Topi: I gatshëm të negocioj, por nuk kam sinjal nga palët
Aristir Lumezi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi i bëri apel politikës të gjejë gjuhën e bashkëpunimit. I ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në “Tv Klan”, tregoi gatishmëri për të kontribuar në krizën politike në të cilën ndodhet vendi. “Nëse do të kërkohet nga palët unë jam i gatshëm, por unë nuk kam asnjë sinjal deri më sot. Por kjo është në vullnet të palëve që ashtu siç kanë gjetur gjuhën dhe më parë, duhet ta gjejnë edhe tani”, u shpreh presidenti Topi. Kreu i shtetit nuk ka dashur të japë vlerësimin e tij në lidhje me rezultatin dhe standardet e zgjedhjeve të 28 qershorit, por u shpreh se në gjykimin e tij bazohet në tre institucione, në KQZ, gjykatat dhe raportin e OSBE-ODIHR-it. “Kam dashur të kem tre pika referimi në vlerësimin e zgjedhjeve parlamentare, KQZ, gjykatat dhe raportin e monitoruesve ndërkombëtarë. Për presidentin nuk mund të ketë referencë tjetër. Çdo analizë jashtë këtyre tre institucioneve do ta fuste debatin politik në rrjedha të padëshirueshme. I kam qëndruar këtyre institucioneve dhe vazhdoj t’i qëndroj”, u shpreh Topi. Presidenti i Republikës shprehu dëshirën e tij që dhe opozita të ishte në Parlament për funksionimin e plotë të institucioneve. “Unë do doja ta shikoja Parlamentin të plotë. Mesazhet e mia, duke u fokusuar në fillimet e punës së Parlamentit kanë qenë gjithëpërfshirëse. Por institucionet vazhdojnë të funksionojnë, por do të ishte pozitive që të jenë të gjithë të angazhuar nëpër institucionet ku duhet të kontribuojnë”, u shpreh kreu i shtetit. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit Fevziu rreth ligjit të ilustracionit, Topi e konsideroi të vonuar dhe tha se do ta firmoste kurdo që të miratohej. “Është një ligj i vonuar dhe duhet ta kishim kaluar 20 herë këtë ligj dhe duhet ta kishim kaluar në vitet e para të demokracisë. Këtu bëhet fjalë për çmontimin e një mentaliteti dhe ideologjie që duhet shkulur. Ky ligj ka të bëjë me pastrimin e administratës dhe jo me ndëshkimin e njerëzve. Është një ligj i domosdoshëm dhe Shqipëria ka nevojë të ketë standarde ligjore të pranuara që të bëjmë spastrimin. Në çdo kohë që të bëhet ky ligj do të jem i gatshëm ta pranoj”, u shpreh Topi. Duke folur për liberalizimin e vizave, kreu i shtetit u shpreh optimist se Shqipëria nuk do t’i ndahet vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë proces. Topi u shpreh dje se mbetet i djathtë dhe pse pozicioni i kreut të shtetit e kërkon të jetë jo partiak. “Ju mendoni se do ta hedh poshtë të kaluarën time politike. Ajo që i njoh vetes është karakteri i fortë dhe falë kësaj nuk mund të bëj pazar me karakterin tim, nuk mund të hedh poshtë të kaluarën time për të cilën kemi sakrifikuar unë dhe shumë të tjerë. E djathta është e shkuara apo dhe e ardhmja juaj politike? Në momentin që t’i vendosësh arbitër duhet të jesh arbitër i ndershëm. Afilacioni im shpirtëror nuk ndryshon për 2 apo 4 vjet. unë kam traditën time familjare dhe botëkuptimin tim. Unë nuk jam sipërfaqësor. Unë qëndroj fort në parimet e mia. Nuk kam asnjë lloj metamorfoze dhe çdo koment tjetër është dashakeqësi”, u shpreh Presidenti i Republikës.