“Ilir Meta mund të pështyjë këdo e pastaj t’i lëpihet kujtdo”
Edi Rama kthen përgjigje përmes Erjon Veliajt
TIRANE - Kryesocialisti Rama edhe këtë herë ka preferuar që të përdorë kreun e G 99-ës, Erion Veliaj për t’i kthyer një përgjigje të hidhur deklaratave të djeshme të Ilir Metës. Veliaj e komentoi si një demagogji të radhës deklaratën e kryetarit të LSI-së sipas të cilit pas zgjedhjeve LSI do të bëjë koalicion me PS. Gjatë një takimi me studentët në Tiranë, Veliaj tha se, “Meta dëshiron të bëjë edhe në katër vitet e ardhshme atë që ka bërë bashkë me Berishën e Nanon gjatë këtyre 18 vjetëve. Këta politikanë janë të gatshëm të thonë gjithçka e pastaj të thonë të kundërtën e asaj që kanë thënë”, deklaroi ai.
Këtë deklaratë Veliaj e bëri gjatë një takimi me studentë konviktorë, të cilët shprehën shqetësimin për çmimin e lartë të kartave të identitetit.
“Metës iu desh t’i paguante kompanisë amerikane që ka kontraktuar për fushatën plot 2 milion euro, për të kuptuar se ka gabuar me qëndrimet e tij të deritanishme kundër opozitës, tha drejtuesi i G 99 duke shtuar se, Meta do kishte bërë mirë t’i paguante këto euro për të rimbursuar studentët apo qytetarët e varfër që s’kanë mundësi të paguajnë për kartat e identitetit. Por ish kryeministri vazhdon të sillet si ministri i 15-të i qeverisë aktuale, ndërkohë që ne nuk jemi Trojanë që të pranojmë këtë Kalë të Berishës”, përfundoi Veliaj.