E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: Edhe 38 mijë tonë municione në vend

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka pohuar se në Shqipëri kanë mbetur edhe 38 mijë tonë municione të trashëguara nga komunizmi. “Akuzat e padrejta për kontrata me Libinë na penguan me shitjet”

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, deklaroi se në Shqipëri kanë mbetur edhe 38 mijë municione të pademontuara. Sipas Imamit, për shkak të akuzave në fillim të vitit, se Shqipëria i kishte shitur armë Libisë, nuk u arrit të kishte shitje apo kontrata, sipas planifikimit. "Mbeten për t'u demontuar edhe 38 mije tonë municione të tepërta, që janë parashikuar të asgjësohen në dy vitet e ardhshme. Ministria e Mbrojtjes nuk ka shitur asgjë në Libi, por zhurma e brendshme ndikoi negativisht në shitjet. Ministri i Mbrojtjes thotë se përgjatë vitit 2011 janë demontuar 2500 tonë nga municionet e trashëguara që nga kohët e komunizmit. “Nuk i kemi realizuar ato objektiva që ne do të dëshironim. Kemi dhuruar një sasi të vogël automatikësh për Afganistanin. Bëhet fjalë për rreth 10 mijë kallashnikovë",- tha Imami. Në lidhje me rishikimin strategjik për të cilin opozita ka ngritur shqetësimin se nuk jemi në të njëjtën linjë me atë të vendeve anëtare të NATO-s, Imami deklaroi se është vetëm çështje kohe. "Nuk do ta kishim të mundur kurrsesi që ne të nisnim një proces i cili të ishte paralel me rishikimin e dokumentit themelor të vetë NATO-s. Opozita e ngriti këtë problem në tetor, kur ne kishim një vit që e kishim nisur procesin, që kërkon kohën e tij. Ne nuk mund ta nisnim përpara",- tha Imami. Ushtria Shqiptare, gjatë vitit 2011, mori pjesë në 340 operacione në ndihmë të komunitetit, për të përballuar përmbytjet në veri të vendit, si edhe shuarjen e zjarreve masive në fillim të verës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›