E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen në Maqedoni 135 kg marijuanë, u importua nga Shqipëria

Operacioni “Meduza”

Policia e Maqedonisë ka zbuluar 135 kilogramë drogë marijuanë të cilësisë së lartë në një veturë në autostradën Veles-Negotinë.

Njësitet policore pas informacioneve paraprake, në operacionin e realizuar “Meduza”, kanë ndjekur veturën ku dyshohej se ishte fshehur lënda narkotike, që është ndaluar rreth mesnatës. Droga u gjet në veturën transportuese “Pezho” me targa të Gostivarit, e cila drejtohej nga Muhamer Maksuti dhe Xhevat Ademi nga rajoni i Gostivarit. Grupi ishte i mirorganizuar, pasi transporti ndiqej nga një veturë përpara me targa kroate, që drejtohej nga Sebadin Rrustemi. Zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski, theksoi për mediat e shteti fqinjë se droga para një muaji ishte porositur nga Shqipëria, e cila është sjellë në Gostivar, ndërsa synimi ishte që ajo të shitej në tregun e Zvicrës, ku do të kishte një vlerë prej 500 mijë eurosh. Ndaj grupit të të arrestuarve, është vendosur masë paraburgimi, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë ka vijuar hetimet për zbulimin e këtij operacioni. Ky është aksioni i gjashtë brenda këtij viti, ku janë zbuluar sasi të konsiderueshme të drogës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›