Haiti, 7-vjeçari nxirret i gjallë pas 8 ditësh nën rrënoja
Autori i Lajmit: Redaksia
Port-au- Prince - Me krahët e tij të hapur dhe sytë që i shkëlqenin nga gëzimi, trupat amerikane të shpëtimit ia japin nënës, në lot, për ta përqafuar. Është 7-vjeçari i quajtur Kiki, i cili u nxor dy ditë më parë i gjallë nga rrënojat e shtëpisë së tij ku qëndronte i bllokuar prej rreth 8 ditësh. Ai dhe motra e tij, Sabrina, ndodheshin në shtëpinë e tyre në Port-au-Prince kur tërmeti shkatërrimtar goditi Haitin javën e shkuar. Prindërit i kishin humbur të gjitha shpresat, sepse nuk ndodh çdo ditë që një njeri të mund të jetojë më shumë se 3 ditë pa ushqim dhe ujë. Por nëna e tij nuk lëvizi as edhe një ditë nga rrënojat, derisa forcat amerikane të shpëtimit e nxorën djalin shëndoshë e mirë së bashku me motrën e tij. Kiki dhe Sabrina u dërguan menjëherë në spitalin izraelit ku familja u bashkua dhe me babanë. “Kjo është një mrekulli, absolutisht një mrekulli”, - tha doktori Dejvid Kesh, i Task Forcës së Virxhinias, pasi kuroi Sabrinën. “Ajo është në një formë të mrekullueshme. Kjo është diçka e pabesueshme”. Ky ishte një nga pak incidentet që solli shpresë për njerëzit e dëshpëruar të vendit të bukur bregdetar. Por ndërsa qyteti mësoi me shpejtësi lajmin e mrekullisë dhe për pak çaste iu rikthye shpresa dhe gëzimi, një tjetër lajm i tmerrshëm erdhi nga rrugët e kryeqytetit, ku një vajzë 15-vjeçare u qëllua për vdekje, pasi u dyshua si një grabitëse. Fabienne Geismar i kishte mbijetuar tërmetit që i shkatërroi shtëpinë dhe as që e kishte menduar se vdekja do ti vinte nga një plumb. Fabienne ishte kujtuar nga policia se i kishte grabitur pikturat që mbante në duar. Babai i saj, zoti Osam, motra Samanta dhe vëllai Xhef, shikonin të pashpresë momentet e fundit të jetës së njeriut të tyre të dashur të mbuluar nga një pellg gjaku, të pafuqishëm për të bërë diçka. Tetë ditë pas tërmetit katastrofal që goditi Haitin, fqinjët nxorën nga rrënojat e një shtëpie një tjetër vajzë 11-vjeçare dhe e çuan në spitalin provizor francez, njoftojnë agjencitë nga ky vend. “Kjo është një mrekulli”,- ajo po e merr veten ngadalë, është e bekuara e Zotit”, - ka thënë kirurgu francez, Dominik Jean, i cili drejton një organizatë joqeveritare. E dobësuar dhe me vështirësi në frymëmarrje, 11-vjeçarja Mendgy Bahina Sannon po lufton kundër shokut dhe vazhdimisht i përsërit së ëmës që i qëndron pranë krevatit, që të mos e braktisë. E ëma e saj, Ernst Klerjae, ishte kthyer në shtëpi më 12 janar nga ndërtesa e Kombeve të Bashkuara, ku punon si pastruese, ditën kur ndodhi tërmeti. “U tmerrova, sepse në shtëpi kisha lënë pesë fëmijët. Kur erdha pashë shtëpinë dykatëshe që ishte shembur plotësisht... Mendova se fëmijët do të më kenë vdekur”, - rrëfen ajo. “Fillimisht u shfaq vajza ime 21-vjeçare, e pastaj me fqinjët nxorëm dy fëmijët. Të nesërmen nxorëm trupin e djalit pesë vjeç”, - tregon Klerjae, por nuk kishin mundur ta gjenin Mendgyn. Por dy ditë më parë, fqinji i kishte thënë se e kishte dëgjuar zërin e saj nën rrënoja duke kërkuar ndihmë. “Nuk e besoja, megjithatë bashkë me fqinjët gërmuam dhe e gjetëm të gjallë. Më kërkoi drithëra me qumësht dhe pastaj humbi ndjenjat”, - shtoi Klerjae. Ekipet shpëtimtare thonë se pas nëntë ditësh nga tërmeti gjasat për të gjetur nën rrënoja të gjallë, janë minimale. Megjithatë, këto raste kanë sjellë shpresë dhe tek ata. Pas tërmetit shkatërrimtar në Haiti, ku sipas të dhënave të fundit kanë vdekur së paku 75 mijë persona, për shpëtimin e të mbijetuarve po punojnë 43 ekipe ndërkombëtare me rreth 1.800 trupa dhe 161 qen të stërvitur për gjetjen e njerëzve nën rrënoja.
