E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rumsfeld: I lumtur që të panjohurat e mia u botuan në Shqip, zotit Balliu po i besoj edhe librin e dytë “Rregullat e Rumsfeldit”

18-06-2013 / Gazeta 55

Shtëpia Botuese “55”, promovon librin me kujtime të ish-shefit të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA

Kryebashkiaku Lulzim Basha i dorëzon ish-sekretarit të Pentagonit “Mirënjohjen e Tiranës”, për kontributin e tij të shquar, në forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Përshëndesin botimin edhe ministrat Mediu e Zhiti si dhe deputeti Islami

Shtëpia Botuese “55” promovoi mbrëmë në mjediset e Hotel Tiranës, librin me kujtime të ish-sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld. Në ceremoni morën pjesë ministrat Mediu, Kosova e Zhiti, si dhe kryebashkiaku i kryeqytetit, Lulzim Basha. Në çelje të ceremonisë, botuesi Balliu shprehu krenarinë e tij, për suksesin që kishte njohur tek lexuesit e të gjithë hapësirës shqiptare libri me kujtime “Të njohura e të Panjohura”. “Jeta juaj z. Rumsfeld i ngjan luftës mitologjike që bën e mira me të keqen ku ju jeni e mira, jeni burri i ndershëm përballë intrigës dhe terrorizmit, tha ndër të tjera publicisti Balliu. Ju jeni heroi që thjeshtë jo vetëm që nuk keni munguar në luftë, por jeni dalluar në luftërat e egra kundër diktatorëve si Sadami etj. Ju, edhe kur të largoheni, do jeni prapë këtu, se keni librin në duart e mijëra e mijëra lexuesve”, tha Balliu.
Më pas, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka nderuar me titullin  “Mirënjohja e Tiranës”, ish-Sekretarin e Mbrojtjes, Donald  Rumsfeld: “Me mirënjohje për kontributin e tij të shquar, në forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe SHBA. Ky titull është një tregues i mirënjohjes për rolin e tij të veçantë në anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e  Atlantikut të Veriut dhe një demonstrim i respektit të thellë që i akordon qyteti i Tiranës për vitet e tij të shërbimit në SHBA dhe mbarë botën”, thuhet në motivacionin e mirënjohjes së Bashkisë së Tiranës. Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha i ka shprehur ish - sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld mirënjohjen e thellë të çdo shqiptari për kontributin e tij në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Kthimi juaj në Tiranë është pa dyshim një lajm shumë i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët që vlerësojnë miqësinë tuaj, të demonstruar me vepra dhe me punë, për të arritur një ndër destinacionet më të rëndësishme të vendit tonë, anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut në NATO. Në këtë stacion të rëndësishëm, ne arritëm për shkak të reformave dhe punës sonë, por vetëm përmes mbështetjes së gjithanshme të SHBA dhe në veçanti Presidentit George Ë Bush dhe tuajën personale, në kapacitetin e Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA” - u shpreh z. Basha. Kryebashkiaku Basha e ka konsideruar frymëzim të madh për brezat e rinj, pasionin dhe forcën me të cilën Donald Rumsfeld kreu misionin e tij historik, në raport me lirinë e njeriut, si vlera themelore për përparimin e çdo shoqërie. “Jeta juaj është një burim frymëzimi për të gjithë personat në shërbim publik por po kështu është një burim frymëzimi për çdo të ri dhe të re, në duart e së cilit do të vijë ky libër. Ju i përkisni një brezi të cilët mbajtën premtimin e një bote të lirë nga frika dhe terrori përballë shumë kërcënimeve, kërcënimeve të nazizmit, të totalitarizmit komunist dhe të pasigurisë globale që synoi të krijonte terrorizmi në botën e pas Luftës së Ftohtë” - theksoi z. Basha.
