E Diel, 1 Nëntor 2026

Spektakël në Kavajë, Lushnja i jep leksion Besës

Nga KAVAJA, LEONARD DUSHKU

Në një stadium të tejmbushur, lushnjarët kanë marrë tri pikë, duke shuar çdo ëndërr të kavajasve për tu ngjitur direkt në superiore

BESA – LUSHNJA 1-2

Shënues: Bubeqi 66 / Dervishi 19, Canka 83

Besa: Bakaj, Frashëri (Perja 55), Krasniqi, Hoxha, Tragaj (Duka 75), Bubeqi (Çelhaka 68), Poçi, Mihani, Rroshi, Dhëmbi, Hasa. Trajner: G. Magani

Lushnja: Bejte, Sulo, Xhafa, Hasalla, E. Sula, Topi, R. Sula (Gjyla 84), Dervishi (Gjoni 72), Çela (Allkanjari 80), Canka, Sefa. Trajner: S. Malko

Gjyqtarë: A. Janku, G. Qirici, E. Doda (Tiranë)

Kartonë të verdhë: Roshi, Sulo, Topi, Çela

Besa pëson humbjen e dytë radhazi, këtë herë në fushën e vet dhe nga një rival direkt në luftën për superligë, siç është Lushnja. Ky takim ka qenë ndër më të bukurit që është zhvilluar këtë sezon në Kavajë, pasi nuk mungoi spektakli, rastet e shumta për shënim dhe goditjet e traversave nga të dyja skuadrat. Ka pasur edhe një numër rekord tifozësh, pasi kanë qenë të shumta jo vetëm ata kavajas, por edhe miqtë të ardhur nga Lushnja. Në fund, fati i ka buzëqeshur Lushnjës, që vazhdon të tregohet dinjitoze edhe në përballjet me rivalë direkt, si Besa.

Takimi ka nisur i shpejtë nga të dy ekipet, madje edhe rastet për shënim ishin të shumta. Por, goli do të vinte në minutën e 19-të, kur Dervishi kalon ekipin e Lushnjës në avantazh. Miqtë nuk ndalen dhe kërkojnë golin e dytë më anë të Cankës, por Krasniqi tregohet vendimtar më ndërhyrjen e bërë. Ekipi i Besës del në kundërsulm vetëm në minutën e 35-të, me anë të Rroshit, por ky i fundit nuk arrin të barazojë takimin dhe pjesa e parë mbyllet me avantazhin 1-0 të miqve.

Në pjesën e dytë ekipi i Besës kërkon golin e barazimit dhe e gjen në  në minutin e 66-të. Këtë herë është ujku kavajas, i cili në të kaluarën ka luajtur edhe me Lushnjën, pikërisht sulmuesi Dorian Bubeqi, i cili shënon dhe ngre peshë stadiumin. Të dy ekipët nuk pajtohen me barazimin që favorizon rivalët dhe kërkojnë patjetër fitoren.Shumë aksione ndërtohen nga të dyja krahët dhe rastet e humbura para portave kundërshtare nuk mungojnë.

Të dy ekipet i afrohen golit të avantazhit, por duket se e gjen Lushnja dhe nuk kishte se kush të shënonte tjetër, përveç golashënuesit të skuadrës së Malkos dhe kategorisë së parë, Canka  i cili në minutin e 83-të, kalon ekipin e tij në avantazh, duke i dhënë kështu një fitore të çmuar, por duke hequr qafe edhe një rival në luftën për superligë si Besa. Me këtë fitore skuadra e Malkos arrin në kuotën e 53 pikëve dhe tashmë është në ndjekje të Kukësit që mban vendin e dytë me plotë pesë pikë larg verdhezinjve.

Thanë pas ndeshjes

Gugash Magani, trajner i Besës: Ishte një ndeshje mjaft e bukur dhe u luajt futboll korrekt. Fatkeqësisht, lojtarët e mi vijojnë të humbasin raste të pastra shënimi para portës kundërshtare. Kështu ndodhi edhe sot (dje), kur mund dhe duhet të kishim arritur tjetër rezultat. Por ky është futbolli, ske çti bësh, ndëshkohesh atëherë kur nuk e pret.

Sajmir Malko, trajner i Lushnjës: Ishte fitorja më e bukur dhe më e vështirë e këtij sezoni. Pjesa e parë ishte një lojë e hapur, ku mund të shënonim ne, por edhe Besa, sepse rastet nuk munguan. Fati na buzëqeshi neve. Ndërsa në 45 minutat e dyta pësuam një gol në rrëmujë, por lojtarët e mi nuk e humbën besimin. Falë këtij besimi dhe shpirti gare ata arritën të fitonin. Urime Besës dhe falënderoj kavajasit për mikpritjen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›