Abuzimet me çmimet, një pjatë spageti kushton 11 dollarë
Pas tërmetit 7.2 ballësh të 12 janarit, banorët e Haitit këto ditë po përballen me një krizë të madhe ekonomike, ku ushqimi, pijet dhe derivatet e naftës arritën çmime rekorde. Ndërsa banorët e Port-au-Princ po përballen me mungesë edhe të produkteve jetësore, kontrabandistët ofrojnë prodhime të shumëllojshme me çmime stratosferike. Një shishe ujë, e cila para tërmetit kushtonte 2,5 centë, tani shitet për 7,5 centë, ndërsa çmimet e pijeve të gazuara nga 25 centë dikur, tani janë dyfishuar në 50 centë. Dyfish u shtrenjtuan edhe kartat telefonike, cigaret dhe alkooli. Çmimet u rritën edhe në hotelet në Haiti, ku dhomat nga 70 dollarë javën e kaluar prej, tani u shtrenjtuan në 200, ndërsa një pjatë spageti kushton 11 dollarë.
“Groposen” në varre masive 75 mijë trupat e para
Qeveria e Haitit thotë se trupat e të paktën 75 mijë vetëve janë varrosur në varreza masive pas tërmetit që goditi më shumë se një javë më parë. Ajo thotë se numri total i të vdekurve natyrisht do të jetë shumë më i lartë. Punëtorët në një kodër në veri të kryeqytetit Port au Prince, kanë përdorur ekskavatorë për të hapur transhe ku të vdekurit janë hedhur pa ceremoni dhe pa identifikim. Shumë trupa të tjerë mbeten nëpër rrugë. Kudo ndihet një erë e rëndë. Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një personel shtesë ushtarak prej katër mijë vetësh në Haiti në përpjekje për tiu ofruar ndihmë personave që ende nuk kanë mundur të përfitojnë asnjë lloj ndihme. Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, tha se operacioni i ndihmës po vazhdonte pavarësisht nga pengesat për shkak të infrastrukturës së dëmtuar dhe problemeve të sigurisë. Ambasadori amerikan në Haiti, Kenet Merten, i tha BBC-së se shpërndarja e ndihmës po përmirësohej nga dita në ditë. "Ne nuk shpërndamë ndihma vetëm ditën e parë pas tërmetit, sepse ende nuk kishin ardhur furnizime me ushqime, ujë apo medikamente mjekësore. Ne vepruan shpejt, hapëm aeroportin dhe u kujdesëm për mbarëvajtjen e ndihmës humanitare. Shpërndarja e ndihmës ka ardhur duke u bërë më e efektshme nga dita në ditë, megjithëse përballemi me kufizimet e mëdha të infrastrukturës së Haitit", - tha zoti Merten. Ekipet e punëtorëve po hapin varreza të reja masive në malet veriore të kryeqytetit haitian, ku brenda vetëm një dite do të varrosin 10 000 viktima të tërmetit, ndërsa mjekët njoftojnë se numri i të vdekurve mund të rritet, pasi gjendja e shumë të plagosurve vetëm sa shkon e përkeqësohet. “Përveç se nuk kemi mjete për trajtimin e plagëve, rrezik të ardhshëm shëndetësor mund të paraqesë shpërthimi i valës së diarresë, infektimeve të traktit respirator dhe të sëmundjeve të tjera infektuese në mesin e qindra e mijëra haitianëve që jetojnë në kampet e improvizuara në kushte jashtëzakonisht të rënda”, theksoi për agjencinë Reuters dr. Greg Elder, zëvendësmenaxher i operacioneve për organizatën “Mjekë pa Kufij” në Haiti.
Ky lajm është publikuar: 22/01/2010