E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau më 1991, arrestohet në Greqi pas 20 vjetësh

Korçë- Një ngjarje e 20 viteve më parë është rikthyer në vëmendjen e policisë shqiptare, porsa ka rimarrë nga shteti grek njoftimin për ndalimin e një të kërkuari për një krim të ndodhur në vitin 1991. Sipas policisë, bëhet fjalë për një vrasje në qytetin e Korçës, në të cilën ka mbetur i vdekur Roland Cangonji. Autor i kësaj ngjarje është 41-vjeçari Ardian Kalaveshi, i cili ishte krejt i ri në kohën kur ka kryer krimin, ndërsa atëherë ai është larguar jashtë kufijve. Organet e drejtësisë gjatë asaj periudhe kanë kryer gjykimin për të cilin Kalaveshi është dënuar me 25 vjet burg në mungesë, për veprën penale “Vrasje me dashje”. Policia e Korçës bën të ditur për gazetën se në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe autoritetet greke, ka vënë në pranga 41-vjeçarin Ardian Kalaveshi, të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kalaveshi ishte dënuar me 25 vjet burg, për veprën penale te ”Vrasjes me dashje”, pasi në vitin 1991 ka vrarë Roland Cangonjin. Policia e juglindjes ka nisur procedurat për ekstradimin e shtetasit Ardian Kalaveshi në vendin tonë, për kryerjen e dënimit për krimin e vrasjes. Mësohet se i shumëkërkuari është kapur në qytetin grek të Selanikut, ndërsa jetonte në shtetin grek, duke lëvizur nga njëri vend në tjetrin për t’iu shmangur identifikimit të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›