E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ka ndërhyrje politike në Drejtësi”

 

Drejtori i Misionit Euralius, Roland Miklau, organizmit evropian për reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, në një intervistë për “Dojçe Vele” në seksionin shqip shprehet se sistemi i drejtësisë në Shqipëri nuk është çliruar ende nga ndikimi i politikës në vend.Misioni i BE, EURALIUS, është i pranishëm në Shqipëri që në vitin 2005. A keni pasur rastin të vëzhgoni ndërhyrje të politikës, të njerëzve të fuqishëm në drejtësi, sidomos në vendimet e gjykatësve?
Ajo që misioni ynë mund të vëzhgojë është që deklaratat publike nga anëtarët e qeverisë, ka të ngjarë, që të kenë ndikim në vendimet që marrin gjykatësit. Për gjykatësit në Shqipëri situata nuk është tërësisht e sigurt për një sërë arsyesh: ka inspektime selektive, arbitraritet, ka mundësi për trajtime jo të ndershme, jo të barabarta brenda sistemit. Pra, ka pasiguri dhe kjo shkallë pasigurie mund të çojë në sjellje, që jo gjithmonë janë të parashikueshme. Mund të ketë një dëshirë për të ndjekur atë që njerëzit e fuqishëm duan ose që punonjësit e drejtësisë mendojnë se këta njerëz duan apo presin prej tyre. Kjo situatë ndikon në sjelljen e gjyqtarëve dhe ka një lloj rreziku që ata të shmangen nga vendime që kërkojnë kurajo dhe të preferojnë mënyrat formale për të shpjeguar procesin gjyqësor. Kur e sheh vendimin e gjyqtarëve, ai të duket shumë profesional, shumë teknik, por në thelb nuk është një vendim i ndershëm dhe nuk konsiderohet i pranuar nga palët e interesuara si një vendim i ndershëm.
A e bën kjo mënyrë e marrjes së vendimeve nga gjyqësori situatën emergjente dhe vendosjen e procedurave që detyrojnë zbatimin e ligjit një domosdoshmëri urgjente?
Nuk mendoj se ka një situatë emergjente. Po, mendoj se ka një nevojë urgjente për të vazhduar reformat në drejtësi. Janë realizuar një sërë projektesh, janë arritur suksese por ka ende shumë për të bërë. Po, ka nevojë për vendosjen e procedurave që bëjnë të mundur jo vetëm hartimin e ligjeve të mira, sipas standardeve të BE, por edhe zbatimin e tyre, përgatitjen e tyre në atë mënyrë që zbatimi i ligjeve të lehtësohet.
Ju sapo thatë që në Shqipëri drejtësia nuk është e lirë nga ndërhyrjet e politikës. Cila është baza që kjo situatë të ndryshojë, që të arrihet hap pas hapi në një cilësi të re të sistemit?
Po, është e mundur që të ecet përpara hap pas hapi. Nuk mund të ketë një kërcim të madh përpara. Kjo kërkon strategji, plane veprimi, vullnet të mirë, punë profesionale për të hedhur hapin tjetër dhe formuar baza për një cilësi të re të sistemit të drejtësisë. Nuk mund të pritet ndonjë lloj mrekullie sepse njerëzit janë po ata. Në sistemin e drejtësisë ka gjyqtarë që kanë punuar gjatë kohës së diktaturës komuniste, të tjerë që janë përgatitur shpejt e shpejt me kurse 6 mujore, në fund të kësaj diktature dhe ka edhe gjyqtarë, prokurorë të rinj, që janë kualifikuar në Shkollën e Magjistaturës për tre vjet. Aftësitë e të cilëve janë të krahasueshme me ato të kolegëve të tyre në Evropën Qendrore dhe Lindore. Pra në Shqipëri ka grupe të ndryshme që i bëjnë gjërat herë-herë të vështira, ka ndikim të politikës dhe sistemi i drejtësisë nuk është i çliruar nga ndikimi i politikës, gjë që ndodh edhe në vende të tjera, nuk po flas për Afrikën apo Amerikën Latine, por ne kontekstin evropian, Shqipëria është një vend në zhvillim. Në kushte të tilla ju nuk mund të prisni që brenda natës të ndodhin mrekullitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›