Në përshëndetjen e tij, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu (sot ministër i Bujqësisë, në kabinetin “Berisha”), falenderoi zotin Rumsfeld, sepse ka qenë një nga miqtë më të veçantë të shqiptarëve, i cili “na ka mbështetur në të gjitha reformat, jo vetëm thjesht forcat e armatosura, por edhe institucionet e sigurisë, për reformat e rëndësishme për të anëtarësuar Shqipërinë në NATO”, tha ish-ministri i Mbrojtjes Mediu. Atëhere kur shumë pak besonin në këtë proces, vijoi zoti Mediu, ai na mbështeti, atëherë kur shumë njerëz ishin skeptikë, ku kishte edhe nga ata njerëz që padyshim ishin kundër këtij procesi, unë dua ta falenderoj sinqerisht për gjithë kontributin që ai ka dhënë, për të pasur një siguri në botë, por në mënyrë të veçantë për mbështetjen e Shqipërisë për të marrë ftesën për anëtarësimin në NATO. Libri me kujtime i Donald Rumsfeld është një libër të cilin do tua këshilloja të gjithëve ta lexonte, theksoi zoti Mediu, jo thjesht për të parë historinë e një njeriu, i cili ka kaluar pjesën më të madhe të tij për t’i shërbyer vendit të tij, por për të parë figurën dhe autoritetin e një shtegtari të vërtetë, i cili nuk u ndal asnjëherë përballë opinionit, për të bërë atë që besonte se ishte më e mira për vendin e tij pa asnjë kompromis, por për të luftuar gjithmonë për të drejtën dhe njëkohësisht për të krijuar mundësinë që lirinë ta gëzojnë jo vetëm amerikanët por sa më shumë vende në mbarë botën”.
Një përshëndetje në ceremoni ka bërë edhe ministri i Kulturës, zoti Visar Zhiti, i cili shprehu mirënjohjen si qytetar dhe si ministër, për gjithçka të madhe dhe te rëndësishme që SHBA kanë bërë për vendin tonë. “Botimi i këtij libri është shume i rëndësishëm, në njëfarë mënyre është befasia e radhës e Shtëpisë Botuese “55”, e cila vazhdimisht ka sjellë librat e duhura, që kultivojnë njohuri dhe dijen, ku njohja shndërrohet në përvojë dhe përvoja në kulturë”, tha ai. Ish-ministri i jashtëm Kastriot Islami, tha se figurat e shquara në mendjen e shqiptarëve dhe disa ngjarje të rëndësishme që lidhen me ta shpjegojnë lidhjen e fuqishme SHBA-Shqipëri. Jo vetëm presidenti Ëillson që vendosi fatin e Shqipërisë qe kemi sot, tha deputeti Islami, por janë administrata të tëra të Amerikës, ne veçanti ato të presidentit Bush - ku sekretari Rumsfeld ka qene një nga figurat më të rëndësishme të saj – të cilat kanë shenjuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”.
Sekretari i Pentagonit, Donald Rumsfeld është shfaqur i emocionuar gjatë ceremonisë, duke shprehur kënaqësinë e tij të veçantë, që kujtimet e tij ishin botuar edhe në gjuhën shqipe. “Jam shumë i lumtur qe ndodhem në këtë vend shumë të bukur, tha z Rusmfeld. Ky është një privilegj i madh për mua. Falenderoj Z Balliu, kjo është një mikpritje e shkëlqyer. Kam menduar se isha shume i ri për të shkruar një libër, nisi rrëfimin e tij të sinqertë për të pranishmit, ish-shefi i Pentagonit, por kur vajta tek të 70-tat, kuptova që nuk isha më shumë i ri. Mu deshën katër vite për të shkruar këtë libër, pasi kërkonte kohë për të mbledhur dokumente, arkiva dhe artikuj. Çdo njeri ka një këndvështrim të ndryshëm për historinë, por në librin tim kam shmangur subjektivizmin dhe jam bazuar në dokumentacion. U ndjeva jashtëzakonisht i lumtur kur mësova se libri u botua ne Shqipëri. Ka një miqësi të veçantë mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Gjatë vizitës sime kam dëgjuar fjalët më të këndshme për vendin tim. Por, duhet të shikojmë edhe anën tjetër, atë çka Shqipëria dhe qeveria shqiptare i ka sjellë Perëndimit. Në një konferencë për shtyp përmenda frazën Europa e Vjetër dhe hasa kritika për këtë frazë. Kur isha ambasador i SHBA-së në NATO, ishim 15 vende anëtare, ndërsa tani jemi 28 dhe qendra e gravitetit është lëvizur drejt Lindjes dhe sot shohim një Europë të ndryshme nga ajo e Shekullit XX. Shume vite më parë, kur isha shefi i personelit të Fordit, mbaja shënime në një bllok të vogël. Fordi më tha se dëshironte që t’i shihte këto shënime dhe kur i lexoi, i pagëzoi “Rregullat e Rumsfeldit” dhe porositi administratën që të vepronte sipas tyre. Kështu, para një viti shkrova një libër, “Rregullat e Rumfseldit”, pasi siç thonë, rrëfimi është i mirë për shpirtin. Por ato nuk janë vetëm rregulla të Rusfeldit, por edhe të personaliteteve të shquara si Çërçilli, etj. Nuk janë vetëm rregulla, por edhe ide. Një kopje të këtij libri po ia dorëzoj botuesit tim Fahri Balliu për ta botuar, duke i shprehur edhe njëherë falënderimet e mia për botimin e librit të parë “Të Njohura dhe të Panjohura”.
Në fund, në një mjedis që u shndërrua në një forum ku shkëmbenin pikëpamje për çështjet e sigurisë dhe rolin që po luajnë shqiptarët në NATO, Donald Rumsfeld firmosi dhjetëra autografe për të pranishmit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›