Negociatat anulojnë tryezën e opozitës
Tryeza e programuar për tu mbledhur dje mes kryetarëve të partive opozitare u anulua nga kryetari socialist Edi Rama duke e lënë atë në një moment të papërcaktuar. Krerët opozitarë ishin lajmëruar që të takoheshin dje paradite, por duket se përpjekjet për negociata në presidencë mes Ramës dhe Berishës, kanë shtyrë edhe tryezën e cila do të duhet të përcaktojë axhendën e protestave opozitare. Po bëhen të gjitha përpjekjet që të sigurohet takimi mes dy krerëve të politikës shqiptare, ndërsa axhenda e saj pak gjasa ka të diskutohet paraprakisht mes opozitarëve. Mbledhja e fundit kryetarëve opozitarë u zhvillua në kulmin e emergjencës së përmbytjeve në Shkodër, ku opozita ndryshoi axhendën e saj të protestave dhe u fokusua tek ndihma që i duhej dhënë banorëve të këtyre zonave.