E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia mbron fëmijët e vrasësit

 DEVOLL/GEZIM ASHIMIPolicia e Devollit merr në mbrojtje tre fëmijët e Besim Karajt. Nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga të afërmit e tre vëllezërve të vrarë në fshatin Vidohovë, blutë për momentin kanë në mbikëqyrje dy vajzat dhe djalin e vetëm të autorit të ngjarjes së rëndë. Policia nuk bëri të ditur se cila do të jetë kohëzgjatja e ruajtjes së tyre, por sipas burimeve, ata do të jenë në mbrojtje derisa të qetësohet disi situata. Ndonëse babai i djemve të vrarë, Xhevahir Mulliri është shprehur publikisht se nuk do të hakmerrej ndaj fëmijëve të vrasësit, sërish frika e ndonjë veprimi të rëndë nga persona të tjerë të afërm është evidente. Besim Karaj mbërriti rreth orës 22:00 të së hënës në policinë e Korçës, pasi u transportua nga Thumana. Një grup hetimi e ka marrë atë disa orë në pyetje. Pasi iu komunikua edhe masa e sigurisë, "arrest me burg", e marrë në mungesë, ai ka shpjeguar motivin e vrasjes së Taulant, Xhiljan dhe Edlevan Mullirit. Burime nga policia bënë të ditur se Karaj është shprehur se krimin e rëndë e kreu për çështje nderi. Sipas tij, ai ishte rebeluar jo vetëm për tradhtinë bashkëshortore, por edhe për faktin se vëllezërit Mulliri e kishin provokuar atë disa herë pasi historia e flirtit kishte marrë dhenë. "Nuk kisha zgjidhje tjetër veç vrasjes së Taulantit. Vetëm kështu mund të mbroja dinjitetin e familjes", është shprehur 45-vjeçari në polici. Ai nuk ka shprehur pendim për vrasjen e Taulant Mullirit, ndërsa ka shtuar se ekzekutimi i dy vëllezërve të tij kishte qenë e paparamenduar. "Vetëm Taulant Mulliri doja që të vritej. Ai më fyente vazhdimisht duke më përmendur disa herë edhe në opinion flirtin që kishte arritur të krijonte me gruan time, Tinën. Ndihesha i poshtëruar edhe për faktin se dyshoja se gruaja ime mund ta mbante me para Taulantin. Kjo pasi në shtëpi nuk shikoheshin kursimet që unë i siguroja nga trafiku i klandestinëve në Greqi. Dyshoj se Taulanti ka shpenzuar paratë e mia nëpërmjet gruas sime. Kjo ishte e rëndë për mua", është shprehur Besim Karaj. Sipas tij, ditën e krimit të rëndë, kur ka parë tre vëllezërit bashkë ka menduar se ata do ta fyenin sërish, ndaj edhe ka marrë automatikun. Pasi kreu vrasjen e trefishtë, i arrestuari i pohoi grupit të hetimit se kishte shkuar në shtëpinë e tij ku i kishte bërë të ditur së shoqes dhe fëmijëve të tij krimin e kryer. "Jeta ime u mbyll me kaq", mësohet se i është drejtuar ai Tinës nga ku më pas nxitimthi ka lënë banesën duke iu drejtuar kufirit grek. Por pasi ka udhëtuar për disa orë, ai është ndeshur me postblloqet greke, gjë që e ka detyruar të kthehej mbrapsht. Karaj ka rrëfyer edhe arratinë në këmbë nëpër male, derisa ka arritur në Fier. Aty ka udhëtuar me një furgon deri në Kavajë. Pasi ka qëndruar një natë aty, (armën e mbante të fshehur në xhup) ai ka udhëtuar sërish deri në Vorë me një mjet të rastit. Ndërsa nga Vora deri te familja e tij në Thumanë, Karaj e ka kryer rrugën sërish më këmbë. Tashmë Besim Karaj akuzohet për vrasje me dashje në rrethana cilësuese dhe armëmbajtje pa leje. Ai rrezikon 25 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›