Arsimi, deputetët: Rritje pagash për pedagogët
Deputetët e komisionit parlamentar të Medias i kërkojnë Ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, që të parashikojnë për vitin 2010 fonde për rritjen e pagave të pedagogëve të universiteteve, pasi kjo kategori nuk ka përfituar prej vitesh. Nënkryetari i komisionit parlamentar, deputeti i PD-së, Mark Marku duke iu drejtuar ministrit Tafaj u shpreh se “një rritje e tillë duhet të realizohet, pasi pedagogët po largohen nga universitetet shtetërore drejt atyre private, e kjo vjen për shkak të pagesës së ulët”. Nga ana e tij, Ministri i Arsimit, u shpreh se “për vitin që vjen është premtuar rritje e pagave, por do të përcaktohet me vendim qeverie përqindja e rritjes”. Një kërkesë e tillë u bë gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm ku të pranishëm përveç Ministrit të Arsimit, ishte dhe zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Nezir Haldeda. “Për sa i përket rritjes së pagave, qeveria i rriti gjatë dy viteve të para të mandatit të parë. Më pas u bë kategorizimi, vendosja e hierarkisë, pasi u vërejt se një profesor kishte pagën sa një zëvendësministër. Pasi u miratua hierarkia e pagave ne pamë devijime shumë të theksuara me pagat që ishin në arsim. Paga mes asistentit që fillonte punën në fillim dhe ndërsa një doktori të shkencave kishte një diferencë shumë të vogël. Por ne e kemi diskutuar në qeveri dhe kryeministri e ka deklaruar se ne do të përpiqemi që të realizojmë një rritje të pagave të pedagogëve, ndoshta jo në atë masë sa e mësuesve. Nuk e dimë nëse do arrihet në 2010, por kjo duhet të diskutohet, nëse mund të bëhet një stimulim në kërkimin shkencor”, tha Ministri Arsimit, duke mos dhënë një afat konkret. Në lidhje me rritjen e pagave, numri dy i Ministrisë së Financave, Haldede, u shpreh se “rritja e pagave mund të realizohet mbi bazën e fondit të zërit të transfertave të pakushtëzuara”. Ai shprehu pakënaqësi në lidhje me mënyrën e përdorimit të fondeve nga vetë universitetet, çka janë konstatuar paaftësi dhe abuzime. Ndërsa deputetja e PD-së, Mesila Doda, kërkoi që buxheti i arsimit të jetë 4 për qind PBB-së, pasi ky është dhe një premtim i demokratëve në fushatën elektorale.