Asgjësimi i dokumenteve “Sekret shtetëror” në dorë të kryeministrit
Vendimi i Këshillit të Ministrave, ja si do të asgjësohen informacionet konfidenciale. Kryeministri do të vendosë në rastet kur institucionet do të kenë mosmarrëveshje me DSIK
Shaban Sulçe
Kryeministri do të ketë në dorë të drejtën për të vendosur për asgjësimin dhe shkatërrimin e informacioneve, të cilat klasifikohen “Sekret shtetëror”. Një gjë e tillë është vendosur në Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për asgjësimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”, i miratuar më datë 28 janar të këtij viti. Ky vendim i detyron të gjitha institucionet shtetërore, të cilat prodhojnë apo administrojnë informacione të këtij lloji, për të krijuar komisione të posaçme, të cilat do të shqyrtojnë domosdoshmërinë ose jo të asgjësimit të informacioneve konfidenciale. Këto komisione do të merren edhe me procedurën e asgjësimit, por për të bërë një gjë të tillë, më përpara ato duhet të marrim miratimin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Ndërkohë, në nenin 10 të këtij vendimi parashikohet se në rast të mosmarrëveshjeve midis institucioneve dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, do të jetë kryeministri ai që do të vendosë në mënyrë përfundimtare shkatërrimin ose jo të informacioneve që klasifikohen “Sekret shtetëror”.
Komisionet
Në vendimin e Këshillit të Ministrave urdhërohen të gjitha institucionet, të cilat prodhojnë dhe administrojnë informacion të kësaj kategorie, për të ngritur komisione të posaçme. Këto komisione do të marrin në shqyrtim çdo informacion dhe dokumentacion që klasifikohet “Sekret shtetëror”, për të vendosur më pas për domosdoshmërinë ose jo të asgjësimit të tyre.
Ato do të krijohen nga titullarët e institucioneve, që do të jenë edhe kryetarët e këtyre komisioneve, të cilat në përbërjen e tyre duhet të kenë jo më pak se 5 anëtarë. Në vendimin e Këshillit të Ministrave theksohet gjithashtu se çdo anëtar komisioni duhet të jetë i pajisur me “certifikatë sigurie” të përshtatshme.
Informacioni
Komisioni shqyrton dhe vendos për asgjësimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”, kur ky informacion nuk ka vlerë për ruajtje të mëtejshme dhe nuk duhet të deklasifikohet, me përjashtim të rasteve kur informacionet bëjnë fjalë për persona fizikë, juridikë, privatë apo publikë. Për informacionet e këtij lloji, të cilat propozohen për asgjësim, vihet në dijeni me shkrim komisioni, nëpërmjet një relacioni të nënshkruar nga përfaqësuesi i strukturës, që i zotëron këto informacione, relacion në të cilin shpjegohet edhe arsyeja se përse duhen asgjësuar. Për asgjësimin, komisioni i posaçëm merr vendimin përkatës, në të cilin duhet të jenë të pasqyruar saktë dhe qartë elementët identifikues të çdo informacioni, përmbajtja e shkurtër dhe arsyet se përse u vendos për asgjësim. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, një kopje të këtij vendimi, brenda afatit 20 ditor, komisioni duhet t’ia dërgojë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Kjo e fundit, brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit, duhet të miratojë ose refuzojë në mënyrë të plotë ose të pjesshme vendimin për asgjësim. Ndërkohë, në rast se midis institucioneve dhe kësaj drejtorie do të ketë mosmarrëveshje për asgjësimin ose jo të informacionit dhe dokumenteve sekrete, do të jetë kryeministri ai që do të vendosë në mënyrë përfundimtare.
Asgjësimi
Në rast të marrjes së përgjigjes pozitive për asgjësim nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, institucionet, me urdhër të titullarit të tyre, duhet të krijojnë komisione të reja, të posaçme, për asgjësimin e informacioneve dhe dokumenteve të tilla. Këto komisione duhet të përbëhen nga tre anëtarë, të cilët duhet të jenë të pajisur me “certifikata sigurie” dhe që gjatë asgjësimit duhet të mbajnë procesverbalin përkatës. Sipas qeverisë, procesi i asgjësimit dhe shkatërrimit të informacionit të klasifikuar duhet të bëhet me mënyra që nuk lejojnë rindërtimin e plotë ose të pjesshëm të tij. Ky proces duhet të kryhet brenda zonave të sigurisë, ndërkohë që do të jetë në dorë të titullarit të institucionit për të përcaktuar vendin dhe mënyrën e shkatërrimit të informacionit që klasifikohet “Sekret shtetëror”. Një kopje të procesverbalit, komisionet duhet t’ia dërgojnë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.
Informacioni për NATO-n
Qeveria, në vendimin e saj, i ka kushtuar një rëndësi të veçantë edhe dokumentacioneve dhe informacioneve që kanë të bëjnë me strukturën e NATO-s si dhe me shtetet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare. Në nenin 19 të këtij vendimi thuhet se asgjësimi dhe shkatërrimi i informacionit të klasifikuar të NATO-s bëhet në përputhje me politikën e sigurisë së NATO-s dhe me direktivat mbështetëse të saj. Ndërkohë që asgjësimi dhe shkatërrimi i informacionit të klasifikuar të shteteve apo organizatave të tjera ndërkombëtare duhet të bëhet në përputhje me marrëveshjet, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar, të shkëmbyer ose pas miratimit paraprak të tyre.
Ndërkaq, vendimi i Këshillit të Ministrave detyron drejtuesit e institucioneve shtetërore që të përcaktojnë me urdhër të veçantë, kategoritë dhe llojet e informacioneve të klasifikuara “Sekret shtetëror”, të cilat do t’u nënshtrohen procedurave të asgjësimit. Ndërsa kanë kaluar 20 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të miratuar nga qeveria, tashmë titullarët e institucioneve kanë një afat kohor prej 10 ditësh për të nxjerrë udhëzimet për zbatimin e tij. Për zbatimin e këtij vendimi, qeveria ka ngarkuar Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.
Procesverbali i shkatërrimit
Në procesverbalin e shkatërrimit të informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror” shënohen:
1-Numri i procesverbalit të asgjësimit, i cili duhet të përputhet me numrin e vendimit për asgjësim
2-Përshkrimi i shkurtër i vendimit për asgjësim
3-Numri i protokollit dhe data
4-Emërtimi, lloji dhe niveli i klasifikimit të informacionit
5-Numri i ekzemplarëve dhe sasia e fletëve
6-Mënyra e asgjësimit
7-Vendi dhe data e asgjësimit
8-Nënshkrimi i të gjithë anëtarëve të komisionit
Ruajtja e informacioneve
Komisioni përcakton katër nivele për ruajtjen e informacionit që klasifikohet “Sekret shtetëror”, të cilat janë si më poshtë:
1-Për nivelin “Tepër sekret” 10 vjet
2-Për nivelin “Sekret” 5 vjet
3-Për nivelin “Konfidencial” 3 vjet
4-Për nivelin “I kufizuar” 1 vit
8 Mars 2008