Zgjedhjet, Berisha: PS të pranojë verdiktin e arbitrit
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha fton opozitën të rikthehet në Parlament duke i premtuar se do të ketë rol kryesor në miratimin e reformave në Parlament. Duke folur pak orë pas mbylljes së vizitës zyrtare në SHBA, ku mori pjesë në hapjen e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kreu i Ekzekutivit i bëri thirrje sërish PS-së të dëshmojë shkallë të lartë përgjegjësie. Sipas tij, opozita duhet të jetë në lartësinë e duhur dhe të tregojë se është në favor të lëvizjes së lirë të shqiptarëve dhe marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. I pyetur në konferencën për shtyp mbi kushtet e pakicës për hetimin e zgjedhjeve, kreu i Ekzekutivit u shpreh se procesi elektoral i 28 qershorit u vlerësua pozitivisht nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe në këto kushte, sipas tij, duhet të pranohet verdikti i tyre. “Përsa i përket zgjedhjeve, qëndrimi ynë është një dhe vetëm një. Zgjedhjet janë një proces themelor i një demokracie, në të cilat në të gjithë botën e qytetëruar pranojnë një arbitër, pranojnë një gjykatës. Pasi ato i kanë paraqitur atij të gjitha pretendimet dhe ai bën përfundimin mendoj se asnjëra palë nuk ka më dhe nuk mund të ketë të drejtë të mos i përmbahet verdiktit të tyre. Në këtë kontekst në historinë e këtij vendi këto janë zgjedhjet e para në të cilat watchdog ndërkombëtar shkruan se u plotësuan angazhimet kryesore të OSBE/ODIHR-it dhe se vlerësimi i përgjithshëm për këto zgjedhje është pozitiv”, u shpreh kreu i Ekzekutivit. Duke iu referuar raportit, Berisha tha se nuk ka pasur asnjë provë për numërim të parregullt dhe as manipulim të rezultateve. Në një krahasim me zgjedhjet e vitit 2001, kreu i qeverisë tha se në atë kohë vëzhguesit ndërkombëtarë pranuan provat e opozitës për manipulimin e procesit. Berisha i premtoi opozitës se ajo do të ketë rol kryesor në miratimin e reformave. “Ajo çfarë garantoj unë opozitën është kjo: së pari, të dëgjohet zëri i saj plotësisht në të gjitha reformat që ne do të ndërmarrim për integrimin e vendit dhe të jetë së bashku me maxhorancën bashkautor në këto reforma. Së dyti, watchdog ndërkombëtar ka lënë një seri detyrash. Unë garantoj opo-zitën se sikundër gjer sot në reformat që ka pasur zërin kryesor dhe nuk mund të tregojmë qoftë edhe një nen të vetëm që unë ua kam diktuar atyre, përkundrazi kam pranuar me dhjetëra përcaktime të tyre, sepse opozitës duhet t’i japësh garanci maksimale”, u shpreh më tej kreu i Ekzekutivit. Sipas tij, edhe gjatë takimeve në Nju Jork procesi zgjedhor u vlerësua pozitivisht. Kryeministri Berisha është shprehur i hapur të pranojë të gjitha kushtet ligjore të opozitës për zgjedhjet e 28 qershorit. Nga ana e saj PS-ja ka theksuar si kusht të panegociueshëm hapjen e kutive të votimit për të dëshmuar sipas saj manipulimet që deformuan rezultatin.