E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja: Komisioni është i padobishëm, do të protestojmë për transparencën



Eljona Ballhysa
Opozita ka braktisur sërish seancën e djeshme parlamentare pasi kanë bërë të qartë se nuk e pranojnë komisionin hetimor parlamentar të ngritur vetëm me votat e deputetëve të PD-së, por as ofertën e fundit të Berishës për hetimin e zgjedhjeve nga 100 prokurorë. Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste fjalën e ka marrë deputeti Namik Dokle, i cili është shprehur se maxhoranca nuk ka vullnet politik për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve sepse i trembet zbardhjes së skemës së manipulimit të zgjedhjeve të realizuar nga qeveria. Sipas Dokles, transparenca e plotë e zgjedhjeve do të nxirrte të dritë “Ruzhdiet” që kanë ndodhur në të gjithë Shqipërinë. Ai shtoi se PS-ja refuzon ofertën e 100 prokurorëve, pasi e drejta e opozitës për të hetuar zgjedhjet nuk mund të zëvendësohet as nga 100 dhe as nga 1000 prokurorë. Më tej Dokle shtoi se PS-ja do të vazhdojë të protestojë në krah të popullit opozitar jo vetëm për transparencën e zgjedhjeve, por edhe për krizën ekonomike dhe të gjitha padrejtësitë që po ndodhin në këtë vend. Më pas fjalën e ka marrë kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili u shpreh se PS-ja nuk ka një kauzë të vërtetë, pasi ata nuk synojnë të bëjnë transparencën e zgjedhjeve.
Qëndrimi
“Seanca e fundit parlamentare nxori në dritë mungesën e vullnetit të PD-së për zbatimin e parimit kushtetues të transparencës. Ju trembeni sepse del në dritë masakra e vërtetë elektorale që u projektua dhe u realizua nga qeveria. Nëpërmjet hetimit do të vërtetohet shqetësimi i ndërkombëtarëve për numërimin shumë të keq të votave. Transparenca do të vërtetonte se në të gjithë Shqipërinë kanë ndodhur ruzhdizimi i sistemit zgjedhor. PS-ja ka sjellë fakte për 10 Ruzhdie që tregojnë skemën e manipulimit të votave. Grupi i PS-së denoncoi me forcë mungesën e vullnetit politik, por edhe demagogjinë e kryeministrit, presionin e kryetares së Kuvendit”, - është shprehur Dokle. Sipas tij, transparenca e plotë e zgjedhjeve është e sanksionuar në Kodin Zgjedhor, por ky nen u shkel nga PD-ja. “Ofertat tona ligjore ishin dhe mbetet zgjidhja e krizës për rëndimin e së cilës ngrenë shqetësime të drejta ndërkombëtarët. Kjo nuk është krizë e zakonshme, por e jashtëzakonshme, që u rëndua edhe më shumë me qëndrimin refraktar të pozitës që hodhi poshtë ofertat tona. Ne refuzojmë komisionin e njëanshëm dhe të padobishëm, të vjedhur këtu në parlament me votat e Ruzhdies. Ne refuzojmë çdo shpikje tjetër që synon ta fusë transparencën në bodrumet e qeverisë duke i hequr të drejtën opozitës për ngritjen e komisionit hetimor. E drejta e opozitës nuk zëvendësohet as me 100, por as me 1000 prokurorë. Demokracia është vënë nën presion. Zgjedhjet e ardhshme janë vënë në rrezik nga shkelja permanente e Kushtetutës dhe nga mungesa e transparencës”, - është shprehur Dokle. Ai theksoi se PS-ja nuk do ta ndërpresë luftën për transparencë.
Populli opozitar nuk pranon nënshtrimin ndaj keqqeverisjes. Ne do të jemi bashkë me popullin në protestë për të protestuar për të gjitha kutitë e mbyllura dhe krizën e thellë në të cilën ndodhet vendi. Në Parlament do të kërkojmë me durim dhe këmbëngulje të drejtën e transparencës së plotë. Vetëm atëherë Kuvendi mund të jetë i Shqipërisë dhe jo i qeverisë”, - ka përfunduar fjalën e tij Dokle, ndërsa Grupi i PS-së më pas ka braktisur sallën e Kuvendit.
Demokratët
Ndërsa në replikë, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, shpreh se PS-ja, para se të kërkojë të drejtat e saj, duhet të respektojë detyrimet që ka, për të respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit. “Ju keni detyrimin për të respektuar vendimin e Kuvendit. Ky parlament ua ka hequr justifikimin për t’u fshehur pas pseudokauzës suaj politike për transparencë. Ndërkombëtarët kërkojnë respekt për Kushtetutën, transparencë dhe e gjen mishërimin te komisioni hetimor. Por ju nuk jeni dakord me këtë. Transparenca është përmes komisionit që pret emrat tuaj dhe kontributin tuaj. Rregullorja e Kuvendit është zbatuar pikë për pikë. Mundësia tjetër që ju jepet është përmes hetimit të prokurorëve. Është e qartë se ka rrugë ligjore që ju nuk doni t’i shfrytëzoni. Kjo është dëshmia se transparenca që ju kërkoni nuk është kauzë, por doni të mbani ndezur një konflikt. Ju doni të arrini qëllime të mbrapshta politike. Ju po humbisni sensin misionit të deputetit si përfaqësues. Ju po krijoni një precedent të rrezikshëm dhe absurd që pasi mbaron loja kërkoni përsëritje të saj, pasi nuk ju pëlqen humbja. Ju ftojmë se përveç të drejtave tuaja të njihni detyrimet minimale për të respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, - është shprehur Patozi. Ai theksoi se në rast se ndonjëri mendon se mund të prishë rendin kushtetues në vend, darët e ligjit do të veprojnë mbi këdo.

Miratohen emrat e deputetëve në Komitetin e Asociim-Stabilizimit me BE-në

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, informoi në seancë se do t’i dërgojë Parlamentit Europian listën e deputetëve shqiptarë pjesëmarrës në Komitetin e Asociim-Stabilizimit me Bashkimin Europian. Kjo listë, sipas saj, dërgohet në këtë moment pasi priti emrat e deputetëve të Partisë Socialiste. Sipas Topallit, anëtarë të këtij komiteti do të jenë deputetët Fatos Beja, Viktor Gumi, Albana Vokshi, Jemin Gjana, Mesila Doda, Aldo Bumçi nga PD-ja dhe Valentina Leskaj, Ermelinda Meksi, Arben Malaj, Ditmir Bushati, Taulant Balla, Saimir Tahiri, Ilir Beqa nga PS-ja. Ndërsa anëtarë zëvendësues do të jenë: Arenca Trashani, Gerti Bodgani, Sherefedin Shehu nga PD-ja, Mimi Kodheli, Eduard Shalsi dhe Besnik Bare nga PS-ja.

26 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›