E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: “Kosova duhet të bëhet pjesë e NATO-s”



Në sallën “Gjeneral Enriko Telini” të Auditoriumit të përuruar pak ditë më parë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, u zhvillua dje konferenca “NATO, koncepti i ri strategjik dhe Shqipëria”. Në këtë veprimtari mori pjesë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, zv.ministrat e Mbrojtjes, Arian Starova dhe Zana Xhuka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneral brigade Maksim Malaj, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm, përfaqësues nga Ministria e Jashtme, profesorë dhe pedagogë nga bota akademike, përfaqësues nga shoqëria civile, studentë të akademive ushtarake etj. Pas fjalës së hapjes që mbajti komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Sandër Lleshi. Ministri i Mbrojtjes Arben Imami mbajti kumtesën me temë: “Mbi konceptin e ri strategjik të NATO-s”, ku shtroi si domosdoshmëri rishikimin e strategjisë ekzistuese, pasi bota tashmë po shkon drejt globalizimit, gjë që sjell natyrshëm edhe globalizimin e sigurisë. Sot, NATO-ja, u shpreh ministri Imami, përballet me sfida të mëdha, shumë prej të cilave kërkojnë një angazhim që shkon përtej përgjigjes se thjeshtë ushtarake në kuptimin klasik. Nevojave të sigurisë, NATO do të duhet t’u adresohet në një spektër shumë më të gjerë politik, ekonomik, shtetndërtues, rindërtues, trajnues etj. Më tej, ministri Imami shprehu disa mendime lidhur me Konceptin e Ri Strategjik të Aleancës, duke u ndalur veçanërisht te roli dhe misioni i saj në “arkitekturën e re” të sigurisë ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ai foli për raportet mes NATO-s dhe BE-së, si struktura bashkëpunuese dhe jo konkurruese në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë. Sipas tij, ato duhet të koordinojnë përpjekjet në zhvillimin e kapaciteteve duke evituar dublikimet, për të siguruar efektivitet operacional më të lartë. Përsa i përket partneritetit, ministri i Mbrojtjes u shpreh se Aleanca është e angazhuar dhe pritet të angazhohet në operacione në largësi strategjike globale. Kjo kërkon që NATO-ja të ndërtojë partneritete të qëndrueshme me demokracitë përtej bashkësisë euroatlantike, me partnerë dhe vende me të cilat Aleanca ndan vlera të përbashkëta si Australia, Japonia, Zelanda e Re etj.
Vend të veçantë në kumtesë zuri edhe trajtimi i raporteve të NATO-s me Rusinë, për politikën e dyerve të hapura, për pranimin në Aleancë edhe të vendeve të tjera, duke përfshirë edhe Kosovën.

26 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›