të Kulturës Fizike e Sporteve, për sportet e Rënda dhe Qitjen 

TIRANË- Presidenti i Republikës Bamir Topi dekoroi sportistin Rexhep Ramaj, me titullin “Mjeshtër i Madh”. Dekorata i’u dha djalit të Rexhepit, Agim Ramaj, në emër të Presidentit, Bamir Topi gjatë një ceremonie të organizuar sot, paradite në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Tiranë.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishte e bija e Rexhep Ramës, Znj. Liri Berisha, figura të sportit, si dhe të afërm të familjes.
“Dua të falenderoj në emër të familjes sime për këtë vlerësim, Presidentin Bamir Topi dhe Ministrin e TKRS-së Ylli Pangon.”, u shpreh djali i Rexhep Ramajt, në këtë ceremoni, duke shtuar se “Jam i kënaqur që vlerat dhe kontributi i babait tim u vlerësuan me anë të kësaj dekorate”.
Gjatë këtij aktiviteti u transmetua një film-dokumentar, ku prezantohej jeta dhe veprimtaria sportive e Rexhep Ramaj.
Rexhep Ramaj lindi më 1920 dhe ndërroi jetë para 2 vjetësh, më 2006. Ai ka mbaruar Akademinë Ushtarake në Milano, i pajisur me njohuri të gjera dhe informacion shkencor për zhvillimin e sportit, zotërues i katër gjuhëve të huaja.
Rexhep Ramaj ka qënë Sekretar i Federatës në Komitetin Shtetëror të Kulturës Fizike e Sporteve, për sportet e Rënda dhe Qitjen, Shef i katedrës së edukimit fizik në shkollën e mesme Ekonomike, nxitës dhe promovues i krijimit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe anëtar i Komitetit të tij Ekzekutiv për vite me radhë. Në vijim për tre mandate, ishte President i Federatës së Qitjes. Ka marrë titullin "Mësues i Popullit", "Urdhri Olimpik", etj.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›