Milo: PDS, e gatshme të kontribuojë
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, zhvilloi takim me anëtarë dhe simpatizantë të Demokracisë Sociale në Divjakë të Rrethit të Lushnjës, ku prezantoi listën e kandidatëve për deputet të Qarkut të Fierit, që kryesohet nga Leonard Strati. Në këtë takim, Milo deklaroi se PDS është pjesë e alternativës evropiane të së majtës shqiptare, është pjesë vitale e ambientit politik shqiptar, është pjesë e ansamblit politik të së majtës shqiptare dhe si e tillë është e gatshme që të marrë përsipër përgjegjësi qeverisëse pas 28 qershorit. "Ajo i ka të gjitha potencialet intelektuale dhe profesionale që të kontribuojë realisht në një qeverisje evropiane pas zgjedhjeve. Ajo është e gatshme të marrë përgjegjësi të mëdha së bashku me aleatët e vet, për ta nxjerrë Shqipërinë nga ky tranzicion i vështirë dhe problematik", tha Milo. Kreu i PDS-së vuri në dukje se partia që ai drejton është e gatshme t‘i përballojë sfidat e së ardhmes dhe është e gatshme që të prodhojë politika të reja, të cilat do ta çojnë Shqipërinë realisht në Evropë.