E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iliria nuk ka forcë, i përulet Luftëtari kryesues

Nga Fushë-Kruja, Fatjon Thaçi

Sulmi i gjirokastritëve me dyshen Nora-Raboshta ka bërë diferencën në këtë ndeshje, duke shënuar 3 gola në portën e Sejdinit


Iliria Luftëtari     2-3

Shënues: Lusha 52, Mitraj 81 / Nora 5, 75, Raboshta 57

 

Iliria: Sejdini, Shkëmbi (Shehi 53), Balliu (I.Gjokeja 46), Lusha, Doçi (Bardhi 46), Kurti, S.Gjokeja, Caca, Lama, Ziri, Mitraj. Trajner: F.Sala.

Luftëtari: Selimaj, Sinani, Baci, Nino, Devolli, Ramadani, Lluka (Hithi 78), Mersini (Braho 32), Strati, Çaço (Raboshta 52), Nora.

Trajner: N.Dede.

Gjyqtarë: D.Jubica, M.Dervishi, M.Qeseri (Shkodër)

Kartonë të verdhë: Shkëmbi, Balliu, Kurti, Lama

Luftëtarit nuk ia ndal hapin 3-pikësh as Iliria. Ekipi gjirokastrit, nën drejtimin e Nevil Dedes, ka arritur të marrë një fitore të ngushtë në rezultat, por pa e vënë në diskutim asnjëherë. Miqtë kalojnë shumë shpejt në avantazh. Në minutën e 5-të, pas një sulmi të rrjedhshëm, Nora në qendër të zonës merr një pasim të saktë dhe godet menjëherë, duke shënuar. Në stadium pllakos heshtja, por, me kalimin e minutave, fushë-krujasit e ngrenë nivelin e lojës, duke kërkuar golin e barazimit.

Ne minutat 38 dhe 40, vendësit rrezikojnë me Lamën dhe Doçin, por në fillim portieri mik dhe me pas një gabim i mesfushorit të Ilirisë bëjnë që rezultati të mbetet i pandryshuar deri në fund të pjesës së parë. Me rifillimin e lojës, vendësit, të cilët nuk kanë çfarë të humbasin, hidhen vrullshëm në sulm.

Në minutën e 52-të Iliria fiton një goditje dënimi, që e ekzekuton Lama. Në qendër të zonës është mbrojtësi Lusha, i cili  kërcen mbi të gjithë dhe godet saktë, duke barazuar e duke rikthyer rezultatin në baraspeshë. Ky gol i jep tjetër bukuri lojës dhe miqtë gjirokastritë, të cilët nuk pajtohen me këtë rezultat, rrezikojnë në shumë raste. Duhej të vinte minuta e 57-të, që Raboshta, i sapofutur në lojë, të rikthejë Luftëtarin në avantazh.

Ky gol i godet psikologjikisht lojtarët e Ilirisë, të cilët do të ndëshkohen edhe në minutën e 75-të, kur dyshja Raboshta-Nora është e papërmbajtshme. Sulmuesi Arlind Nora trefishon shifrat. Takimi mund të quhet i mbyllur, por mendojnë sërish vendësit ti japin të tjera ngjyra. Në minutën e 77-të dhe 81-të Mitraj bëhet protagonist.

Në fillim i vetëm me portierin kërkon të shënojë me parabël, por godet lehtë, ndërsa në rastin e dytë vepron mjaft bukur brenda zonës dhe, pasi shmang portierin, godet me portën e boshatisur, duke ngushtuar rezultatin. Pas pësimit të këtij goli, miqtë marrin totalisht frenat e lojës dhe me eksperiencën e tyre arrijnë të vënë nën kontroll rezultatin, duke bërë që shifrat të mos ndryshojnë deri ne vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit Jubica.

 

Fatmir Sala, tarjner i Ilirisë: Nuk u prononcua.

Nevil Dede, trajner i Luftëtarit: Duke qenë se jemi ekip kryesues dhe me pretendime, e kishim vlerësuar maksimalisht këtë takim. Morëm një fitore me vlera, ku na ndihmoi se tepërmi goli i shpejtë që shënuam. Ekipi reagoi fuqishëm pas barazimit të rezultatit, por edhe Iliria na vuri shumë në vështirësi. Përgëzime edhe organizatorëve të këtij takimi për mikpritjen që na rezervuan, por edhe mbi investimin që ka bërë bashkia në infrastrukturë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›