Imami: Mbrojtja dhe Ushtria në një organizëm të vetëm
Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Forcave të Armatosura pritet të përfshihet nga reforma për t’u bashkuar në një organizëm të vetëm. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Mbrojtjes, Arben Imami gjatë punimeve të konferencës së dytë për Integrimin e Forcave të Armatosura Shqiptare në strukturat e NATO-s. “Objektivi është që të rrisim frytshmërinë e komandimit dhe drejtimit, të mënjanojmë shtabet e njësitë e tepërta dhe të përshtatim strukturat e disa njësive për t’i bërë ato më efektive. Struktura e forcës dhe plani i përhapjes pasqyrojnë pikërisht këto objektiva. Ne do të rishikojmë tabelat e organizim-pajisjeve për çdo njësi dhe drejtori. Kjo do të sjellë një përmirësim të madh në procedurat tona të menaxhimit të burimeve”, theksoi Imami. Reforma për të cilën foli dje kreu i Mbrojtjes është në fakt një propozim i ish-ministrit Gazmend Oketa, që ka mbërritur tashmë në tryezën e Presidentit Bamir Topi. Sipas Imamit, “si pjesë e procesit të riorganizimit të forcës dhe në interes të një menaxhimi më të frytshëm burimesh, ne jemi duke studiuar përfitimet e integrimit të stafit të Ministrisë së Mbrojtjes e të Shtabit të Përgjithshëm në një organizëm të vetëm, me qëllim që të përqendrohet dhe përmirësohet procesi i planifikimit, bashkërendimi i programeve të modernizimit dhe shpërndarja e burimeve”. Duke u ndalur në transformimin e ushtrisë shqiptare, Imami theksoi se, “në vitin 2010 hyjmë në një ushtri e cila është plotësisht vullnetare, në 2014 duhet të kemi një batalion të posaçëm, në 2015 duhet që të jetë pothuaj kryer ky integrim dhe ky kalim nga një ushtri ku jemi sot, një ushtri e cila të jetë plotësisht e përputhshme me NATO-n. Dhe po themi që i gjithë ky plan duhet të mbarojë rreth vitit 2019”.