Jugosllavia akuza Hoxhës për aspiratat e “Shqipërisë së Madhe”
Autori i Lajmit: Androkli DraloBeograd, shkurt 1984 - Zyrtarë të vjetër kosovarë kanë nisur një fushatë akuzash ndaj udhëheqësit shqiptar, Enver Hoxha, se gjoja po ndjek politikën e “Shqipërisë së Madhe” duke krijuar një marrëveshje të fshehtë me grupe të ndryshme “reaksionare” ekzili jashtë shtetit. E gjitha kjo nënkupton se “sjellja megalomane” e Hoxhës, siç vlerësohet nga udhëheqja e Prishtinës, nuk dallon nga ajo e shqiptarëve të kohës së luftës, të cilët me mbështetjen e nazistëve gjermanë dhe fashistëve italianë, krijuan një “Shqipëri të Madhe” përmes përfshirjes në Shqipëri të Kosovës dhe rajoneve të tjera të Jugosllavisë jugperëndimore, por që dështoi që forcat e aksit tu fitonin në këtë mënyrë zemrat shqiptarëve. Deklaratat që vijnë aktualisht nga Prishtina për udhëheqësin komunist shqiptar, Enver Hoxha, janë si rezultat i spostimeve të veprimtarive çlirimtare nga Kosova kryesisht në Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara. Ish-grupeve të ekzilit të angazhuara në veprimtaritë antijugosllave tani mund tu shtohen dhe grupet e Tiranës, të përbërë kryesisht nga kosovarë, të cilët punojnë përkohësisht jashtë vendit ose janë ndikuar nga ideologjia e Hoxhës pasi janë skeduar si elementë kërcënues nga Beogradi. Shefi i presidencës së Republikës së Serbisë, Nikola Lubiçic, tha kohët e fundit: “Ne jemi dëshmitarë të organizimit të elementëve të ndryshëm armiqësorë, të cilët janë arratisur nga Kosova. Veprimtaritë e tyre antijugosllave po mbështeten dhe nxiten nga jashtë. Ne duhet të pyesim se kush dhe me çfarë qëllimi po ndihmohen dhe mbështeten këta elementë dhe aktivitetet e tyre jashtë Kosovës dhe se çfarë planesh fshihen pas kësaj, jo vetëm në kontekstin e Kosovës, por edhe të Jugosllavisë gjithashtu. Lubiçiçi nuk e përmendi Enver Hoxhën me emër, dhe kjo detyrë duket se u është vendosur edhe zyrtarëve në Prishtinë. Vetëm në 2 javët e shkuara, tre zyrtarë nga provinca gjatë dy transmetimeve televizive kanë ngritur pretendime për predispozitën e Hoxhës për “Shqipërinë e Madhe”. Sinan Hasani, një anëtar i Presidencës Kosovare të Ligës së Komunistëve pretendoi në një intervistë se dëshira e Enver Hoxhës për të krijuar një “Shqipëri të Madhe” ishte prova më e mirë e tradhtisë ndaj marksizëm-leninizmit, diçka që ishte shumë e dukshme dhe në librin e tij “Titistët”. Mes provave për të argumentuar këtë “tradhti”, Hasani përmendi betimin e Hoxhës më 1936 përpara varrit të Bajo Topullit (një patriot shqiptar) në Gjirokastër, se ai do të “luftonte për bashkimin e vërtetë të vendit” dhe një foto që tregon Hoxhën duke përqafuar Deme Ali Pozharin (një person me precendetë politikë gjatë kohës së luftës) në përvjetorin e 100-të të Lidhjes së Prizrenit, që u festua në Tiranë në qershor 1978. Sipas Hasanit kjo vërtetoi se dallimet ideologjike mes shqiptarëve po aq sa edhe objektivi i tyre për të krijuar “Shqipërinë e Madhe” ishte zgjidhur. Hasani vazhdoi të pretendonte se kishte një ngjashmëri të afërt mes programeve të shumë grupeve “kundërrevolucionare” dhe komiteteve, që kishin vepruar në Kosovë që pas fundit të luftës, me qëllim krijimin e një Shqipërie më të madhe dhe ato të grupeve aktuale si “Partia Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi”, Grupi i Kosovarëve Marksistë-Leninistë”, “Fronti i Kuq” e kështu me radhë. Deklaratat e Hasanit në intervistën dhënë televizionit të Prishtinës shërbyen si material për një koment të gazetarit kosovar Rexhep Hajrullahu në të përjavshmen komuniste jugosllave, “Komunisti”. Duke e përshkruar Hoxhën si një “tiran”, Hasani i perifrazoi thëniet e tij dhe arriti deri në pikën sa konkludoi me idenë se Enver Hoxha kishte shmangur shumë konferenca si ajo e Helsnikit dhe e Stokholmit që do ti mundësonin atij të shpaloste pretendimet territoriale mbi Jugosllavinë. Hajrullahu shkoi edhe më tej më thëniet e tij: Enver Hoxha është i motivuar me fanatizëm nga premtimi i dhënë për “krijimin e një kombi të vërtetë”, krijimin e një Shqipërie të Madhe etnike, bazuar në modelin e krijuar nga aleanca fashiste italo-gjermane, e cila “përkon” me konceptin e Leka Zogut, djalit të ish-mbretit të Shqipërisë, i cili sot është në emigracion, por edhe me modelin e organizatave të tjera reaksionare profashiste në ekzil, që bëjnë thirrje për një Shqipëri më të madhe etnike. Një gjë e tillë vërtetohet dhe nga harta e shtypur së fundmi nga Tirana zyrtare. Fakti që deklarata të tilla nuk bëhen në gazeta lokale të vogla, por në të përjavshmen kombëtare jugosllave, “Komunisti”, shkrime të ndryshme të së cilës merren dhe nga agjencia “Tanjug”, tregon se deri ku ka arritur shkalla e debatit mes dy vendeve fqinje. Ndërkohë, sulmi i tretë erdhi nga Kolë Shiroka, gjithashtu një zyrtar i vjetër kosovar. Edhe ai foli në televizionin Prishtina. I pyetur se si e shpjegonte përputhjen e politikës së Hoxhës me atë të fashistëve dhe të tjerëve, të cilët nga viti 1941 deri në 1944, kishin dashur të krijonin “Shqipërinë e Madhe”, Shiroka iu përgjigj se aspirata të ngjashme kishin ekzistuar edhe gjatë luftës, duke iu referuar “Kroacisë së Madhe”, “Serbisë së Madhe”, “Bullgarisë së Madhe” dhe “Hungarisë së Madhe”. Ai shtoi më pas se gjatë luftës, si komunistët shqiptarë, ashtu edhe ata jugosllavë, të cilët kishin ruajtur lidhje shumë të ngushta, i kishin kundërshtuar këto tendenca, edhe të armatosura, dhe se ai vetë kishte pasur kontakte të afërta me udhëheqësit komunistë shqiptarë pasi ishte liruar nga robëria në Shqipëri. “Është e habitshme se si njerëzit që ishin përgjegjës të situatës, arritën të bëheshin drejtues të vendit dhe u bënë pjesë e atyre forcave, pra mbështetës të mbetjeve të monarkisë, fashizmit dhe kështu me radhë, që bashkëpunuan me pushtuesit dhe mes tyre gjatë luftës”. Një tjetër shpjegim për politikën e Hoxhës, sipas Kolë Shirokës, është se udhëheqja shqiptare kërkon me çdo kusht të shmangë vëmendjen nga problemet e saj të brendshme, siç janë zgjidhja e problemeve brenda udhëheqjes si mposhtja e grupit të Mehmet Shehut dhe për më tepër Jugosllavia është një gjemb në trupin e tyre.
Ky lajm është publikuar: 23/01/2010