Rama në SHBA, ngrijnë protestat
Autori i Lajmit: Suela TopiOpozita ende nuk ka një vendim për rifillimin e protestave. Edhe pse u paralajmërua me bujë në fund të vitit që shkoi por ashtu dhe para disa ditëve, selia rozë dhe aleatët e saj nuk kanë asnjë vendim se si do të reagojnë më tej. Burimet nga opozita pohojnë për gazetën se vizita e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ngrirë çdo veprim apo vendim të opozitës. Rama ashtu siç pohoi vetë dy ditë më parë është nisur drejt SHBA-së ku do të marrë pjesë në një konferencë për qeverisjen e qyteteve të organizuar nga universiteti i Harvardit dhe më pas edhe në një tjetër konferencë në Uashington ku do të flasë për stabilitetin dhe demokracinë.
Ngrijnë protestat
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama edhe pas publikimit të projektrezolutës të Këshillit të Evropës deklaroi hapur se nëse nuk hapen kutitë e votimit opozita do të vijojë protestat në të gjithë vendin. “Konfirmoj pjesëmarrjen e opozitës në çdo tryezë serioze të organizuar për këtë çështje, duke e konsideruar dialogun një mjet të patjetërsueshëm për daljen nga kjo krizë e rëndë që vetëm thellohet”, - deklaroi Rama pas publikimit të projektrezolutës së KE-së, por shtoi se “ashtu sikundër ritheksoj se duke qenë të gatshëm në çdo moment për dialog, ne nuk do të qëndrojmë asnjë moment në vend në rrugën e protestës popullore. E cila do të vazhdojë si një mjet demokratik po ashtu i patjetërsueshëm, në kushtet kur opozita është grabitur në votat e saj, pastaj dhunuar në të drejtën e saj elementare për të hetuar në parlament procesin e votimit dhe më tej kërcënuar në ekzistencën e saj me gjithfarë sulmesh, diversionesh e intrigash të neveritshme”. Por pavarësisht këtyre deklarimeve duket se për momentin gjithçka ka mbetur në vend.
Mbledhja e aleatëve
Pak ditë më parë u diskutua mbledhja e aleatëve të majtë por edhe kjo ide ka rënë. Burime nga aleatët e PS-së pohojnë se për momentin nuk ka asnjë vendim për takim dhe për më tepër për të vendosur lidhur me axhendën e paralajmëruar të protestave. Takimi i fundit mes aleatëve u zhvillua pasditen e 7 janarit kur kryesocialisti, Edi Rama së bashku me Skënder Gjinushin, Erjon Veliaj, Nard Ndokën, Vangjel Dulen dhe Spartak Ngjelën vendosën shtyrjen e protestave për shkak të përmbytjeve në veri të vendit. Por ndërsa kjo situatë ka kaluar duket se PS ende nuk ka vendosur se si do të procedojë më tej. Gjithçka mbetet pas kthimit të Ramës nga SHBA edhe pse pritet që kjo vizitë të pasohet nga një tjetër por këtë herë në Bruksel ku kryesocialisti do të ketë takime me krerët më të lartë evropianë. po në të njëjtën mënyrë është bllokuar dhe puna e strukturave brenda saj. Përmbytjet e Shkodrës shtynë për një kohë të pacaktuar mbledhjen e Asamblesë Kombëtare e cila do të ketë në axhendën e saj shtetin e së drejtës. Revolta e anëtarëve të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe e shprehur hapur në mbledhjen e fundit duket se shtyn dhe mbledhjen e kësaj Asambleje ku ndër të tjetra duhet të diskutohet dhe bojkoti i Kuvendit. Ben Blushi pohoi në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare se duhet të diskutohej çështja e bojkotit si dhe axhenda e veprimeve të mëtejshme të Partisë Socialiste. “Ne kemi një temë sot në rend të ditës. Ndaj duke qenë të bindur në drejtësinë e vendimit që kemi marrë më parë, propozoj që ti përmbahemi çështjes për të cilën është thirrur kjo mbledhje dhe për sa i përket propozimit të bërë propozoj që ky debat të zhvillohet në një mbledhje tjetër e cila ti kushtohet tërësisht qëndrimit dhe aksionit tonë politike. Ndaj ju ftoj që të bëjmë një debat intelektual dhe demokratik në këtë mbledhje të ardhshme. Ata që flasin në emër të lirisë dhe demokracisë mos të na vijnë këtu dhe të na bëjnë anarshi, por të venë më parë tek ata që i kanë zgjedhur dhe ti pyesin se çmendojnë për këtë çështje”, - ka thënë Rama.
Ky lajm është publikuar: 24/01/2010